Figura e Dioklecianit mes realitetit dhe transcendentimit

Në vitin 2017 në Split të Kroacisë u botua dhe u përurua libri “Dioklecijanov lik između realnosti i transcendencije, Artistički, ikonografski i sociološki aspekti“ (Figura e Dioklecianit mes realitetit dhe transcendentimit, Aspekte artistike, ikonografike e sociologjike).

Është kjo një vepër e rëndësishme nga fusha e arkeologjisë antike, autor i së cilës është Dr. Nenad Cambi (Kambi), profesor emeritus në Universitetin e Zarës, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë (HAZU), ekspert dhe njohës me famë botërore në fushën e arkeologjisë antike dhe autor i një sërë studimesh nga kjo fushë.

Autori në bazë të analizimit të përmendoreve e veprave të ndryshme artistike, siç janë portretet, skulpturat, relievet, hermat, freskat, portat triumfale, stelat, medaljonet, e mbi të gjitha të atyre publike zyrtare që ishin financiarisht mjaft të kushtueshme dhe punoheshin nga artistët dhe mjeshtrit më të mirë, si dhe mbi portretet perandorake nëpër monedha (të cilat punoheshin nga mjeshtrit kulminantë në Romë dhe me kallëpe të dërguara nga Roma nëpër provinca) dhe të artefakteve të tjera që janë gjetur ose ruhen në Split, brenda Pallatit të Dioklecianit, pastaj në vendlindjen e Dioklecianit Solin, në Hvar, Braç, Naronë, Zarë, Pulë, Zagreb, Dubrovnik, Sarajevë, Firencë, Venecia, Vjenë, Grac, Vatikan, Sirmium, Naissus, Zajeçar, Gamzigrad, Luksor, Aleksandri e Kajro, në Leiden, Avinjon, Kopenhagë e në një varg lokalitetesh të tjera ku janë gjetur e institucionesh në të cilët ruhen eksponatet e tilla bënë studimin e anës ikonografike dhe fizike, por edhe të aspekteve të ndryshme shpirtërore të perandorit Dioklecian. Vend të veçantë në këtë aspekt autori i ka kushtuar portretit reprezentativ të Dioklecianit të gjetur në vendlindjen e Dioklecianit, në Salonë, e i cili ruhet në Joanneum në Grac të Austrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.