Fjalimi i plotë i Mustafës në seancën e mocionit (dokument)

InfoGlobi ju sjell të plotë fjalimin e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa të prezentuar në seancën e mocionit të opozitës për mosbesim të qeverisë (10 maj 2017), seancë kjo që rezultoi me largimin e qeverisë, e më pas edhe shpërbërjen e Kuvendit.

Fjalimi i plotë i Mustafës

Mocioni i mosbesimit, përfshirë edhe deklarimin këtu që u dha sot, konsideroj se është një pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese. Është një tendencë që dobësitë, keqpërdorimet, dëmet të cilat janë krijuar nga qeverisjet e kaluara, përfshirë edhe nga disa individë që e kanë nënshkruar këtë peticioni, t’i mveshen kësaj qeverie. Kjo sjellje është e papranueshme, ajo mund të shërbej vetëm për larje të hesapeve politike, por faktet në asnjë rast nuk mund të ndryshohen.

Vlerësoj se peticioni ka për pasojë destabilizimin e vendit, përmes krijimit të mosbesimit në institucione dhe të krijimit të vakumit institucional, dhe po ashtu ka për qëllim fshehjen e adresave të përgjegjësve për aferat e dëmshme korruptive dhe dëmet shumëmilionëshe të parasë publike që i janë shkaktuar këtij vendi.

Faktet janë tjera, nga ato që jepen në peticion.

Të nderuar deputetë.

Ne jemi vendi me normën më të lartë të rritjes ekonomike në regjion; jemi vendi me pjesëmarrjen më të ulët të borxhit publik në bruto produktin vendor , jo vetëm në regjion por edhe në Evropë. Jemi vendi me policinë më të mirë në rajon, me sukseset më të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të luftës kundër drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore dhe vendi më i suksesshëm vitin e fundit në menaxhimin e migrimit.

Gjatë këtyre dy viteve jemi anëtarësuar në shumë organizata sportive e kulturore ndërkombëtare, në 14 federata sportive, në UEFA, FIFA, në 5 organizata ndërkombëtare të kulturës. Kemi pesë njohje të reja të shtetit tonë. Kemi fituar Kodin Telefonik shtetëror për herë të parë. Kemi krijuar kushte që ligjet e Kosovës të aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në qoftë se ndalemi në fusha të caktuara, mund të them se kjo Qeveri e ka marrë ekonominë me rritje ekonomike vjetore prej 1.2% dhe si rezultat i reformave për të cilat po flitet se nuk janë bërë si duhet, por janë bërë shumë mirë, përfshirë edhe reformat fiskale 1, rritja ekonomike në vitin 2015 dhe 2016 arrinë në 4% si mesatare vjetore dhe ka gjeneruar nga investimet private, që janë investime shumë të qëndrueshme dhe cilësore.

Kemi trashëguar borxhe të paparaqitura në buxhet kur e kemi marrë qeverisjen në shumë prej 140 milion euro. I kemi plotësuar të gjitha ato borxhe dhe e kemi rritur buxhetin për 400 milionë gjatë këtyre dy viteve si të hyra vendore.

Në anën tjetër ne ua kemi falë qytetarëve të Kosovës dhe bizneseve 400 milion euro si borxhe të vjetra, duke krijuar stabilitetin buxhetor, sepse edhe për përkundër kësaj ne e kemi rritur buxhetin gjatë këtyre viteve.

Kemi arritur marrëveshjen me FMN-në si një marrëveshje shumë të rëndësishme dhe nga kjo marrëveshje Kosova ka siguruar 700 milion euro për investime kapitale.

Kemi bërë Marrëveshje me institucionet financiare ndërkombëtare me qindra miliona euro, sic është FMN, Banka Botërore, Qeveritë e vendeve si është Franca, Gjermania, Hungaria, Komisionin Evropian, BERZH-in, Banka Gjermane për Zhvillim, dhe shumë të tjera. E gjithë kjo flet për kredibilitetin e kësaj Qeverie sepse askush nuk bënë marrëveshje me një Qeveri e cila nuk është kredibile dhe nuk është stabile.

