Flynn_InfoGlobi

Flynn pranon fajësinë për deklarata të rreme

Michael Flynn, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të President Donald Trump, pranoi fajësinë se ka gënjyer hetuesit federalë për kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Flynn u paraqit të premten në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit, ku pranoi akuzën se kishte gënjyer rreth një bisede private që kishte patur me ambasadorin rus në SHBA Sergej Kislyak.

Një dokument i gjykatës tregon se biseda ishte përqendruar te sanksionet kundër Rusisë të imponuara nga administrata e ish-Presidentit Barak Obama.

Pranimi i fajësisë nga zoti Flynn shihet si një tjetër shenjë se ai po bashkëpunon me një hetim të drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe rreth një bashkëpunimi të fshehtë të mundshëm të fushatës Trump me Moskën.

Sipas dokumenteve të palës akuzuese, në dhjetor 2016, zoti Flynn gënjeu Byronë Federale të Hetimeve, duke thënë se ai nuk i kishte kërkuar ambasadorit Kislyak që të shmangte përshkallëzimin e çështjes pas vendosjes së sanksioneve amerikane kundër Rusisë.

Në dokumente thuhej gjithashtu se zoti Flynn nuk tregoi të vërtetën kur tha se nuk i kujtohej që zoti Kislyak e kishte informuar se Kremlini kishte vendosur ta zbuste reagimin ndaj sanksioneve në përgjigje të kërkesës së bërë nga vetë zoti Flynn.

Gjenerali 58-vjeçar në pension u detyrua të japë dorëheqjen si këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit më pak se dy muaj pasi zoti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë. Dorëheqja erdhi kur u bë e qartë se ai nuk i kishte treguar të vërtetën nënpresidentit Mike Pence rreth kontakteve të tij me ambasadorin rus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.