fbpx

Gjeopolitika, epoka Biden dhe Kosova

Tenxherja politike e Kosovës për shkak të vogëlsisë së saj, lehtë ka marrë valë, por vështirë të ftohet.

Shkruan: Hysen Gecaj

Komponentët e kimisë politike të pasluftës u bënë një përzierje e keqe, e cila vështirë se mund të fisnikërohet dhe të japë produktin e duhur politik në interes të Kosovës.

Në periudhën e pasluftës ,Kosovës iu ofrua mundësia për një konsolidim të mirfilltë të institucioneve shtetërorë edhe në rrethanat e mbikqyrjes nga ana e UNMIK-ut, mirëpo kjo nuk u shfrytëzua nga lidershipi i Kosovës. E tëra ndodhi nga mosdija dhe mosndërgjegjësimi në rrethanat e reja, si dhe amullija nën euforinë e lirisë së fituar, pa e kuptuar se shteti kërkon përgjegjësi.

Periudha që nga viti 2013 e deri më tani është dashur që këtyre politikanëve, dikur të papërvojë, që t’ua hapë sytë dhe të kuptojnë se koha po ikën dhe se situata brenda e jashtë vendit ndryshon, me shumë mundësi për të keq dhe në dëm të Kosovës.

Do të ketë periudha dhe momente që mund të paraqesin një mundësi të mirë për rikthim në normalitet, por me matematikat personale të këtyre politikanëve që i kemi sot, është e vështirë që të besohet se do të kemi një forcim të shtetit, stabilitet politik dhe ekonomik, si dhe siguri solide.

Logjika e këtyre politikanëve të paaftë vështirë ta kuptojnë se Kosova ekziston në kuadër të interesave të Fuqive të Mëdha dhe se për fatin e saj vendosin vetem ata, prandaj nuk shohin pse duhet të punojnë seriozisht përveç se të vjedhin dhe zhvatin këtë shtet në interes të tyre personal.

Është e vërtetë që në aspektin e gjeopolitikës ndërkombëtare Kosova është vend i vogël në emër të të cilit për çështje të mëdha vendosin të mëdhenjtë, porse, sa jemi në gjendje ne si Kosovë që në këtë situatë të përfitojmë,varet nga një lidership i përgjegjshëm Kosovarë, të cilin nuk e kemi.

Ne nuk mund të vendosim (deshtëm ne, ose jo) për kufijt e jashtëm të Kosovës, sepse kjo prek gjeostrategjinë dhe gjeopolitikën ndërkombëtare, mirëpo ne mund të tregohemi seriozë në menaxhimin e politikës së brendshme, e cila sigurisht që sadopak do të ndikonte edhe në politikën ndërkombëtare, së paku në fitimin e respektit dhe tërheqjen e vëmendjes për të mirë. Do të krijohej klimë sigurie për investime të huaja, të dobishme për Kosovën.

Fatkeqësisht, neve po na ndodh e kundërta. Për çështjet të ndryshme, liderët tanë kanë qëndrime tejet jostabile, jo të balancuara dhe joserioze, si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit. Deklarata populiste që në brendi, për substancë, kanë gënjeshtrën dhe mburracakërinë, pastaj sjelljet të njëpasnjëshme skandaloze edhe në rrafshin ndërkombëtarë, siç ishin, fjala vjen, ndalesa nga ana e ministres Haradinaj-Stublla, për politikanët serbë që të hyjnë në Kosovë, pa kërkimfalje për gjenocidin, që ata kanë bërë në Kosovë, derisa në anën tjetër është nënshkruar marrëveshja për lëvizje të lirë mes Kosovës dhe Serbisë.

Letra e Albin Kurtit për zv.presidentin amerikan, Mike Pence, ku ky i fundit i ankohet atij për çështje të cilat vetëm një amator politik mund t’i bëjë, duke patur parasysh që peshën e atyre problemeve, të cilat i përkasin rrafshit të brendshëm, të cilat do të duhej të zgjedheshin nga vetë politikanët e Kosovës.

Jo vetem amerikanët, por të gjitha shtetet e interesuara, i dinë në detaje lojërat e ndyra politike të politikanëve tanë, prandaj është qesharake që t’u ankohemi miqve tanë ndërkombëtarë për papjekurinë tonë politike.

Shikuar nga veprimet e politikanve tanë në politikën e brendshme, kemi situatë tejet të rënduar, një pjesë edhe me vetë fajin e ne qytetarëve, të cilët kemi lejuar instalimin e njerëzve të papërgjegjshëm në strukturat politike e shtetërore të Kosovës.

