Ballina / KOSOVA / Hahn: Kosova, kusht i Serbisë drejt BE-së
Komisionari për negociata i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn

Hahn: Kosova, kusht i Serbisë drejt BE-së

Bashkimi Evropian dje ka hapur kapitujt e rinj të bisedimeve për anëtarësim për Malin e Zi dhe Serbinë, vende këto për të cilat shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, thotë se pret të anëtarësohen në bllok deri më 2025.

Negociatat për anëtarësim, që zakonisht zgjasin me vite, janë të ndara në 35 “kapituj” që përfshijnë fusha si ekonominë, energjinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, për t’i ndihmuar shtetit aspirues për anëtarësim t’i harmonizojë praktikat e veta me standardet e BE-së.

Në një konferencë për media, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se hapja e këtyre kapitujve për Serbinë është arritje e merituar për vendin.
Por ai paralajmëroi se progresi i mëtejmë i shtetit serb është i kushtëzuar me Kosovën.

“Progresi i mëtejmë është i kushtëzuar në përqendrimin [e Serbisë] ndaj sundimit të ligjit dhe normalizimit [të raporteve] me Kosovën”, tha Hahn, transmeton Koha.net.
Ai theksoi se është bërë punë e mirë në raport me Kosovën dhe me sundimin e ligjit, por “ende ka sfida”.

BE ka hapur dy kapituj të rinj edhe për Malin e Zi, të cilët përfshijnë lirinë e lëvizjes për punëtorët dhe shërbimet. Kjo nënkupton se Mali i Zi tani ka edhe 30 kapituj për t’i hapur.
Nga rajoni, Shqipëria dhe Maqedonia janë kandidate për anëtarësim në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.