Ballina / KURIOZITETE / Gjeniu i harruar Charlie Chaplin
charlie chaplin

Gjeniu i harruar Charlie Chaplin

I fshinte mëngët me Stravinskyn dhe ëndërronte në gjumë një muzikë të bukur filmi. E pse dimë aq pak për aferën e dashurisë të Chaplinit me muzikën? Shkrimin e gazetares Ariane Todes, ua sjellim më poshtë.

Mund të duket e çuditshme të thuhet se një nga artistët më të famshëm në botë është i nënvlerësuar. Por, Charlie Chaplin është i nënvlerësuar. Jo si komedian, aktor apo si regjisor, por si kompozitor. Shumica e njerëzve i njohin temat muzikore “Smile” (Buzëqeshja), “Eternally” (Përjetësisht) dhe “This Is My Song” (Kjo është kënga ime), por nuk e dinë se Chaplini i ka shkruar ato për filmat “Modern Times” (Kohët moderne), “Limelight” (Në qendër të vëmendjes) dhe “A Countess from Hong Kong” (Kontesha nga Hong Kongu). Adhuruesit e dinë se nga filmi “City Lights” (Dritat e qytetit) i vitit 1931 e tutje, ai e kompozoi muzikën për të gjitha filmat e tij dhe se si i moshuar ka shkruar muzikën për filmat më të hershëm. Megjithatë, nuk përmendet asnjëherë në diskutimet e kompozitorëve të filmit dhe në një sondazh të kohëve të fundit të Radio Times-it mbi kolonat zanore filmike, emri i tij nuk përmendet fare.

Kjo mund të ndryshojë këtë vit. Shumë nga festimet që shënojnë 130-vjetorin e lindjes së Chaplinit, janë të përqendruara edhe në muzikën e tij.

Pasioni i tij për muzikën nisi si djalë i ri, kur dëgjoi një melodi me harmonikë dhe klarinetë në një pijetore në Kennington të jugut të Londrës, siç shkroi vet në një memoar të vitit 1922, “Udhëtimi im jashtë”: “Bukuria e asaj muzike ishte si mister i ëmbël… dija vetëm se e doja dhe se nderohesha teksa tingujt barteshin nëpërmjet trurit drejt zemrës sime”.

Si djali i artistëve skenikë, këndoi për herë të parë në moshën pesëvjeçare. Si adoleshent, mësoi vet violinën dhe violonçelin. Stan Laurel, që performonte me të kur ishin pjesë e trupës së Fred Karnos më 1910, ka thënë: “E merrte violinën kudo që mundte. I kishte telat në anën e kundërt, që t’i binte me të majtën dhe ushtronte me orë të tëra. Merrte edhe violonçelin me vete. Në ato kohë, vishej gjithmonë si muzikant…”!

Chaplini vazhdoi të luante violinën e tij edhe kur u bë yll në Hollivud. Gazetari Charles Lapworth shkroi në vitin 1918: “Është e pazakontë nëse Charlie nuk e merr violinën dhe harkun dhe të shoqërojë ndjesitë tua me një obligato të klasikëve”.

Incizimet nënkuptonin fundin e filmave pa zë që e bënë Chaplin yll, por kjo i dha atij mundësinë për të kompozuar muzikën e filmave të ardhshëm. Dhe, çfarë kolona zanoresh janë ato: plot melodi të hijshme, me tempo dhe kontrast perfekt që i bëjnë komeditë e tij prekëse; me përdorim të gjerë të motiveve dhe ndikimeve që sjellin shumëllojshmëri begatuese. Ky ishte njeriu që megjithatë fama e lejoi rrinte me emrat si Debussy, Schoenberg dhe Rahmaninov, dhe që pothuajse e shkroi një operë me të madhin Stravinsky.

Teknikisht, ai nuk mund të lexonte ose të shkruante notat. Por, e përshkroi procesin e shkrimit të tij si “la-la-la” tek aranzhuesi. David Raksin, i cili ka punuar me Chaplinin në filmin “Modern Times”, ka thënë: “Shumë pak gjëra ikin nga syri ose veshi i tij. Kishte sugjerime jo vetëm për temat dhe përshtatshmërinë e tyre, por edhe për mënyrën se si duhet të zhvillohet muzika”.