Nëse i referohemi klimës politike në arenën ndërkombëtare, Kosova është në një situatë shumë të favorshme për momentin, mirëpo mungesa e një lidershipi vendor të paaftë nuk jep shpresë në shfrytëzimin e situatës së volitshme ndërkombëtare për Kosovën. Situata të këtilla të favorshme nuk vijnë shpesh në historinë e kombeve, prandaj kjo garniturë politike kosovare mbartë përgjegjësi historike mbi supet e veta.

Fakti që Biden, mik i madh i Kosovës doli fitues i zgjedhjeve në SHBA, është tejet me rëndësi, sepse edhe grupi i lobuesve rreth zonjës Ollbright dhe afërsia me Biden, por edhe deklaratat e këtyre të fundit për Kosovën, janë tejet kurajuese dhe shpresëdhënëse. Natyrisht që interesat gjeostrategjike amerikane janë në favor të Kosovës, por edhe një lidhje emocionale e z.Biden dhe Znj.Ollbright me lobuesit për Kosovën janë garancë shtesë për zgjidhjen e drejtë përfundimtare të armiqësive Kosovë-Serbi.

Politikanët kosovarë duhet të nxitojnë dhe të kapin këtë momentum, sepse pretendimet ruse e kineze në Ballkan paraqesin rrezikun më të madhë për Kosovën dhe këto interesa ka mundësi të rregullohen ashtu që superfuqitë të mbeten të kënaqura, deri diku edhe Serbia, por Kosova nuk do të ishte siç duhet të jëtë, shtet i kompletuar.

Rusia po i rritë kapacitetet e veta ushtarake, duke ndihmuar Serbinë në armatim, çka për ne paraqet rrezik, sepse humbja e veriut të Kosovës më një aneksim eventual nga Serbia, Kosovën do ta dëmtonte shumë, përderisa interesat e Fuqive të Mëdha nuk dëmtohen, sepse, për ta, ajo pjesë nuk paraqet asgjë, që për Serbinë shëndrrohet në fitore, ndërsa për Kosovën është humbje e pariparueshme, sepse, automatikisht, edhe Presheva ,Bujanofci e Medvegja do të humbisnin përgjithmonë për Kosovën.

Është fatbardhësi që Rusia, përkundër forcimit ushtarak, nuk ka resurse të mjaftueshme ekonomike dhe logjistike për ushtrinë e saj. Dihet se një ushtri sado e fortë teknikisht dhe profesionalisht, në situata lufte dështon, sepse ekonomia nuk mund ta mbështes e kjo sjellë edhe dështimin politik. Ky zinxhir Ekonomi, Politikë dhe Forca të Armatosuar janë të kushtëzuar njëri me tjetrin, prandaj cilado hallkë që mungon, rezultati është dështim .

Nëse flasim për Kinën, dihet se ajo ka një trend të zhvillimit ekonomik dhe ushtarak më stabil. Presioni dhe prezenca e saj në Ballkan është duke tentuar që të shtrihet përmes investimeve strategjike, mirëpo edhe për shkak të gjeografisë së saj, ndikimi i Kinës është më i vogël, pasi që këtu thyhen interesat amerikane, evropiane dhe ruse para atyre kineze.

Kosova nuk fiton me pritje, asaj i duhet secilin sekond ta kthejë në favor të tij që ta shfrytëzojë dhe në këtë mënyrë të dërgojë mesazh tek miqtë dhe armiqtë se Kosova është shtet i konsoliduar, se politika dhe ekonomia e saj janë stabile dhe se nuk ka korrupcion dhe nepotizëm.

Në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë nuk duhet të llogarisim në pafundësi në mbështetjen e NATO-s, por duhet t’i forcojmë resurset tona ushtarake dhe policore, sepse çdo lëvizje në politikën ndërkombëtare mund të çojë në ndryshimin e misionit të KFOR-it në Kosovë dhe me këtë edhe rrezikimi fizik i Kosovës.

Kjo është ajo që politikanët tanë duhet ta mendojnë dhe t’i lënë politikat e lagjeve dhe krahinave për interesa personale. Lavdia dhe turpi historik janë duke u ballafaquar mbi supet e tyre. Ata mund të vendosin se çka do t’u dhurojnë pasardhësve të tyre, turpin apo lavdinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.