Edi Gusia, ABGJ
Pamje nga bashkëbisedimi i Agjencisë për Barazi Gjinore me përfaqësues të mediave

Gusia fton mediat: Gratë kandidate të prezentohen denjësisht

Kryeshefja ekzekutive nga Agjencia për Barazi Gjinore e Kosovës, Edi Gusia, ka ftuar mediat që t’i kushtojnë më shumë rëndësi përfaqësimit të barabartë gjinorë në hapësirën e tyre informative.

Apeli i zonjës Gusia vjen në momentin kur fushata zgjedhore për asambleistët dhe të parët e komunave është në vlug. E, siç dihet, në këte garë janë vetëm katër komuna ku për postin e Kryetarës po garojnë gratë.

Në këtë moment delikat Agjencia për Barazi Gjinore ka prezentuar hulumtimin “Gratë në mediat e shkruara” që përfshin analizën e rreth 1500 artikujve të publikuar në gazetat e Kosovës. Nën ombrellën e ABGJ-së është mbajtur bashkëbisedimi me përfaqësues të mediave, ku janë diskutuar gjetjet e dala nga ky hulumtim, dhe ku të pranishmit u përpoqën të ofrojë zgjidhje që do të avanconin pozitën e gruas në shoqëri.

Sado që hulumtimi nuk reflekton analizë krahasimore të prezentimit të grave kundrejt burrave, ai mund të shërbejë si një bazë e mirë për rishqyrtim të politikave redaktoriale brenda mediave të shkruara. Vërehet se përfaqësimi i gruas në shkrimet që kanë të bëjnë me çështje jetike si ekonomia e gjyqësori, mbetet edhe më tej i ulët në krahasim me fushat e tjera si politika e sporti. Por edhe tek këto dy të fundit, përfaqësimi i tyre është më i lartë falë dy fakteve, atij se në kohën e monitorimit Presidente e vendit ishte një grua , Atifete Jahjaga, dhe faktit se prefiks i sukseseve sportive ishte xhudistja Majlinda Kelmendi.

Me rastin e fillimit të bashkëbisedimit me përfaqësues të mediave Gusia përcolli mezashin tek mediat që ” të ofrojnë hapësirën adekuate të grave dhe vajzave kandidate në zgjedhjet lokale 2017″.

“Në hulumtimet që i kemi bërë jo vetëm ne si Agjenci por edhe organizatat nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë jo rrallë herë gratë politikane , gratë kandidate kanë cekur problemin se atyre nuk iu është ofruar hapësira e njëjtë mediatike për të prezantuar programin e tyre dhe për t’u përfaqësuar denjësisht” , tha Gusia.

Duke iu referuar përfaqësimit relativisht të mirë gjinorë në ushtrimin e profesionit të gazetarisë, Gusia vuri në dukje se kjo “jo domosdoshmërisht rezulton me raportim cilësor”.

“Shmangia nga gjuha që patronizon dhe shpërfill gjininë grua, si dhe shmangia e gjuhës që forcon stereotipet e imazhet e pabarazisë gjinore, si për burrat edhe për gratë, është më se e nevojshme”, tha mes tjerash ajo.

Gazetarët ngritën çështjen e vështirësive që po hasin për të siguruar gra që flasin para kamerave dhe dukurinë “që jo rrallë, gratë preokupohen më shumë për dukjen se për gjërat që kërkohen nga to t’i bisedojnë”.

“Grave u është imponuar të preokupohen me dukjet, sepse po sfidohen nga mediat më shumë për dukjen se sa që po sfidohen intelektualisht”, komentoi Blerinda Idrizi, Lidere e projektit të SIDA-së për Barazi Gjinore.

Në këtë bashkëbisedim u përmend edhe fakti se edhe gjatë zgjedhjeve të fundit, në media ka vazhduar avazi i vjetër. “Ka pasur raste kur në disa media është komentuar më shumë dukja ose gjërat tjera margjinale se sa vetë programi i kandidateve që kanë garuar”, ishte një koment tjetër i dalë nga të pranishmit.

“Organet vendimarrëse të mediave të shkruara duhet të krijojnë mekanizma që mundësojnë raportim të balancuar në aspektin gjinor në të gjitha fushat. Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet nevojës që gazetarët të trajnohen dhe të pajisen me njohuri adekuate mbi Treguesit e ndjeshëm gjinor për media ” tha Agon Maliqi, drejtuesi i ekipit që realizoi hulumtimin. Sipas tij “bordet redaktoriale të mediave duhet të krijojnë kushte për ofrimin e trajnimeve adekuate dhe të specializuara për gazetarët e tyre, me qëllim të raportimit profesional, sidomos në fushat ku vajzat dhe gratë janë protagonistet kryesore”.

Në takim u përmend edhe obligimi që secili institucion e parti e Kosovës është e obliguar të respektojë përfaqësimin e barabartë gjinor në postet udhëheqëse (50 me 50 për qind), dhe u tha mediat mund të luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në ushtrimin e presionit përmes shkrimeve dhe raportimeve, që institucionet të përmbushin obligimet e tyre ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.