fbpx
angela merkel, CDU
Angela Merkel, CDU

Gjermania kundërshton idenë për ndarje territoriale e për shkëmbim

Gjermania po kundërshton idenë për ndarje territoriale apo për shkëmbime territoresh, një iniciativë në të cilën, si kanë raportuar mediat vendore , janë përfshirë liderët shqiptarë, si Edi Rama, Hashim Thaçi e Ali Ahmeti. Asnjeri nga të liderët e apostrofuar nuk është prononcuar dhe nuk ka konfirmuar se “është i përfshirë në këtë iniciativë”.

Përmes një komunikimi me mediat, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se e mbështet pa rezervë integritetin territorial të Kosovës , kurse lojërat për ndarjen e territoreve i konsideron shumë të rrezikshme.

“Gjermania mbështet pa rezervë integritetin territorial të Kosovës. Lojërat me mendime rreth ndarjes të territoreve sipas përkatësisë etnike i konsiderojmë të rrezikshme, prandaj i kundërshtojmë. Këtë e kanë dëshmuar në mënyrën më tragjike konfliktet e fundit të armatosura në vitet 90” thuhet në komunikimin e Ambasadës Gjermane.

Sipas burimeve të Gazetës Express lidershipi kosovar, në krye me Hashim Thaçin, ka mundësi që idenë e tyre, e cila ide është më shumë e Beogradit se sa e tyre, e kanë prezantuar edhe në SHBA, në takimet që zhvilluan me këshilltarët e Presidentit Donald Trump, por edhe me drejtorin e CIA.

Fuqitë e Mëdha në vitin 2005, të njohura si Grupi i Kontaktit (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia), kur kishin vendosur 6 parimet për zgjidhjen e statusit final të Kosovës kishin kundërshtuar fuqishëm ndarjen.

“Çdo zgjidhje e cila është e njëanshme apo rezultat i dhunës nuk do të pranohet. Nuk do të ketë ndryshim të territorit të tashëm të Kosovës, ndarje të Kosovës apo bashkim të Kosovës me cilindo shtet apo pjesë të ndonjë shteti. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht”, thuhej në njërën prej pikave të Grupit të Kontaktit.

Për idenë e ndarjes fillimisht kanë lobuar grekët ndërkohë që ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i involvuar edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vucic. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qenë në pushtet Sllobodan Milloshevic ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.

Ideja për ndarjen e Kosovës si projekt është promovuar më së shumti në Beograd nga elita e atjeshme politike si shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiq, i cili e kishte elaboruar publikisht idenë e tij për ndarjen e Kosovës, si zgjidhje të përhershme të konfliktit shqiptaro-serb. E njëjta ide po promovohet së fundmi edhe nga Ministra të Qeverisë së Serbisë si Ivica Dacic dhe Aleksandar Vulin.

Gjermania është një nga shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ideja për ndarje territoriale e shkëmbime territoresh është intensifikuar në diskursin publik, pikërisht tash kur Kosova pret të shënojë dhjetë vjetorin e pavarësisë, e cila u shpall më 17 shkurt 2008.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!