Grenell: Kosova ta heqë taksën, Serbia ta ndalë fushatën kundër njohjeve

Përfaqësuesi special i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell,u takua sot ndaras me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafën.

“Po provoj të injoroj betejën politike dhe të përqendrohem në zhvillimin ekonomik. Për shkak të kësaj, i kërkova z. Kurti dhe do i kërkoj çdo udhëheqësi politik këtu që është shumë e rëndësishme se nëse dëshirojmë të ecim përpara, nevojitet zhvillimi ekonomik dhe taksa 100% të hiqet, është diçka që duhet të hiqet, po ashtu edhe fushata e Serbisë duhet gjithashtu të ndalet. Unë mendoj se që të dyja duhet të ndodhin në mënyrë që bizneset të rriten, të krijohen vende të punës për të rinjtë. Unë do ta përçoj të njëjtin mesazh edhe në Beograd . Dëshiroj që ne të ecim përpara dhe të ndihmojmë familjet e reja dhe të rinjtë që të kenë punë me paga më të mira dhe një situatë me ekonomi në rritje. Ky ishte mesazhi im që e përçova këtu dhe do jetë mesazhi i njëjtë që do e përçoj në Serbi”, tha Grenell.

Ambasadori amerikan në Berlin tha se çështjen e formimit të qeverisë e shikon vetëm prej anash meqë nuk është i interesuar të përfshihet në diçka të tillë.

“Çështja e formimit të qeverisë nuk është çështje e imja dhe nuk jam i interesuar të përfshihem, gjithçka që po shikojmë nga anash. Do i them dy gjëra, i thash z. Kurti se shtetet si Britania e Madhe dhe Gjermania kanë pasur probleme për krijimin e koalicioneve të panatyrshme për të formuar qeverinë, ju thash se ne po shikojmë dhe se ne nuk kemi ‘ndonjë qen në këtë betejë’ dhe vetëm po shikojmë se çfarë po ndodh dhe i inkurajojmë të ndjekin sundimin e ligjit si çdokush tjetër, dhe ta dinë që edhe shtetet e tjera kanë pasur problem për krijimin e koalicioneve të panatyrshme”, tha Grenell.

Ambasadori Grenell, pas takimit me kryetarin e Vetëvendosje, Albin Kurtin në selinë e Lëvizjes, tha se zhvillimi ekonomik është gjëja më e rëndësishme dhe përpjekja për krijimin e vendeve të punës dhe për sjelljen e bizneseve evropiane e amerikane në Kosovë.

Ai tha se njerëzit janë të uritur për të vepruar dhe të ndihmojnë në rritjen ekonomike.

Grenell ka arritur në Kosovë dje, ku fillimisht është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sot ka takuar Albin Kurtin dhe Isa Mustafën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.