Ballina / KRYESORE / Estonia , shteti i parë tërësisht dixhital, dixhitalizon edhe ambasadat
e-estonia

Estonia , shteti i parë tërësisht dixhital, dixhitalizon edhe ambasadat

Estonia do të jetë i pari vend në botë, në gjendje të funksionojë edhe pa territor fizik. Teknologjia “Savvy Nation” do të krijojë ambasada dixhitale në të gjithë botën, me një “back up” për të gjitha të dhënat kritike.

Kjo ka si qëllim që ish-shteti sovjetik, të cilit shumë pak i mungon që të bëhet tërësisht një shoqëri dixhitale, të jetë më pak vulnerabël ndaj sulmeve kibernetike. Estonezët mund të votojnë, të kenë qasje te të dhënat e tyre shëndetësore dhe të paguajnë taksat “online”.

Qeveria thotë se 99 për qind e shërbimeve publike janë të qasshme në mënyrë elektronike, një pretendim ky që i ka dhënë shtetit të vogël baltik nofkën “e-stonia”.

Zyrtarët thonë tani se, e para Ambasadë dixhitale do të hapet në Luksemburg më 1 janar të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, ka edhe nga ata që mendojnë se duke hedhur kaq shumë gjëra “online”, Estonia e bën veten shumë vulnerabël ndaj sulmeve, nga vende si Rusia.

Por, sipas ekspertëve të qeverisë, natyra e decentralizuar e ruajtjes së të dhënave do të thotë që ato janë të mbrojtura nga kërcënimet kibernetike. Përveç kësaj, ekziston edhe një plan mbështetës: nga 1 janari 2018 do të hapet një koncept i quajtur “Ambasada e të dhënave” në Luksemburg, e kjo do të mundësojë që të gjitha të dhënat kritike të mund të rikuperohen në ambasada të ndryshme të dhënash, që ligjërisht janë në territor estonez.

“Ne do të jemi i pari vend në botë që mund të ekzistojmë pa tokë fizike”, thonë ata, duke sqaruar se në rast të një incidenti, kur ndokush synon të sulmojë, ka baza të ndryshme të dhënash në të gjithë botën dhe ato mund të bëhen të qasshme duke mundësuar vijimin normal të funksioneve qeveritare, si mbledhja e taksave, votimi, vendimet qeveritare, etj.

Pas dekadash nën Bashkimin Sovjetik, Estonia u bë e pavarur në fillim të viteve ’90. Ajo zgjodhi të ishte një udhëheqëse në fushën e teknologjisë, e në vitin 2005 u bë i pari vend në botë që përdori votimin elektronik në shkallë kombëtare.

Estonia thotë se është goditur nga një sulm kibernetik nga Rusia në vitin 2007, sulm ky që bëri që 58 faqe interneti, përfshirë ato qeveritare, të dilnin “offline”. Një këshilltar i qeverisë për Teknologjinë e Informacionit thotë se, një nga detyrat më të rëndësishme të një vendi është që të garantojë vazhdimësi, si në nivel shtetëror, ashtu edhe në termat e shërbimeve publike.

“Shoqëria dixhitale dhe informative estoneze është aktualisht shumë e sofistikuar, sa që nuk është më e mundur të bëhet kthimi prapa tek epoka e letrave. Ndaj ne duhet të bëjmë maksimumin për të garantuar sigurinë kibernetike, përfshirë këtu ruajtjen e vazhdimësisë sonë dixhitale”.

Ai sqaron se ka baza të ruajtjes së të dhënave dhe rikuperimit të tyre në Estoni, por për të qenë të përgatitur për çdo mundësi, duhen baza të tilla edhe jashtë kufijve

Check Also

faik_konica_infoglobi

75 vjet nga vdekja e Faik Konicës

Meqenëse 15 dhjetori shënon 75-vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, po ju paraqes disa foto …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *