Faza e tretë e lehtësimit të masave fillon me 28 maj

Faza e tretë e lehtësimit të masave do të nisë më herët se që ishte menduar.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për media, se nga e enjtja qytetarët do të mund të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga 5:00 deri më 21:00.

Po ashtu, ai ka thënë se nga e enjtja do të hapen edhe objektet fetare, si xhamitë e kishat.

“Ky është një sukses i përbashkët”, tha ai në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha.

Faza e tretë ishte planifikuar të niste më 1 qershor, por tash me vendimin e ri do të nisë më 28 maj. Kjo, për shkak të situatës së përmirësuar në terren.

Vitia ka folur edhe për hapjen e bizneseve, shkollave e çerdheve. Sipas tij, kjo mund të ndodhë në fazën e tretë që nis më 1 qershor, por paraprakisht do të bëhet një vlerësim i situatës epidemiologjike.

Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 1032 raste me COVID-19, janë shëruar 789 persona, ndërkohë kanë vdekur 29 persona.

“Gjatë këtyre muajve kemi siguruar buxhet shtesë në vlerë prej 70 milionë euro, nga qeveria, kreditorët dhe donatorët, jashtë buxhetit të ndarë në fillim të vitit. Këto mjete do të shfrytëzohen jo vetëm në luftën ndaj pandemisë, por edhe për ngritje të kapaciteteve. Në javët e muajt në vazhdim do të shtojmë pesë laboratorë rajonal për testim, do të trefishojmë numrin e respiratorëve, do të shtojmë numrin e aparaturave të monitorimit dhe trajtimit në të gjitha spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjareve”, ka thënë Vitia.

Aktualisht Kosova funksionon me vetëm një laborator, atë në kuadër të IKSHPK-së. Ndërkohë, respiratorë në gjithë sektorin publik shëndetësor janë më pak se 100.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.