Ballina / Kulturë / Gates: miliarda njerëz jetojnë të zhytur në pabarazi
bill gates

Gates: miliarda njerëz jetojnë të zhytur në pabarazi

Kushtet e jetesës janë përmirësuar së tepërmi që nga viti 2000 edhe për njerëzit më të varfër të botës. Megjithatë, miliarda njerëz vazhdojnë të jenë të mbërthyer “në shtresat e pabarazisë”.

Ky është vlerësimi i raportit të tretë vjetor të Fondacionit Bill & Melinda Gates, për progresin drejt Objektivave të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Ato janë 17 masa për të cilat shumica e vendeve kanë premtuar t’i ndërmarrin deri në vitin 2030. Bill Gates thotë se përpjekjet e këtyre vendeve nuk po dalin me sukses.

Megjithë përparimin që po bëjmë, ende 10% e fëmijëve në shumë vende të botës vdesin përpara se të bëhen 5 vjeç. Në vendet më të pasura kjo bie në më pak se 1%. Pra, fakti se diku në botë ky nivel (vdekshmërie) është ende 10%, shpesh edhe 15%, është revoltues dhe duhet të na zgjojë të gjithëve që të bëjmë punë më të mirë”, i tha Bill Gates Zërit të Amerikës.

63-vjeçari filantrop, që themeloi kompaninë Microsoft, u ul për të biseduar me Zërin e Amerikës në zyrat e fondacionit, përpara se të qarkullohet raporti që përkon me fillimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Raporti i këtij viti përdor gjeografinë dhe gjininë si kriter për të ekzaminuar progresin, në veçanti për sa i përket shëndetësisë dhe arsimit.

Raporti konstatoi “një përqëndrim gjithnjë në rritje të nivelit të lartë të vdekshmërisë dhe të nivelit të ulët të arsimit” në rajonin Sahel të Afrikës, si dhe në pjesë të Pakistanit, Afganistanit dhe Indisë së veriut. Njerëzit në këto rajone përjetojnë “disavantazhe të shumta, të shoqëruara me nivelin më të lartë të fertilitetit në botë, kufizime të mëdha dhe vaksinim të pakët”, thuhet në raport.

Disavantazhet ndikojnë më shumë tek gratë, se tek burrat. Vajzat arsimohen përgjithësisht më pak se djemtë; në Afrikën Nën-Sahariane vajzat përfitojnë mesatarisht dy vite më pak arsim se djemtë. Edhe kur vajzat marrin një arsim të mirë, kanë më pak gjasa ta përkthejnë në punësim të paguar. “Globalisht, ekziston një boshllëk prej 26% mes burrave dhe grave për pjesëmarrje në klasën punonjëse”, thotë raporti.

Monitorimi i progresit në këtë drejtim përputhet me angazhimet e Fondacionit Gates, ku përfshihet përmirësimi i shëndetit publik dhe nxitja e zhvillimit në vendet me të ardhura të ulëta. Fondacioni ka shpenzuar miliarda dollarë që nga viti 2000, për përpjekjet për vaksinim dhe ushqim më të mirë, luftimin e malaries dhe sëmundjeve të tjera, dizenjimin novator të tualeteve për të përmirësuar higjenën, si dhe mbledhjen e të dhënave më të sakta për të identifikuar problemet.

Siç vë në dukje faqja e lajmeve Vox, Fondacioni Gates shpenzon në vit më shumë për shëndetin publik se Organizata Botërore e Shëndetësisë, apo shumica e vendeve të botës. Sipas faqes në internet, fondacioni ka krijuar fondin më të madh në botë, me rreth 46.8 miliardë dollarë të llogaritura dhjetorin e kaluar.

Kjo ka sjellë disa pikëpyetje rreth rolit të filantropisë për zhvillimin.

Miliardat e dollarëve të disponueshme për Gates, Rockefeller dhe Wellcome, mund të shpenzohen për qëllime të mira, por ato japin pushtet të tepruar. Një pushtet pa llogaridhënie”, shkruajti drejtori i komunikimeve për kompaninë Wellcome, Mark Henderson, në një artikull javën e kaluar. Ai gjithashtu njoftoi se kjo organizatë bamirësie me seli në Londër, e dyta në botë pas fondacionit Gates, do të shtojë transparencën e saj.

Provo po ashtu

Profesori i Oksfordit akuzohet se shiti pjesë të lashta të Biblës

Një profesor i Universitetit të Oksfordit është akuzuar se i ka shitur fragmente të lashta …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.