Ballina / TEKNOLOGJI / Google, projekti Dragonfly dhe çështja e privatësisë
google

Google, projekti Dragonfly dhe çështja e privatësisë

Google ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, por këtë radhë për arsye negative.

Kompania e teknologjisë u tërhoq nga tregu kinez para tetë vjetësh për të protestuar ndaj censurës së Pekinit, por tani duket se është gati të kthehet në Kinë me një motor të ri kërkimi. Por projekti po realizohet në fshehtësi, pavarësisht thirrjeve të punonjësvet të kompanisë Google për transparencë. E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që kompania po përpiqet të mbrojë veten nga akuzat se ajo ka shkelur në mënyrë aktive privatësinë e përdoruesve, pavarësisht se në të kaluarën Google kishte thënë se nuk po e bënte këtë.

Qindra punonjës të kompanisë Google janë zemëruar me vendimin e kompanisë për të ndërtuar në mënyrë sekrete një version të censuruar të motorrit kërkues për Kinën. Burimet thonë se projekti, me nofkën Dragonfly, është ndërtuar me aftësinë për të bllokuar disa faqe interneti dhe fjalë kërkimi.

Sipas një raporti të gazetës The New York Times të publikuar të enjten, një peticion i ri që kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie për projektin, tashmë ka grumbulluar më shumë se një mijë nënshkrime.

Drejtuesit e kompanisë ende nuk kanë bërë komente publike mbi projektin Dragonfly.

Por në një letër që është parë nga Reuters, shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai u ka thënë punonjësve se është ende “shumë e paqartë” nëse Google do të kthehej në Kinë, duke thënë se zhvillimi është në fazat e hershme të tij dhe se ndarja e çdo informacioni shumë herët mund të “shkaktonte probleme”.

Google po merret tashmë me një çështje tjetër të ngritur javën e kaluar pas publikimi të një raporti hetimor të agjencisë së lajmeve Associated Press, i cili pretendonte se Google i përcjell lëvizjet e përdoruesve edhe pa lejen e tyre.

Aplikacionet si Google Maps ndihmojnë përdoruesit të gjejnë vendin ku ata dëshirojnë të shkojnë. Por, për ta shfrytëzuar këtë aplikacion, Google kërkon leje nga përdoruesit që të zbulojnë vendndodhjen e tyre. Problemi është se Google vazhdon të ndjekë dhe të ruajë automatikisht informacionin e vendndodhjes në çdo kohë nga të gjithë përdoruesit e saj, madje edhe kur ata vendosin të refuzojnë kërkesën për të zbuluar vendndodhjen e tyre. Kjo çështje prek të gjithë ata që kanë një pajisje Android ose iPhone dhe përdorin aplikacionin Google Maps.

“Shumë aplikacione kërkojnë që të dhënat e vendndodhjes që të funksionojnë, nuk ka asgjë të keqe me këtë, por ata duhet të jenë transparentë në lidhje me mënyrën se si përdoren këto të dhëna dhe njërëzit duhet të lejohen të tërhiqen nëse dëshirojnë. Problemi është se sa më shumë që një kompani ka informacione rreth jush, dhe vendndodhja është një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj, aq më lehtë ata mund të kenë ndikim mbi ju”, thotë Frederike Kaltheuner nga kompania “Privacy International”.

Kjo ka shqetësuar shumë përdorues të telefonave inteligjentë për privatësinë e tyre.

“Unë nuk mendoj se ata duhet të kenë të drejtë të mbledhin këto të dhëna pa kërkuar leje”, thotë Didem Dayanch, përdoruese e telefonave inteligjent.

“Unë mendoj se ata nuk duhet ta bëjnë këtë pa kërkuar leje, por nëse ju i jepni lejen, nëse i lejoni ata ta bëjnë këtë, atëherë është në rregull”, thotë Rosielyn Bartolazo, përdoruese e telefonave inteligjentë.

Çështjet e privatësisë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme pasi njerëzit po mbështeten gjithnjë e më shumë në telefonat e tyre dhe në shërbimet online.

@Fluidi

Provo po ashtu

fermat solare

BBC: Këto janë fermat më të mëdha solare

Kina nuk është vetëm shtëpia e disa prej fermave më të mëdha diellore, teknologjia e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.