Gjykata Speciale publikon aktakuzën ndaj Salih Mustafës

Pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 24 shtator 2020.

Gjykatësi i procedurës paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020. Në përputhje me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë kohë.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar. Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Për arsye sigurie, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime. Aktakuzën mund ta gjeni dhe shkarkoni në këtë LINK. Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Salih Mustafës para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftohet më vonë. Paraqitja e parë do të bëhet në seancë publike dhe mund të ndiqet në transmetim me video përmes faqes së internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Mustafa kishte shërbyer gjatë në organizim të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës shërbeu edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si shef i inteligjencës.

Në vitin 1988 Mustafa ishte bërë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Pesë vjet më pas, ishte arrestuar. Dënimin me burg e mbajti deri në vitin 1997. Pas përfundimit të dënimit, Mustafa ishte angazhuar në shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja “BIA” deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

salih mustafa
Salih Mustafa, i arrestuari i parë me urdhërin e Gjykatës Speciale në Hagë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.