fbpx

Gjykata Speciale: Ja tri pikat ku Kosova nuk pajtohet

Përkitazi me Projektligjin për Gjykatën Speciale, janë të paktën tri çështje në të cilën qeveria e Kosovës ka këmbëngulur të ndryshohen por që siç duket BE-ja nuk do t’i marrë parasysh.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, akoma këmbëngulin që në proceset gjyqësore të vlejnë vetëm ligjet e Kosovës, të përcaktohet afati kohor për hapjen e arkivës dhe materialeve të tjera, ku hyn edhe çështja e dëshmitarëve, për të cilën BE këmbëngul që Kosova të mos mund të ketë qasje, raporton TCh.

Në të trija këto çështje projektligji për Gjykatën speciale i propozuar nga BE e parasheh krejtësisht të kundërtën. Sa i përket ligjeve sipas të cilave duhet të bëhet gjykimi, projektligji thotë se dhomat e specializuara zbatojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe ligjin penal material të zbatueshëm në Kosovë përderisa ai është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare që ka qenë i zbatueshëm në kohën që janë kryer krimet.

Ndërsa në kapitullin për statusin privilegjet dhe imunitetet e dhomave të specializuara në Kosovë, thuhet qartë se “objektet prona, fonde, pasuria, arkivat dhe të dhënat e dhomave të specializuara, zyrës së regjistrimit dhe prokurorisë së specializuar, kudo që janë të vendosura dhe nga kushdo që mbahen, janë të paprekshme dhe kanë imunitet nga bastisja, sekuestrimi, marrja, konfiskimi, shpronësimi, qasja publike ose nga çdo formë tjetër e ndërhyrjes, qoftë me veprim ekzekutiv, administrativ, gjyqësor apo legjislativ”.

Specifikohet se arkivat janë pronë të dhomave të specializuara dhe mirëmbahen në një depo të caktuar jashtë Kosovës.