Gara ShBA-BE për dialogun Kosovë-Serbi

Kosova politike këto ditë pati shkundje e lëkundje nga SHBA dhe BE me qëllim të fillimit më serioz të zgjidhjes së konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan: Hysen Gecaj

Reagimi i njëkohshëm i SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje,vuri paksa në siklet udhëheqjen kosovare, sepse një “garë” në mes të SHBA-së dhe BE-së për të marr përsipër udhëheqjen apo lehtësimin e dialogut Kosovë- Serbi i sjellë udhëheqësit kosovarë në dilemë se si të organizohen dhe si të reagojnë. Nga deklaratat e tyre vërehet besimi që ka udhëheqja, por edhe populli, në administratën amerikane dhe dyshimet në suksesin e BE-së, ndoshta me të drejtë, duke pasur parasysh që asnjë zgjidhje e konflikteve në ish-Jugosllavi nuk ka qenë e suksesshme pa administratën amerikane.

Dilema tani më është edhe më e madhe edhe për faktin se kësaj radhe BE del me një qëndrim dhe besim më të madh në vetveten duke pretenduar se ka bërë përgatitjet e nevojshme për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë e që, si rezultat, do të ketë një zgjidhje përfundimtare për Kosovën dhe Serbinë. Nga liderë të disa vendeve evropiane u përmend se Kosova është pjesë e Evropës prandaj duhet të mendoj për një bashkëpunim më të ngushtë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi. Deklarime të tilla të disa liderëve evropianë tingëllojnë paksa edhe si kushtëzim edhe si kërcënim për Kosovën, por edhe si garë kundrejt SHBA-së që të merret përsipër zgjidhja e konfliktit shumëvjeçarë Kosovë-Serbi.

Nga të dhënat e para del se edhe rruga dhe format e zgjidhjes së këtij konflikti (Kosovë-Serbi) dallojnë në mes të SHBA-së dhe BE-së, sepse derisa zoti Lajçak, si përfaqësues i posaçëm i BE-së, është duke hulumtuar terrenin dhe duke biseduar për modalitetet lidhur me lehtësimin e dialogut,SHBA ka një qëndrim ma ndryshe. SHBA është përcaktuar për një taktikë, e cila përmes arritjes së marrëveshjeve ekonomike Kosovë-Serbi të arrijë deri te momenti kur do të mbetet faza e bisedimeve apo aktit ceremonial të njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Një taktikë e tillë,besoj se zbutë emocionet e palëve të konfrontuara (sidomos asaj Serbe) pasi që një stabilizim i përgjithshëm në aspektin ekonomik do të bëjë të paarsyeshëm dhe parëndësishëm aktin formal të (mos)njohjes së ndërsjellë Kosovë – Serbi.

SHBA dhe BE kanë përputhje vetëm lidhur me nevojën e arritjes sa më të shpejtë të një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sa do të këtë sukses Kosova që të marr pjesë në këto bisedime mirë e organizuar?

Besoj se zhvillimet e nxehta politike gjatë qeverisë Kurti,pozicionimi i tij joadekuat në politikën e jashtme , konflikti politik i LVV-së me të gjitha partitë politike të Kosovës, si dhe shkarkimi i kësaj qeverie me një shumicë absolute të deputetëve pro rrëzimit të qeverisë Kurti, nxori edhe disa mësime për udhëheqjen politike të Kosovës. Fillimisht u bë një rikthim në gjendjen e para qeverisë Kurti të qëndrimeve për sa i përket politikës së jashtme e sidomos në raport me SHBA-në si dhe hetohet tendenca e zbutjes së fjalorit të ashpër ndërpartiak së paku në mes të LDK-së dhe partnerëve të koalicionit. Mbetet të shihet nëse ky trend i raporteve më të qeta në mes të liderëve do të vazhdojë edhe më tutje ose jo. Personalisht besoj që duke pasur parasysh se po hyjmë në një dialog, i cili në vetvete përmban një proces të komplikuar, gjuha e komunikimit do të jetë më e matur e këtu përjashtim mundë të bëjë LVV dhe AAK, të cilët në shumë raste nuk kanë llogaritur pasojat e dëmshme që i kanë sjellë vendit, por se janë përqendruar në përfitime personale dhe partiake. Nuk është se këtë gjë nuk e kanë bërë edhe partitë tjera në të kaluarën, por mund të them se LDK,PDK, dhe NISMA në këto momente e kanë kuptuar se është tepër e rëndësishme një gjuhë uniteti, së paku, për sa i përket dialogut me Serbinë.

LVV në asnjë rast nuk ka pasur një koncept dhe ide të qartë se si dhe në çfarë mënyre duhet reaguar në situata të rëndësishme dhe të ndjeshme për vendin, ndërsa AAK në pak raste edhe është tërhequr me qëllim që të tregohet më tolerante, por ka pasur edhe raste kur vendit i ka bërë dëme të pariparueshme me qëndrime tekanjoze e të cilat asaj i kanë sjellë vetëm përfitime të përkohshme ose asgjë.

Konsideroj se fitorja e LVV-së në zgjedhjet e vitit 2019 erdhi më tepër si rezultat i gabimeve të qeverive të mëparshme ndër vite, të cilat nuk arritën që ta kenë nën kontroll në kuptimin e luftimit të dukurive si korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi etj. Korrupsioni, nepotizmi dhe paperspektiva e qëndrueshmërisë ekonomike, e cila shkaktoi ikjen e rinisë jashtë vendi, u bënë aleatë i rëndësishëm i LVV. Besoj se LDK e PDK ,në veçanti, e kanë kuptuar rrezikun që paraqet një trend i tillë i udhëheqjes së vendit si në të kaluarën, prandaj do të bëjnë maksimumin që tani e tutje të menaxhojnë me korrektësi për aq sa munden, sepse përndryshe do të humbasin sërish në zgjedhjet e ardhshme.

Për popullin është i rëndësishëm ndryshimi pozitiv në jetën e përditshme, prandaj nëse LDK e PDK bëjnë hapa të gabuar në të ardhmen, prapë do ti humbin zgjedhjet pa marrë parasysh se mund të fitojë dikush i papërvojë në politikë. Një situatë e tillë hipotetike do të rrezikonte edhe dialogun e mundshëm dhe Kosova prapë do të sillej në një rreth vicioz.

Pa dyshim,gara në mes të SHBA-së dhe BE-së lidhur me gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme të raporteve Kosovë – Serbi, është duke u thelluar dhe përshtypja është se BE edhe kësaj here është vonuar për t’u treguar efikase dhe e suksesshme. Megjithatë kushdo që arrin stabilizimin e raporteve Kosovë –Serbi,do ta stabilizojë edhe Ballkanin dhe do të largojë ndikimin rus dhe kinez nga Ballkani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.