Grenell: Duam të zotohemi se do të vazhdohet me zbatimin e MV-së

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, e ka quajtur të hënën vizitën e tij në Kosovë si “provë e përkushtimit amerikan për marrëveshjen” e cila u nënshkrua më 4 shtator në Washington.

“Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë ai pas takimit në ndërtesën e Qeverisë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Si ka thënë Grenelli, administrata Trump “nuk do fjalë boshe. Duam t’i tregojmë populli të Kosovës, që janë aleatët tanë, se jemi me ju”.

Ai po ashtu ka treguar se si do të vazhdojë procesi më tutje.

“Secila ministri do të krijojë ekipe për të bashkëpunuar me amerikanët drejt këtyre projekteve. Shpresojmë se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, do ta ndryshojë peisazhin politik. Presidenti Trumpi gjithnjë ka thënë të synohet marrëveshje për vende pune, e jo diskutime të vjetra politike. Duam të ndihmojmë në krijimin e vendeve të punës, në mënyrë që të kapërcehen çështjet e moçme politike”, ka thënë ai.

Edhe për kryeministrin Hoti, vizita në Kosovë e delegacionit amerikan e shpërfaq “vendosmërinë dhe seriozitetin e Trumpit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij për marrëveshjen”.

Hoti ka treguar se gjatë takimit është biseduar gjerë e gjatë për të gjitha pikat e marrëveshjes.

“Kam për nder ta them se do të lëvizim shpejt për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është krijuar një momentum i ri”, ka thënë kryeministri Hoti.

Ndërsa, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar, Adam Boehlr, ka thënë se me këtë vizitë po tregojnë seriozitetin e tyre për të investime potenciale në Kosovë dhe për t’u dhënë mbështetje miqve këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.