Dr. Anthony Fauci

Fauci: Nga koronavirusi kanë vdekur më shumë njerëz se që u raportua

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha të martën se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është “pothuajse me siguri më i lartë” sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt.

Ai i tha një paneli të Senatit që po heton reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë se një numër i pa llogaritur i viktimave të koronavirusit, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, kanë vdekur në shtëpi pa u përfshirë zyrtarisht në numrin total të vdekjeve në nivel kombëtar, por nuk pranoi të spekulonte se deri ku mund të ketë arritur kjo shifër.

Dr. Fauci paralajmëroi se është “tërësisht e mundur” që pandemia “të mund të përkeqësohet” në Shtetet e Bashkuara në muajt e vjeshtës nga shtatori deri në nëntor, por tha se shpresonte që deri në atë kohë vendi do të “mund të merrej me të” më mirë se deri më tani.

Presidenti Donald Trump ka nxitur bizneset dhe guvernatorët e shteteve që të rihapin ekonominë më të madhe në botë dhe të gjithë guvernatorët, me disa përjashtime, kanë lëshuar ditët e fundit urdhra për rihapjen e disa dyqaneve, restoranteve dhe zyrave me kusht që ato të ndërmarrin masa për të plotësuar disa kushte paraprake.

Por Dr. Fauci, në dëshminë nga shtëpia e tij në periferi të Uashingtonit, tha se “ekziston një rrezik real se mund të ballafaqohemi me një shpërthim të parandalueshëm” nëse udhëzimet e qeverisë, që bëjnë thirrje për një rënie të qëndrueshme të numrit të rasteve për një periudhë dy javore, injorohen para se të ketë një rikthim në jetën normale në Shtetet e Bashkuara.

“Pasojat mund të jenë të rënda,” tha ai.

Provat klinike për vaksinën kundër Covid-19

Dr. Fauci tha se tetë vaksina kundër koronavirusit po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse jemi të suksesshëm,” tha ai, “shpresojmë ta mësojmë (rezultatin e tyre) në fund të vjeshtës, ose në fillim të dimrit.”

Por ai tha se kjo është akoma e largët për miliona studentë dhe nxënës që do të ktheheshin në universitete dhe shkolla në të gjithë vendin në gusht dhe shtator.

Presidenti Trump ka thënë se ka patur një rritje të madhe të testimeve për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara, më shumë se në çdo vend tjetër, megjithëse disa raporte thonë se Shtetet e Bashkuara nuk radhiten në mesin e 20 vendeve të para për nga numri i testimeve të administruara për në raport ne popullsinë.

“Testimet tona janë më të mirat në botë!” Presidenti Trump tha në Twitter disa orë para se të fillonte seanca dëgjimore në Senat. “Shifrat (e rasteve të koronavirusit) po bien në pjesën më të madhe të vendit tonë, i cili dëshiron të hapet dhe të fillojë punën përsëri. Kjo po ndodh në mënyrë të sigurt!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.