Ballina / KRYESORE / Erich Fromm: Personaliteti autoritar

Erich Fromm: Personaliteti autoritar

Botuar së pari: në Deutsche Universitätszeitung, Band 12 (Nr. 9, 1957), pp. 3-4;

Përktheu nga anglishtja: Dush Gashi

Çka kuptojmë me “personalitet autoritar”? Në rëndom shohim diferencë të qartë ndërmjet individit i cili ka dëshirë të sundojë, kontrollojë ose t’i kufizojë të tjerët dhe individin i cili ka tendencë të durojë, nënshtrohet apo të poshtërohet. Me një term më të përshtatshëm, mund të flasim për prijësin dhe ndjekësit e tij. Natyrisht, mes sunduesit dhe të sunduarit – në shumë mënyra – ka ndryshim, duhet të pranojmë se këta tipa, apo siç mund të themi, këto dy forma të personalitetit autoritar në të vërtet janë të lidhur ngushtë njëri me tjetrin.

Ajo që kanë të përbashkët, që e përkufizon esencën e personalitetit autoritar është paaftësia: paaftësia për t’u mbështetur në vetëvete, për të qenë i pavarur, thënë me fjalë tjera: paaftësia të durojnë lirinë.

E kundërta e karakterit autoritar është njeriu i pjekur: personi i cili nuk ka nevojë t’u qepet të tjerëve, sepse ai në mënyrë aktive e përqafon dhe e zotëron botën, dhe gjërat përreth tij. Çka do të thotë kjo? Fëmijët ende kanë nevojë të mbështeten. Në barkun e nënës ata janë – në kuptimin fizik – një me nënën e tyre. Pas lindjes, për disa muaj dhe në shumë mënyra edhe për vite të tëra, ata mbeten – në kuptimin psikologjik – edhe më tej pjesë e nënës së tyre. Ata mësojnë të ecin, ta flasin, dhe e gjejnë rrugën e tyre në botën e cila bëhet bota e tyre. Fëmijët posedojnë dy aftësi, të natyrshme për individin, të cilat mund të zhvillohen: dashurinë dhe arsyen.

Dashuria është lidhje dhe ndjenjë e të qenit një me botën, duke e ruajtur pavarësinë dhe integritetin e tij. Individi që ka dashuri është i lidhur me botën. Ai nuk ka frikë, deri sa bota është shtëpia e tij. Ai mund ta humbasë vetveten sepse është i sigurt në vetveten.

Dashuri do të thotë ta njohësh botën si një përvojë emocionale. Mirëpo, ka edhe një mënyrë të njohjes, të kuptuarit me mendje. Në këtë lloj të të kuptuarit e quajmë arsye. Kjo është ndryshe nga inteligjenca. Shimpanzeja demonstron inteligjencë kur e sheh një banane para kafazit të saj por nuk mund ta arrijë atë me njërin nga dy shkopinjtë në kafaz, atëherë ajo i bashkon dy shkopinjtë dhe e merr bananen. Kjo është inteligjenca e kafshës, ajo inteligjencë për manipulim të cilën rëndom e quajmë të kuptuar kur flasim për njerëzit. Arsyeja është diçka tjetër. Arsyeja është veprim i mendjes, i cili depërton nën sipërfaqe të gjërave, për të kuptuar se çka qëndron prapa këtyre gjërave për të arritur thelbin e gjërave, për të kuptuar atë që qëndron prapa këtyre gjërave, cilat janë forcat dhe shtytësit që – ndonëse të padukshme – veprojnë dhe përcaktojnë manifestimet.

Unë bëra përshkrimin e të rriturit, d.m.th., individit me dashuri e arsye për të përkufizuar më mirë esencën e personalitetit autoritar. Karakteri autoritar nuk e ka arritur pjekurinë; ai as mund të dojë as të përdorë arsyen. Si rezultat, ai është skajsshmërisht i vetmuar, që do të thotë se është i kapluar nga një frikë e rrënjosur thellë. Ai ka nevojë të ndjejë lidhje, cila nuk kërkon as dashuri as arsye – dhe e gjen atë në një marrëdhënie simbiotike, në të ndjerit një me të tjerët; jo duke ruajtur identitetin e tij, por më parë duke shkrirë, duke shkatërruar identitetin e tij. Karakteri autoritar ka nevojë për një person tjetër për t’u shkrirë me të për shkak se nuk mund të durojë vetminë dhe frikën. Por kështu në arrijmë kufijtë e asaj që dy format e karakterit autoritar – të sunduarit dhe nënshktrimin – e kanë tër përbashkët.

Por këtu ne arrijmë kufijtë e asaj që të dy format e karakterit autoritar – sunduesi dhe i sunduari – kanë të përbashkët.