Kishte mësuar se muzika mund të ndikonte në aspektin emocional ose komik të temës: “U përpoqa të kompozoj muzikë elegante dhe romantike për të konceptuar komeditë e mia, ndryshe nga karakteri i Endacakut, sepse muzika elegante i dha komedive një dimension emocional”, shkroi ai në autobiografinë e tij. “Aranzhuesit donin që muzika të ishte qesharake. Por… kam dashur që muzika të jetë një kundërpeshë e varrit dhe hijeshisë, për të shprehur ndjenjat”.

Ai me siguri se kishte vesh për melodi të mirë (thoshte se i kishte ëndërruar në gjumë) dhe violinisti Philippe Quint i ka përzgjedhur ato në një CD. Quint u rrit duke shikuar filmat e Chaplinit në ish-Bashkimin Sovjetik, në vitet 1980.

“Kishim vetëm tri kanale. Shumica transmetonin takimet qeveritare. Sa i përket filmave, gjithçka ishte censuruar, por Chaplini ishte ndryshe – i lëshonin filmat e tij gjatë gjithë kohës”, thotë ai. “Gjithkush flet për të si një komik i madh, por nuk dëgjojmë për të si regjisor, producent dhe skenarist i madh, dhe se muzika e tij ishte faktor i rëndësishëm. Muzika rrëfente histori në filmat e tij”.

Rezultatet e tij janë plot referenca, që nga Debussy, Brahms dhe Elgar. Quint tregon se sa shpesh Chaplini i bënte homazh Gershwinit, duke vënë në dukje se skena e anijes që lundron te “Modern Times” preket me veprën “Rhapsody in Blue” (Rapsodia në të kaltër). Quint nuk ka kohë të merret me ata që e refuzojnë muzikën e tij, duke e cilësuar si sentimentale: “Një rus do të thoshte: Çfarë ka të keqe me këtë? Tchaikovsky ishte sentimental, gjithashtu! Gjithçka është për dashurinë. Chaplini ishte një njeri i dashur që donte të binte në dashuri. Sigurisht se këngët e tij janë sentimentale”.

Dhe, natyrisht, shumë nga momentet kulmore të Chaplinit përfshijnë instrumentin e tij.

“Violina në filmat e tij gjithmonë përfaqëson momentin më emocional, duke filluar me temën e vajzës me lule te ‘City Lights’… ishte instrumenti i zemrës së tij”, thotë Quint.

Por, ka shumë më shumë te muzika e tij se sentimenti. Mendoni për disa nga skenat e tij më ikonike: kur Vogëlushi, i luajtur nga Jackie Coogan, ndahet nga Endacaku përmes autoriteteve; apo kur Endacaku ballafaqohet sy më sy me vajzën me lule në fund të filmit “City Lights”; apo momenti kur pa dëshirë përfshihet në marshin e punëtorëve te “Modern Times”. Emocioni gjithmonë nxitet nga muzika e tij, duke dëshmuar ndjesinë e tij për temë, strukturë dhe tempo.

Chaplin ka fituar tre çmime Oscar. Në mbrëmjen e parë të Akademisë, në vitin 1929 iu dha një statujë speciale për filmin “The Circus” dhe, në vitin 1972, 20 vjet pas largimit të tij nga SHBA-ja nga akuzat se ishte komunist, u kthye për të marrë një Oscar nderi në një ovacion 12 minuta të gjatë. Por, i vetmi Oscar që fitoi si i nominuar ishte për filmin “Limelight” në vitin 1973 – për muzikën më të mirë (filmi i vitit 1952 u shfaq tek në vitin 1972).

Ndoshta me festimet për 130-vjetorin e Chaplinit, bota do të vlerësojë një aspekt tjetër të gjenialitetit të tij.

Provo po ashtu

Magjia e ‘Infinite cave’

Pamja që po e shihni, është mrekullia e shpellës së zbuluar para disa vitesh në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.