Ilustrim

Fundviti e gjeti Kosovën me 25.9 për qind papunësi

Shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit 2019 ishte 25.9 për qind, kurse shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.4 për qind.

Kështu thuhet në raportin “Anketa e Fuqisë punëtore, tremujori i katërt 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, shkalla e punësimit për këtë tremujor ishte 30.7 për qind.

“Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore, në tremujroin e katërt 2019 shkalla e papunësisë është 25.9 për qind. Papunësia më e theksuar është te femrat me 36.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 22 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.1 për qind”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Agjencia thotë se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

“Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.4 për qind. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të janë tregtia me 16 për qind, ndërtimtaria me 11.8 për qind, prodhimi me 11.7 për qind si dhe arsimi me 10.2 për qind, ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, vijon raporti.

ASK tregon se se 54 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.

Anketa ka pasur shtrirje në 428 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3,737 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.