Kjo Qeveri mund të them se e ka kthyer timonin ekonomik këtij vendi nga Turqia kah vendet perëndimore, duke siguruar relacione ekonomike, tregtare, e financiare me vendet perëndimore. .

Buxheti i Kosovës, për herë të parë ka arritur shifrën e 2 miliardë Euro.

Vetëm në vitin 2016 janë themeluar 10,500 biznese të reja dhe kemi me normën më të ultë të shuarjes së bizneseve në regjion. Kemi realizuar Fondin për Garantim të Kredive. Kemi katërfishim të bizneseve me pronarë të jashtëm dhe kemi dyfishim të bizneseve me pronare gra.

Investimet e huaja gjatë këtyre dy viteve janë 543 milion euro, kemi licencuar 8 zona ekonomike dhe kemi krijuar kushte për zhvillim ekonomik.

Kjo Qeveri ka vënë dialogun e drejtpërdrejtë me bizneset dhe të gjitha politikat ekonomike i kemi ndërtuar në partneritet me odat ekonomike, asociacionet e bizneseve dhe me çdo biznes individualisht.

Rritja e investimeve private ka gjeneruar 41.000 vende të punës në këto dy vite. Të gjitha këto vende të reja të punës kanë emër dhe mbiemër. Në bujqësi, po ashtu janë krijuar shumë vende të punës, kurse vetëm përmes punësimeve sezonale jashtë vendit janë punësuar 7500 vetë gjatë një viti.

Në tri javët e para të qeverisjes, jemi ballafaquar me problemin e Trepçës. Këtë problem, nuk ka pasur guxim dikush ta zgjidhë për 14-15 vjet më parë, por e kemi zgjedhur ne në këtë Kuvend bashkërisht. Në tetor të vitit të kaluar kemi nxjerrë ligjin për Trepçën, ky ligj ka përfshirë praktikat më të mira të qeverisjes së kompanive të tilla. Ky ligj e pavarëson Trepçën duke e bërë shoqëri aksionare, dhe ky ligj për herë të parë ju mundëson punonjësve që ata të jenë aksionarë të Trepçës. Kemi aprovuar, po ashtu, Ligjin për Investime Strategjike, si ligj tepër të rëndësishëm.

Sektorin e bujqësisë, e kemi përkrahur në masën më të madhe krahasuar me ndonjëherë pas luftës. Është arritur punësim në bujqësi, janë arritur investime në sektorin primar në bujqësi, kultura të reja bujqësore dhe zëvendësim i rëndësishëm i importe me produkte të brendshme. Eshtë nxitur dhe është arritur të mbillen dhe të punohen tokat që është me rëndësi të madhe.

Institucionet ndërkombëtare si: Banka Botërore, Freedom House, Heritage Foundation e shumë të tjera, për herë të parë në historinë tonë pas luftës, kanë raportuar për përmirësim të treguesve ekonomik të Kosovës.

Termocentrali Kosova e Re, për herë të parë është afër nënshkrimit dhe fillimit të ndërtimit. Ndërkaq, kemi kompletuar linjën e interkoneksionit me Shqipërinë. Janë dhjetëra projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe efiçencës në energji.

Kemi përfunduar 70% të të autostradës për në Shkup. Kemi filluar punimet në rrugën e Podujevës, dhe janë vazhduar punimet në rrugën e Pejës, Mitrovicës. Shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi i autostradës për Gjilan.

Në politikat sociale, për herë të parë kjo Qeveri ka siguruar pensionet për veteranët e UÇK-së dhe kemi arritur që këtë ta harmonizojmë me FMN-në.

Kemi rritur pensionet e kontribudhënësve prej 25 në 75%. Kurse ndihmat sociale i kemi rritur për 25%.

Kjo është Qeveria e parë që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, si marrëveshje të parë kontraktuale me BE-në.

