Ballina / BOTA / Gjermani Beyer emërohet raportues i Këshillit të Evropës për Kosovën

Gjermani Beyer emërohet raportues i Këshillit të Evropës për Kosovën

Të enjten Komiteti për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, emëroi zotin Peter Beyer, nga Gjermani, si raportues për Kosovën.

Emërimi i tij u bë mes debatesh që kishte nxitur në Kosovë kandidatura e të dërguarit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksei Kondratev, për këtë post.

Autoritetet në Kosovë kishin paralajmëruar se do të refuzonin çdo bashkëpunim me të nëse do të zgjidhej, ndërsa mbi 40 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i bënë thirrje Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit për Çështje Politike që të mo e bëjnë një gjë të tillë. Reagimet kundër kandidatit rus iu referuan njoftimeve të pakonfirmuara të medieve lokale se ai ishte përfshirë në një incident në Kosovë në vitin 2001, kur shërbente si pjesë e kontingjentit rus në kuadër të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës është organizata kryesore evropiane që për të drejtat e njeriut në kontinent dhe përbëhet nga 47 vende anëtare.

Raportuesi i ri për Kosovën, Peter Beyer është deputet i parlamentit gjerman nga radhët e demokristianëve të kancelares Angela Merkel.

Ai njihet për qëndrimet e tij kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe ka bërë thirrje më herët gjatë këtij viti që Bashkimi Evropian të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, pak pasi që Shtetet e Bashkuara emëruan zotin Matthew Palmer si përfaqësues të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Emërimi i tij u mirëprit në Kosovë. Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, uroi që “ky vendim të jetë një rifillim i mbarë i angazhimit evropian në Kosovë, me qëllim të avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit të plotë në familjen evropiane”.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e cilësoi lajm “fantastik” emërimin e zotit Beyer.

“Gjermania është partneri më i rëndësishëm strategjik dhe mbështetës i madh i Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Kosova e ka dëshmuar dhe do ta dëshmojë se është bartëse e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”, shkroi ai.

Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës por ka statusin e vëzhguesit ne Asamblenë parlamentare të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.