Fjalimi i Nolit për Konicën në ditën e varrimit të tij

Shkrimtari, publicisti, editori, kritiku, diplomati Faik Konica ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1942. Për t’u përshëndetur me të jo për të fundit herë në Amerikë, sepse pas shumë vitesh eshtrat e tij zhvarrosen atje dhe sillen në Shqipëri, ishin mbledhur afër arkivolit të trupit të tij shumë atdhetarë shqiptarë, të cilëve për Konicën u ligjëronte Fan Noli kështu:

Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur këtu për t’ia bërë nderimet e fundit dhe për t’ia lënë lamtumirën birit më eminent të Shqipërisë, Faik Konicës, i cili ishte njëri nga pionierët më të njohur të pavarësisë shqiptare. ai padyshim ishte mjeshtri më i skalitur i prozës së shkruar. Ishte njeriu, i cili e rizbuloi Flamurin e vjetër të Skënderbeut. Këto janë tri karakteristika, të cilat as opozitarët më të egër nuk do të ëndërronin t’ia mohonin Konicës.

FLAMURI I SHQIPTARËVE: Më lejoni të them disa fjalë për flamurin e shqiptarëve. Siç e dini të gjithë, asnjë flamur i fqinjve tanë në Ballkan nuk është më i vjetër se një shekull e gjysmë. Disa prej tyre janë më të rinj se një shekull. Flamuri ynë është më se 500 vjet i vjetër ndoshta më i vjetër. Ishte ky flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, i cili luftoi kundër turqve për më se një çerekshekulli dhe ishte luftëtari i krishterë i fundit në Ballkan që me sukses i mposhti sulltanët e Turqisë. Pas vdekjes së Skënderbeut, fuqitë evropiane e lanë Shqipërinë pas dore që domosdo u nënshtrua. Shqipërisë, pastaj iu desh të rënkojë për nja 4-5 shekuj nën zgjedhën otomane. Gjatë asaj kohe flamuri i Skënderbeut ishte harruar. Askush nuk dinte për ekzistimin e tij deri në momentin kur një shkollar i ri e vendosi në një bibliotekë latine për Skënderbeun. Ai shkollar i ri ishte Faik Konica, dhe flamuri, me shqiponjën dykrenare, që tash e ka mbuluar arkivolin e Faik Konicës, është flamuri që ai e rizbuloi.

Shkollimi: Nga ajo që thashë mund ta merrni me mend se F. Konica ishte me shkollë të lartë. Pat studiuar në shkollat franceze dhe e mori diplomën e pjekurisë në liceun e Universitet të Francës. Më vonë magjistri në lëmin e Gjuhëve Romane të Universitetit të Harvardit. Diplomat nuk e kënaqën Konicën dhe kështu ai edhe më tutje lexoi shumë libra dhe çkado që lexoi nuk e harronte. Ai ishte enciklopedi e gjallë.

KARRIERA: në moshën 26-vjeçare fillon ta nxjerrë revistën ‘Albania’ në Bruksel, në gjuhën frënge e shqipe dhe kjo vazhdoi deri më  1910, kur Konica erdhi në SHBA. Revista e tij është muze i historisë, i letërsisë, i filologjisë dhe i folklorit shqiptar. Revista u shkruar me stil të bukur dhe kjo është vepra më e vlefshme që na ka lënë. Në bibliotekën Uiender të Universitetit të Harvardit gjendet koleksioni i veprave të F. Konicës ku mund të lexohen ato. Konica në Amerikë shërbeu si redaktor i gazetës ‘Dielli’ dhe kryetar i Federatës Shqiptare ‘Vatra’. Sa i përket punës së tij gazetareske ju të gjithë e dini se nuk ka qenë i shkëlqyeshëm, ngase ndonjëherë i zhytte penën në acidin e gurkalit të stilit të vërtetë francez, por tekefundit askush nuk është brilant, dhe kështu të kaluarat po i harrojmë. Më 1926, Mbreti Zog e emëroi Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë, detyrë që e  ushtroi deri në vitin 1939, vit fatal kur Shqipërinë e okupoi Italia.

AKTI I FUNDIT: Pasi që Italia e pushtoi Shqipërinë, Steit Departamenti i dërgoi letër Zotëri Konicës duke e lajmëruar se autorizimi si ministër i Shqipërisë nuk vlen më, ngase Shqipëria nuk ekziston me dhe se u mbyll Legata Shqiptare në Uashington. Ishte kjo politikë bindëse, por që nga viti 1939 gjërat kanë ndryshuar. Lufta, plasi, Musolini nuk u pajtuar por iu bashkangjit Gjermanisë dhe më në fund Përll Harbër (Pearl Harbor) e futi Amerikën në luftë. Dhe kështu shqiptarët, edhe pse të lënë anash, nuk e ndalën luftën kundër okupatorit italian. Në Shqipëri shqiptarët gjatë tërë kohës zhvillonin luftë guerile. Uashingtoni dhe Londra e panë se shqiptarët zhvillonin luftë të vërtetë dhe kështu paraqisnin ndihmesë për Kombet e Bashkuara. Dhe më 10 dhjetor Zotëri Kardël Hall (Cardel Hull), Sekretar Shtetëror, foli për trimërinë e luftëtarëve shqiptarë, të cilët ia sollën Shqipërisë përsëri pavarësinë nën Kartën Atlantike. Mbreti Zog e emëroi Zotëri Konicën përfaqësues në Uashington, dhe si kryetar i Qeverisë Shqiptare në mërgim kërkoi njohjen zyrtare të saj. Zotëri Konica, në emër të Mbretit Zog, i shkroi Steit Departamentit lidhur me njohjen e lartpërmendur dhe ky qe aktiviteti i tij i fundit. Pas disa ditësh, F. Konica vdiq dhe kështu nuk mori përgjigje prej Steit Departamentit, por ne e presim atë përgjigje dhe shpresojmë të na vijë si pozitive. Zotëri Hulli, në fjalën e tij historike të 10 dhjetorit, lidhur me çështjen e Shqipërisë tha: ‘Në pajtim me politikën e saj të vendosur që të mos pranojë sundimin territorial me dhunë, Qeveria e SHBA-ve kurrë nuk ka pranuar që Shqipëria t’i aneksohet Italisë’. Po qe se kjo ka ndonjë kuptim, atëherë do të thotë se SHBA-të e njohin Qeverinë e Mbretit Zog dhe jo mbretin e Italisë në krye të pushtetit shqiptar.

SHËNIM NDERI: Ekziston edhe një evidencë tjetër në favor të së cilës flet Stetit Departamenti. Qeveria amerikane ka vendosur që trupin e të ndjerit Konica ta dërgojë në Shqipëri menjëherë pas luftës. Një sjellje e këtillë bujare u kushtohet vetëm diplomatëve të huaj, të cilët vdesin gjatë mandatit. Kjo do të thotë se Zotëri Konicës është njohur si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare i cili vdiq gjatë mandatit të tij politik. Pra ne u shprehim mirënjohje të thellë sjelljeve bujare të Qeverisë Amerikane dhe e dimë se Faik Konica meriton një respekt të tillë. Ai meriton të varroset në Shtetin për të cilin punoi tërë jetën me nder. Dhe Zoti e përhiroftë duke ia falur parrajsën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.