Kemi aprovuar strategjinë e Agjendave të Reformave Evropiane. Kemi arritur marrëveshjen e parë kornizë për qasjen e Kosovës në Programet e BE-së. Është Marrëveshja me FRONTEKS-in si marrëveshje e parë e nënshkruar me një agjension të BE-së nga Ministria jonë e Punëve të Brendshme.

Kjo Qeveri ka arritur të përmbyllë 94 nga gjithsej 95 kritere për liberalizimin e vizave. Ka mbetur vetëm kriteri i fundit i ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Kemi arritur po ashtu ta përparojmë procesin e Berlinit dhe të përfitojmë nga ky proces.

Kjo Qeveri ka iniciuar dhe përmbyllur ciklin e ndryshimeve ligjore për pavarësimin e plotë të gjyqësorit dhe sistemit prokurorial.

Kemi shtuar buxhetin dhe kemi përkrahur maksimalisht iniciativat dhe projektet e sistemit të drejtësisë për forcimin e shtetit ligjor;

Kemi përkrahur projektet e Policisë për rritjen e efikasitetit të tyre në luftimin e krimit dhe vazhdojmë investimet në pajisjen e policisë me pajisjet moderne për lehtësimin e punës së tyre të përditshme. Kemi filluar edhe procedurat për blerje të helikopterëve.

Shkarkimet e personave me aktakuza dhe lufta kundër korrupcionit

Kemi bërë ndryshime ligjore në Ligjin e OSHP-së për të larguar njerëzit nën dyshim për përfshirje në afera korruptive dhe me procedura penale të iniciuara.

Kemi suspenduara dhjetëra zyrtar, deri në nivel ministrash, në momentin që kemi kuptuar zyrtarisht se janë ngritur aktakuzat ndaj tyre.

Kemi refuzuar te gjitha propozimet për emërime në postet qeveritare të individëve me aktakuza të ngritura.

Kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për angazhimin e kompanive të tyre për mbështetjen e procesit të rekrutimit dhe punësimit të zyrtarëve të larte publik dhe të emërimit të bordeve të kompanive publike. Gjatë emërimeve po zbatohen të gjitha kriteret ligjore dhe ato të meritës.

Për herë të parë, kemi filluar aplikimin e prokurimit elektronik me qëllim të zvogëlimit të mundësive të shpërdorimit dhe manipulimit me aktivitetet e prokurimeve.

Sa i përket korrupsionit, për herë të parë është shënuar përmirësim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Këtë e njohin edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare; Komisioni Evropian, Banka Boterore, Freedom House, Heritage Foundation.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se e kemi plotësuar kriterin e luftës kundër korrupsionit, si kriter për liberalizim të vizave.

Të nderuar deputetë,

Kjo Qeveri nuk ka pasur asnjë rast korruptiv.

Është diskutuar edhe për reformatimin e Qeverisë dhe në këtë aspekt janë bërë ndryshime të rëndësishme. Janë bërë ndryshime në emërimet e reja të dy zëvendëskryeministrave, ministrit të Punëve të Jashtme, ministres së Integrimeve Evropiane, ministres së Drejtësisë, ministrit për Kthim dhe Komunitete, ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ministrit të Pushtetit Lokal dhe disa zëvendësministrave.

Kjo Qeveri po ashtu ka trashëguar pasojat e disa parregullsive në të kaluarën.

Cilat janë këto parregullsi, të cilat fliten në opinion.

Është Z-Mobile.

Kontrata me Z-Mobile është lidhur në 16.01.2009. Secili pajtohemi se kjo kontratë ka qenë dhe është e dëmshme për PTK-në dhe për Kosovën. Nënshkruesit e kësaj kontrate do të duhej të ishin përgjigjur për lidhjen e kontratave të dëmshme. Pasojat e kësaj kontrate janë të njohura. E dini Ju dhe e dimë të gjithë, dhe siç e kam theksuar edhe më herët, kjo çështje i takon drejtësisë dhe apeloj tek organet e drejtësisë që të vazhdoj ta trajtoj, ta hetoj dhe përgjegjësitë t’i bëjë përpara.

Skandalin AXOS nuk do të ndoshte pa ndihmën e disa njerëzve nga këtu

AXOS-i

Procesin e tenderimit për AXOS e ka drejtuar Qeveria e kaluar dhe Kuvendi i kaluar. Ky proces ka dështuar në gusht 2013.

Qeveria që unë udhëheqi ka menaxhuar në mënyrën më të mirë pasojat e kësaj padie dhe me një kosto më të lirë të mundshme kemi siguruar mbrojtje profesionale të interesave të Republikës së Kosovës, përball një padie të pa drejtë, të pa bazuar.

Dua ta them se janë një numër i atyre që e ngrisin shqetësimin për AXOS-in, por që në fakt do të gëzoheshin në rast se AXOS do të përfitonte çfarëdo shumë nga kjo padi.

Është e njohur se AXOS ishte më shumë një mashtrim se sa në fakt investim, por assesi, nuk ka mundur që AXOS të bëhet pa disa njerëz nga këtu, të implikuar në interesat e përbashkëta me ta.

Afera e pasaportave

Pasaportat

Edhe rasti pasaportave, ishte një mashtrim dhe që mjerisht kishte një epilog skajshmërisht të dëmshëm për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët tanë. Është zhvilluar dhe udhëhequr si proces tenderimi në kohën kur ne nuk ishim në Qeveri, dhe as LDK nuk ishte përgjegjëse për këtë Ministri. Edhe koha e dështimit të këtij procesi, vjedhja e 1.5 milionëve, ka ndodhur në kohën kur nuk ishte kjo Qeveri.

Për më tepër, as procesi i selektimit të kompanisë për mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës nuk ka ndodhur në kohën e kësaj Qeverie.

Vazhdimisht kam ripërsëritur kërkesën për institucionet e drejtësisë, që të gjithë abuzuesit me paranë publike të përgjigjen pranë këtyre institucioneve, ata që me veprimin apo mosveprimin e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës..

Kësaj kërkese duhet t’i bashkëngjitet çdo deputet dhe jo peticionit, sepse paratë janë të qytetarëve tanë dhe ju keni detyrim t’i mbroni interesat e qytetarëve tanë. Drejtimi i gishtit për fajësimin e Qeverisë që unë udhëheq është tentim për të kamufluar realitetin dhe për të shpërblyer ata që kanë abuzuar me paranë publike.

Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës-Forcat e Armatosura të Kosovës, e gjithë infrastruktura ligjore gjatë mandatit të kësaj Qeverie është hartuar dhe përmbyllur për transformimin e FSK-së në FAK.

Për më tepër, është siguruar buxheti për të rritur investimet në pajisje, dhe për të siguruar avancimin profesional të pjesëtarëve dhe menaxhmentit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Që nga marrja e mandatit, në vazhdimësi janë mbajtur takimet me pjesëtarët e komuniteteve joshumicë për të siguruar mbështetjen e tyre për ndryshimet Kushtetuese, si domosdoshmëri për t’i hapur rrugë transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur.

Kuvendi nuk e procedoi Projektligjin për ushtrinë

Në koordinim me partnerin e koalicionit, të udhëhequr në atë kohë nga presidenti aktual i vendit, janë shqyrtuar edhe mundësitë tjera për themelimin e ushtrisë së Kosovës, respektivisht përmes ndryshimeve ligjore.

Ishte dakordim i përbashkët, që të shterohen të gjitha mundësitë para se të procedohet me alternativën e fundit. Kjo alternativë më vonë u iniciua nga Presidenti dhe Qeveria e përkrahu këtë.

Brenda afatit kohor, ministritë përkatëse kanë përcjell opinionet e nevojshme Kuvendit të Kosovës për procedim të ligjit.

Ky ligj sot gjendet në Kuvendin e Kosovës dhe ne shpresojmë që ai do të vazhdoj të trajtohet.

