tome gashi avokat

Gashi: Haradinaj ndodhet në Hagë si i dyshuar për pengim të drejtësisë

Avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, thotë kreu i organizatës, Hysni Gucati, dhe nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, janë në Hagë aktualisht.

Sic tregon avokati Gashi, dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëe të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pritet të dalin së shpejti para gjyqtarit të procedurës, derisa dyshohen për pengim të drejtësisë.

“Që të dy janë të dyshuar për pengim të drejtësisë, që të dy janë në Hagë. Së shpejti, do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake i cili do të vendosë për caktimin e paraburgimit apo jo. Megjithatë nuk dihet kur (dalin para gjyqtarit)”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se për herë të fundit me Haradinajn ka kontaktuar mbrëmë rreth orës 18:00 nga Selia e EULEX-t në Fushë Kosovë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj është arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

Në njoftim thuhet se pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Nasim Haradinaj është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Nasim Haradinajt para gjykatësit do të njoftohet më vonë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë edhe sqarime rreth arrestimit të nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt, thotë se arrestimi u krye se ka fletarrest ndaj Haradinajt dhe se policia e Eulex-it veproi sipas mandatit të saj.

Nasim Haradinaj u arrestua dje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në.

Ndryshe, dje hetuesit e Speciales kanë kryer një bastisje në zyrat e OVL-UÇK-së, ku më pas kanë arrestuar kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.