Ballina / RAJONI / Fondet e PD për lobim, Ristani në Prokurori
partia demokratike shqiperi

Fondet e PD për lobim, Ristani në Prokurori

Në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani dha sot shpjegime pranë prokurorëve lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Një artikull i revistës amerikane “Mother Jones” si dhe të dhënat e publikuara nga kompania e lobimit Muzin Capitol ngrejnë paqartësira mbi këto fonde që kapin shumën e 675 mijë dollarëve në favor të PD. Ndërkohë që vetë Pd pranon se i ka paguar kompanisë Muzin Capitol vetëm 25 mijë dollarë.

Verifikimet e prokurorisë shqiptare lidhur me fondet e Partisë Demokratike nisën që në fund të muajit nëntor 2017 kur për herë të parë u bënë publike nga rrjeti ballkanik i gazetarisë investigative, Birn, financimet që kishte marrë kompania Muzin Capitol për aktivitetet në favor të PD. Çështja është rikthyer në vëmendje këto ditë pas një tjetër publikimi këtë herë nga revista amerikane “Mother Jones”. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, shpjegoi sot për mediat, pas daljes nga Prokuroria se kishte dëshmuar mbi pagesat e PD për lobim, duke shtuar se prokurorët sipas tij, kishin marrë indicje nga kontratat e publikuara në SHBA. Zoti Ristani ka theksuar se “PD nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se ajo “ka zbatuar me përpikëri kontratat”, ndërsa ka saktësuar se “të gjitha pagesat për këto kontrata janë kryer përmes rrugëve bankare”.

Sipas kompanisë ‘Muzin’, e cila plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë është e datës 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë kryer nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që është paguar nga Partia e tij. Dy të tjerat janë ato që mbeten ende të paqarta. Mbrëmë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, zoti Basha theksoi disa herë se PD, “ka paguar vetëm aq sa ka deklaruar dhe asgjë më shumë”.

Lidhur me kompaninë Biniatta Trade, zoti Basha mohoi çdo lloj lidhjeje, duke theksuar se në kontratën që kjo kompani kishte me Muzin Capitol, nuk përmendet fare Partia Demokratike. Por vetë Muzin Capitol ka shpjeguar në dokumentat e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë se me shumën 150 mijë dollarë ajo është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politike në Shtetet e Bashkuara”.

“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, këmbënguli disa herë mbrëmë zoti Basha, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. “Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Por ndërsa PD pranon që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj Muzon ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkrontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë.

Zëri i Amerikës i drejtoi Partisë Demokratike disa pyetje për të marrë informacion nëse kjo Parti kishte apo jo lidhje me Biniatta Trade e cila rezulton të ketë paguar 150 mijë dollarë për aktivitete në favor te PD, dhe si shpjegohet fakti që Muzin Capitol ka deklaruar se e ka marrë këtë pagesë për të kryer aktivitetet në mbështetje të PD? Nëse PD nuk ka qenë në dijeni, a ka kërkuar ajo shpjegime nga Muzin Capitol? Po ashtu Partisë Demokratike ju kërkua të shpjegonte se përse Muzin Capitol deklaron se 500 mijë dollarët janë paguar nga PD dhe jo nga fondi i mbledhur nga shqiptaro-amerikanët siç kishte deklaruar më herët kryetari demokrat Lulzim Basha si dhe nëse mund të jepte emrin/emrat e personit/personave apo organizatës që grumbulloi fondet dhe sa ka shpenzuar në total gjatë vitit 2017 për lobizëm në SHBA.

Në përgjigjen e PD theksohet se kjo parti “ka deklaruar çdo kontratë lobimi dhe këshillimi që ka pasur me kompani amerikane apo çdo kompani tjetër. I gjithë informacioni për këtë konsulencë është depozituar në KQZ dhe është informacion publik. Përmbledhtas, Partia Demokratike ka patur dy kontrata të veçanta lobimi dhe ka paguar 125 mijë dollarë amerikanë për dy kompani. Për Muzin Capital Partners, 25 mijë USD, dhe 100 mijë USD për “Barnes and Thornburg LLP”. Partia Demokratike nuk ka patur asnjë marrëdhënie kontraktuale dhe nuk ka bërë asnjë pagesë tjetër ndaj asnjë kompanie tjetër në lidhje me lobim në SHBA”.

PD vë në dukje gjithashtu se “në të gjithë aktivitetin e saj lobues ndërkombëtar, Partia Demokratike ka vepruar në përputhje me ligjet shqiptare dhe amerikane dhe asnjë veprim i saj nuk ka shkelur, në asnjë rast, asnjë ligj të asnjë vendi. Aktiviteti lobues i kryer në SHBA, si pjesë e kontratave lobuese të Partisë Demokratike, është gjithashtu rekord publik dhe mund të sigurohet lehtësisht. Partia Demokratike nuk është në dijeni të ndonjë shkelje nga kompanitë e lobimit, me të cilat ajo ka patur marrëdhënie kontraktuale”.

Në përgjigjen e saj ndaj pyetjeve të Zërit të Amerikës shprehet se “nuk mund të flasë dhe nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me veprimet e organizatave të tjera, përfshi kompanitë e lobimit, me të cilët ajo ka patur marrëdhënie kontraktuale. Të gjitha pyetjet tuaja që kanë të bëjnë me aktivitetin, raportimin dhe deklarimet e këtyre kompanive duhet t’u drejtohen direkt atyre. Gjithashtu, çdo verifikim i nevojshëm në lidhje me qëllimin dhe përmbajtjen e deklaruar të aktivitetit lobues, të paguar nga Partia Demokratike, mund të bëhet duke iu drejtuar direkt zyrtarëve amerikanë, me të cilët janë zhvilluar kontakte lobuese dhe është shkëmbyer informacion në këtë kuadër, përfshi Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë”.

Partia Demokratike përsërit gjithashtu qëndrimin e saj se “hedh poshtë në mënyrë kategorike çdo lloj lidhje direkte apo indirekte me interesa, individë apo kompani ruse” dhe se shkrimi në revistën “Mother Jones” sipas saj është bazuar “në akuza qesharake të servirura nga kryeministri Edi Rama” si një “përpjekje për largimin e vëmendjes publike nga skandalet e njëpasnjëshme të drogës dhe krimit, në të cilat është përfshirë qeveria”.

@Fluidi

Provo po ashtu

nikolla shpiriq

SHBA sanksionon nënkryetarin e partisë së Dodikut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vunë sanksione Nikolla Shpiriqit, anëtar i Parlamentit të Bosnje …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.