Ata që kërkojnë mosbesimin ndaj Qeverisë, sigurisht se janë pajtuar se inicimi i themelimit të ushtrisë nga Presidenti mbetet vetëm në sferën e protagonizmit, sepse shkuarja në zgjedhje të reja, eviton procesin e themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Të nderuar qytetarë,

Flitet këtu për vendime të mëdha që ky Kuvend dhe Qeveria janë treguar të pazonja që të marrin vendime të mëdha.

Qeveria deri më tani i ka proceduar Kuvendit 165 Projektligje.

Qeveria ka marrë vendime shumë të rëndësishme.

Qeveria ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në.

Qeveria ka miratuar Marrëveshjen për shënimin e vijës Kufitare me Malin e Zi.

Qeveria ka ndërmarrë reformat më të mëdha dhe më substanciale fiskale, të pranuara tërësisht nga bizneset.

Qeveria ka aprovuar programin Kombëtar të Reformave ekonomike.

Qeveria ka përgatitur Buxhetin prej mbi 2 miliardë euro për Kosovën.

Qeveria ka rritë pensionet dhe ndihmat sociale.

Qeveria ka përmbushur 94 nga 95 kritere për liberalizimin e vizave.

Qeveria ka përgatitur sigurimet shëndetësore, të cilat do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti.

Kjo Qeveri e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi dhe ka përgatitur Ligjin më të mirë për Trepçën.

Asnjë vendim i Qeverisë nuk është vonuar dhe nuk është marrë pa pajtimin e anëtarëve të Qeverisë, si qeveri e koalicionit.

Sa i përket vendimmarrjeve më të larta unë atë e adresoj te Kuvendi. Sepse asnjë mbledhje e kuvendit nuk ka filluar me kohë, ashtu siç nuk filloi edhe sot, sepse deputetët më shumë rinë në byfe sesa në sallë dhe Qeveria këtë nuk mund ta korrigjoj.

Problem është Kuvendi, ka deputetë që kanë probleme me ligjin

Në këtë Kuvend kemi shumë deputetë që kanë problem me ligjin dhe është pikëpyetje se si munden që për ligje të vendosin ata të cilët duhet të përgjigjen para ligjit.

Në Qeverinë time nuk ka njerëz të korruptuar, pa marrë parasysh nga cila parti janë;

Në Qeverinë time nuk ka ministra që kanë klientelën e tyre; pa marrë parasysh se cilës parti janë;

Në Qeverinë time nuk ka afera për asnjë individ.

Unë mburrem me njerëzit me të cilët kam punuar, janë njerëz të mirë, të dijshëm, nuk janë kriminelë, nuk janë banditë. Prandaj edhe na kanë gjuajtur me vezë, me gurë, me molotov, sepse ne s’kemi banda që na mbrojnë, por ne i nënshtrohemi institucioneve të Republikës së Kosovës, që institucione të marrin masat e tyre dhe ne jemi në duart e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Dhe, pa marrë parasysh epilogun e këtij mocioni do të dalim fitues. Jemi të suksesshëm, jemi të pastër dhe të drejtë. Dhe kjo do ta mbajë pastërtinë e këtyre anëtarëve të Qeverisë dhe kësaj Qeverie pa marrë parasysh se çfarë do të vendos ky në Kuvend. Unë edhe njëherë e them se jam shumë falënderues për bashkëpunëtorët e mi dhe e vlerësoj punën e tyre.

Ju faleminderit

(Mes titujt janë të redaksisë)

Lexo edhe:

Seanca e Kuvendit për rrëzimin e qeverisë – LIVE -VIDEO

Kryesia: Mocioni procedohet me 18 prill

LDK: Presidenti mblidhte vota për mocion

Delawie: Turp që partitë nuk tejkaluan diferencat (Video)

Apostolova: Zhvillimet e fundit kanë shtyer liberalizimin

Mustafa: Me Veselin u pajtuam që demarkacioni të futet pas mocionit

 Veseli Amerikës: Demarkacioni para mocionit

Demarkacioni e mocioni: Javë e sprovave të mëdha

Dorëzohet mocioni me 42 nënshkrime, për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota

Limaj me kërkesë për mocion ndaj Qeverisë

 

@infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.