Karakteri pasiv-autoritar, apo me fjalë tjera, karakteri mazohist i nënshtruar ka për qëllim – së paku pavetëdijshëm – të bëhet pjesë e një njësie më të madhe, etiketë, grimcë, së paku e vogël, e këtij personi “të madh”, këtij institucioni “të madh”, pjesë e kësaj ideje “të madhe”. Personi, institucioni, apo ideja mund të jetë e rëndësihme, e fuqishme, apo e fryrë pabesueshem nga individi i cili beson në të. Ajo që është e domosdoshme është se – në mënyrë subjektive – individi është i bindur se udhëheqësi, partia, shteti ose ideja “e tij” është e gjithëfuqishme dhe supreme, se ai vetë është i fortë dhe i madh, se ai është pjesë e diçkaje “më të madhe”. Paradoksi i kësaj forme pasive të karakterit autoritar është: individi e zvogëlon vetveten në mënyrë që – si pjesë e diçkaje më të madhe – ta zmadhojë vetveten. Individi ka dëshirë të jetë i komanduar, në mënyrë që të mos jetë i detyruar të marrë vendime dhe të bartë përgjegjësi. Individi mazohist e kërkon varësinë nga frika e tij e thellë – më së shpeshti pavetëdijshëm – e të ndjerit inferior, i pafuqi, i vetmuar. Shkaku i kësaj, ai kërkon “lider”, fuqi më të madhe, për t’u ndjerë i sigurt dhe i mbrojtur përmes pjesëmarrjes dhe për të kapërcyer inferioritetin e tij. Ndërdijshëm, ai e ndjen pafuqinë e tij dhe i duhet një udhëheqës për ta pasur nën kontroll këtë ndjenjë. Ky individ mazohist dhe i nënshtruar, i cili i frikësohet lirisë dhe ikën në idhujtari, është personi mbi të cilin qëndrojnë sistemet autoritare – nazizmi dhe stalinizmi.

Më e vështirë sesa të kuptosh karakterin pasiv-autoritar, mazohist është të kuptosh karakterin aktiv-autoritar, sadist. Për ndjekësit e tij ai duket vetëbesues dhe pozitiv, por megjithatë ai është po aq i frikësuar dhe i vetëm sa karakteri masohist. Derisa mazohisiti ndjehet i fortë sepse ai është një pjesë e vogël e diçkaje më të madhe, sadisti ndjehet i fortë sepse ka përfshirë të tjerët – nëse është e mundur shumë të tjerë; ai, të themi, i ka përpirë ata. Karakteri sadist-autoritar është po aq i varur nga sundimi sikurse karakteri mazohist-autoritar ndaj sunduesit. Sidoqoftë, imazhi është mashtrues. Për sa kohë që ai e mban pushtetin, udhëheqësi shfaqet – për veten dhe të tjerët – i fortë dhe i fuqishëm. Pafuqia e tij bëhet e dukshme vetëm kur ai ta ketë humbur pushtetin e tij, kur ai nuk mund të përpijë më të tjerët, kur të mbetet i vetëm.

Kur flas për sadizmin si anën aktive të personalitetit autoritar, shumë njerëz mund të befasohen sepse sadizmi zakonisht kuptohet si tendencë për të munduar dhe për të shkaktuar dhimbje. Por në të vërtetë, kjo nuk është çështje e sadizmit. Format e ndryshme të sadizmit, të cilat mund t’i vërejmë kanë rrënjën e tyre në përpjekjen, që ka të bëjë me zotërimin dhe kontrollin e një individ tjetër, ta bëjë atë një objekt të pafuqishëm ndaj vullnetit të tij, të bëhet sunduesi i tij, të disponojë me të ashtu siç e sheh të arsyeshme dhe pa kufizime. Poshtërimi dhe skllavërimi janë vetëm mjete për këtë qëllim, dhe mjeti më radikal për këtë është ta bësh atë të vuajë; pasi nuk ka fuqi më të madhe mbi një person sesa ta bësh atë të vuajë, ta detyrosh atë të durojë dhimbjen pa rezistencë.

