Fëmijët e varfër kanë tru më të vegjël se të pasurit

Fëmijët nga familje me të ardhura më të ulëta kanë tru më të vegjël sesa ata me prejardhje të pasur, ka gjetur një studim i kryer në Shtetet e Bashkuara.

Hulumtuesit theksuan se lidhjet e gjetura nuk nënkuptojnë se varfëria e pengon zhvillimin e aftësive njohëse apo se fëmijët e varfër janë më pak inteligjentë.

Studimi, i udhëhequr nga hulumtues të Institutit Saban të Hulumtimeve të Spitalit të Fëmijëve në Los Angjeles dhe Qendrës Mjekësore të Universitetit të Kolumbias, në Nju Jork, analizuan më shumë se 1,100 njerëz mes moshave 3 deri 20 vjeçare, transmeton infoglobi.

Duke përdorur pyetësorë socio-ekonomik, matje të sipërfaqes së trurit dhe skanime MRI të rezolucionit të lartë, hetuesit nga nëntë universitete gjetën lidhje mes të ardhurave të një familjeje dhe strukturës së trurit.

Punimi i botuar në ‘Nature Neuroscience’ gjeti se korrelacioni ishte më i fortë në skajin e poshtëm të klasifikimit ekonomik, duke treguar kështu se fëmijët e familjeve që fitojnë më pak se 25,000 dollarë (22,000 euro) në vit kanë 6 përqind më pak sipërfaqe të trurit sesa ata të familjeve që fitonin 150,000 dollarë (135,000 euro) apo më shumë.

Elizabeth Sowell, që është pjesë e Institutin për Mendjen në Zhvillim të Spitalit të Fëmijëve, tha: “Derisa në asnjë mënyrë nuk nënkuptohet se rrethanat socio-ekonomike të fëmijës çojnë në ndryshime të përhershme të zhvillimit të trurit apo të aftësive njohëse, të dhënat tona sugjerojnë se një qasje më e gjerë në resurset që zakonisht janë të përballueshme për më të pasurit mund të çojë në ndryshime të strukturës së trurit të fëmijës.”

Ekipi gjeti se ndryshimet në sipërfaqen e trurit ishin më të dukshme në regjionet që kanë të bëjnë me gjuhën, leximin, funksionet ekzekutive dhe aftësitë speciale.

Udhëheqësja e ekipit, Kimberly Noble, profesoreshë e pediatrisë në Qendrën Mjekësorë të Universitetit të Kolumbisë, tha: “Veçanërisht, te fëmijët nga familjet me të ardhurat më të ulëta, ndryshime të vogla në të ardhura lidheshin me ndryshime relativisht të mëdha në sipërfaqe në disa regjione të trurit që kanë të bëjnë me aftësitë e rëndësishme për sukses akademik.”
Mes fëmijëve të familjeve me të ardhura të larta, rritje të vogla në nivelin e të ardhurave ishin të lidhura me ndryshime shumë më të vogla në sipërfaqe, dhe pasuria ishte gjithashtu e lidhur me performancë më të mirë në aftësi njohëse që pjesërisht mund të jetë rezultat i rritjes në sipërfaqe të trurit.

Dr. Sowell tha se niveli i të ardhurave ishte i lidhur me faktorë si ushqimi, shëndeti, edukimi dhe loja, duke shtuar se gjithçka në mjedisin e një fëmije formon zhvillimin e trurit të tyre.

“Hulumtimet në të ardhmen mund të adresojnë pyetjen se a mund ndryshimi i ambientit të fëmijës — për shembull, përmes politikave sociale që kanë për qëllim të zvogëlojnë varfërinë familjare — të ndryshojë për të mirë trajektoren e zhvillimit të trurit dhe aftësive njohëse,” shtoi ajo.

“Studimi ofron dy teori të mundshme rreth asaj se çfarë i shkakton lidhjet e dukshme — mungesa e ushqimit të mirë, sistemit shëndetësor dhe faktorëve të tjerë që ndihmojnë zhvillimin, dhe fakti se rritja e stresit në familje çon në një “stimulim të aftësive njohëse”.

“Korrelacioni nuk nënkupton shkaktim,” u deklarua Dr. Noble. “Ne mund të flasim për lidhjet mes edukimit prindëror dhe të ardhurave familjare dhe strukturën e trurit të fëmijës por nuk mund të themi me siguri se këto dallime janë shkaktojnë ndryshime në strukturën e trurit.”/infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.