Fakti se të dy format e personalitetit autoritar mund të përciellen deri në një pikë të fundit të përbashkët – tendencën simbiotike – tregon pse mund të gjenden komponenta sadiste dhe mazohiste në shumë personalitete autoritare. Rëndom vetëm objekti ndryshon. Në të gjithë kemi dëgjuar për tiranin e familjes, i cili e trajton gruan dhe fëmmijët e tij në mënyrë sadiste, por kur ai ballafaqohet me eprorin e tij në zyrë ai bëhet një punonjës i nënshtruar. Apo të përmendim një shembull më të mirë: Hitlerin. Ai ka qenë i shtyrë nga dëshira për t’i sunduar të gjithë, kombin gjerman dhe në fund botën, t’i bëjë ata të pafuqishëm ndaj vullnetit të tij. E megjithatë ai njeri ka qenë skajshmërisht i varur; i varur nga duartrokitjet e masës, nga miratimi i këshilltarëve të tij, dhe nga ajo që ai e quante fuqia e madhe e natyrës, historia, fati. Ai përdorte formulime pseudo-religjioze për të shprehur këto ide, se për shembull kur thotë: “qielli qëndron mbi kombin, dhe për fat dikush mund ta mashtrojë njeriun, por jo edhe qiellin. Megjithatë, fuqia e cila impresiononte Hitlerin më shumë se historia, zoti, apo fati ishte natyra. Përkundër tendencës së katër qind viteve të fundit për të dominuar natyrën, Hitleri insistonte se dikush mund të dominojë mbi njeriun, por kurrë mbi natyrën. Në të, ne shohim karakteristika të përziera të tendencave sadiste e mazohiste të një personaliteti autoritar: natyra është fuqia e madhe të cilës duhet t’i nënshtrohemi, por qenia e gjallë është për t’u mbizotëruar nga ne.

Megjithatë, vështirë se mund ta mbyllim temën e personalitetit autoritar pa folur për një problem, i cili është shkak për shumë keqkuptime. Deri sa njohja e autoritetit është mazohizëm dhe praktika e tij sadizmi, a do të thotë kjo se të gjitha autoritetet përmbajnë diçka patologjike? Kjo pyetje njuk e bën dallimin e rëndësishëm në mes të autoritetit racional dhe atij iracional. Autoriteti racional është njohja e autoritetit në bazë të vlerësimit kritik të kompetencave. Kur studenti e njeh autoritetin e profesorit pse di më shumë se ai, ky është vlerësim racional i kompetencave të tij. E njëjta gjë është edhe kur pasagjeri i një anijeje e njeh autoritetin e kapitenit për të marrë vendimin e duhur nëse është në rrezik. Autoriteti racional nuk mbështetet në përjashtimin e arsyes së tij dhe kritikës, por përkundrazi e merr atë si parakusht. Kjo nuk më bën mua të vogël dhe autoritetin të madh, por ia lejon autoritetit të jetë superios për aq sa ka kompetenca.

Autoriteti iracional është ndryshe. Ai mbështetet në nënshtrimin emocional të personit të tij tim ndaj personit tjetër: Unë besoj se ai ka të drejtë, jo pse ai, folur objektivisht, është kompetent apo sepse unë me arsye e pranoj kompetencën e ti. Në lidhje me autoritetin iracional ekziston një nënshtrim mazohist, duke e zvogëluar veten e duke e rritur autoritetin. Unë duhet ta rris atë, ashtu që – si një grimcë e tij – të bëhem edhe unë i madh. Autoriteti racional synon ta mohojë vetveten, sepse sa më shumë që kuptoj unë distanca ndërmjet aurtoritetit bëhet më e vogël. Autoriteti iracional synon ta thellojë dhe t’ia zgjasë jetën vetvetes. Sa më gjatë dhe sa më i varur të jem unë bëhem më i dobët dhe aq më shumë duhet të mbështetem në autoritetin iracional dhe të nënshtrohem.

Të gjitha lëvizjet e mëdha diktatoriale të kohëve tona kanë qenë (dhe janë) të mbështetura në autoritetin iracional. Forca shtyrëse ishte ndjenja e pafuqisë e individëve të nështrueshëm, dhe admirimi i “ilderit”. Të gjitha kulturat e frytshme janë të mbështetura në ekzistimin e autoritetit racional: në njerës, të cilët janë të zotët t’i kryejnë intelektualisht e shoqërorisht funksionet e dhëna, prandaj nuk kanë nevojë t’u drejtohen dëshirave iracionale.
Por nuk dua ta përfundoj pa theksuar se individët duhet të bëhen autoriteti i vetvetes; d.m.th., të jenë të vetëdijshëm për çështje të moralit, të kenë bindje në çështjet e intelektit dhe të jenë besnikë në çështje të emocionale. Pra, individi mund të ketë autoritet të brendshëm vetëm nëse është rritur mjaft që të kuptojë botën me arsye dhe me dashuri. Zhvillimi i këtyre karakteristikave është bazë për autoritetin vetanak dhe prandaj bazë për demokracinë politike.

Provo po ashtu

Gucati: Specialja i ka ftuar edhe dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, ende nuk i dimë emrat

Edhe disa ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet që së shpejti të jenë “mysafirë” …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.