Ballina / KRYESORE / Engel: Veprimi i Qeverisë për krijimin e Gjykatës Speciale, ka qenë veprim i drejtë
Eliot Engel

Engel: Veprimi i Qeverisë për krijimin e Gjykatës Speciale, ka qenë veprim i drejtë

Kongresisti amerikan Eliot Engel, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se qasja e Serbisë karshi Kosovës ka qenë destruktive. Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kongresisti Engel thotë se “është mirë të bësh dialogun me një vend, por kur ai vend shkon pas shpinës tuaj dhe ua futë thikën”. Engel gjithashtu flet edhe për Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe për mundësinë që SHBA të përfshihet në dialogun e Brukselit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Engel, ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi i mbanë qytetarët e Kosovës të izoluar. Qytetarët nuk mund të udhëtojnë atëherë kur dëshirojnë. Duket se Kosova me vite nuk po mundet ta zgjidhë këtë çështje. Si e shihni ju zgjidhjen, marrë parasysh që në Kuvend ekziston opozitë e fortë karshi kësaj marrëveshje?

Eliot Engel: Unë vërtetë besoj që liberalizimi i vizave është dashur të ndodhë shumë më herët. Me apo pa Demarkacionin, kosovarët duhet t’i kenë të drejtat e njëjta sikurse njerëzit në vendet tjera. Shpresoj që Qeveria do ta zgjidhë çështjen e Demarkacionit, në mënyrë që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë. Është mjaft frustuese kur bëhet fjalë për disa çështje, por me to duhet marrë.

Radio Evropa e Lirë: Pyetja tjetër ka të bëjë me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Liderët e Kosovës, Kryeministri dhe Presidenti, kohëve të fundit po insistojnë që Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen më fuqishëm në fazën përfundimtare të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. A do të duhej dhe a do të përfshihen Shtetet e Bashkuara në fazën e fundit të dialogut?

Eliot Engel: Po, definitivisht duhet, por a do të përfshihet, këtë nuk e di. Por, mendoj që njerëzit këtu kanë besim në Shtetet e Bashkuara dhe e dinë që në qoftë se Shtetet e Bashkuara përfshihen, interesat e Kosovës do të jenë të mbrojtura.
Ajo që fatkeqësisht kemi, është fakti se kemi Serbinë, e cila nuk ndihmon, sipas mendimit tim.

Edhe Serbia, por edhe Kosova, kanë marrëdhënie të qasshme me Bashkimin Evropian, ndërkaq që dy vendet duhet të bëjnë dialogun dhe të kenë qëllime të caktuara. Është mirë të bësh dialogun me një vend, por kur ai vend shkon pas shpinës tuaj dhe ua futë thikën, kjo nuk është diçka që pritet. Sa më përket mua, kjo është ajo që e ka bërë Qeveria e Serbisë në disa vitet e fundit. Ata me efikasitet e kanë mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara. Natyrisht, së bashku me Rusinë kanë intervenuar në UNESCO kur kemi menduar se Kosova do të anëtarësohet, por ka humbur për 3 vota. Para disa javësh e kishim edhe rastin e INTERPOL-it dhe serbët sërish nuk e kanë luajtur rol të mirë në këtë. Ka pasur edhe incidente të tjera, kur janë përpjekur ta bllokojnë Kosovën.

Mendoj se kjo nuk është në rregull. Në qoftë se dy vende bëjnë dialog, atëherë nuk do të duhej që gjërat të bëhen pas shpinës. Kjo është ajo që ata e kanë bërë ,në shumë mënyra. Sinqerisht, është koha që të pushojnë me këtë dhe për këtë po flas. Unë mendoj që Serbia duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, njëkohësisht me Kosovën.

Nuk konsideroj që u duhet anëtarësimi në rast se e bllokojnë Kosovën. Në qoftë se anëtarësohen para Kosovës, ashtu siç po planifikohet për momentin, si të jemi të sigurt që si anëtare e Bashkimit Evropian, nuk do ta bllokojë Kosovën?

Sipas meje, nuk është as shumë komode fakti që kanë disa lidhje të caktuara me Rusinë, e cila nuk është mike e Bashkimit Evropian. Rusia është përzier në procesin zgjedhor për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, sikurse edhe në disa shtete demokratike evropiane. Në qoftë se Serbia i luan ato lojëra me Rusinë, kjo nuk më shtynë që t’iu ndihmojë në qasjen për në Bashkimin Evropian ose çfarëdo qoftë tjetër. Mendoj që duhet ta ndërpresin këtë ‘non sens’ dhe të dyja vendet duhet të pranohen njëkohësisht në Bashkimin Evropian dhe një shtet nuk do të duhej ta bllokonte shtetin tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë të drejtë kur thonë që formimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të ndodhë vetëm me ndryshimet kushtetuese? A duhet që kjo çështje të trajtohet sa më parë, veçanërisht në kontekstin e përzierjes ruse në rajon?

Eliot Engel: Po. Unë nuk pajtohem me atë që kanë thënë dhe kanë bërë Shtetet e Bashkuara. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, secili komb i pavarur dhe i lirë, sikurse është ky, ka të drejtë ta ketë ushtrinë. Nuk më pëlqejnë të gjitha këto pengesa shtesë, të cilat i vihen Kosovës. prandaj, kjo është edhe një çështje në të cilën duhet të punojmë.

Radio Evropa e Lirë: Edhe një gjë tjetër, me të cilën Kosova, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballen, është ekstremizmi i dhunshëm. Sa është ky problem serioz edhe më tutje për rajonin?

Eliot Engel: Jemi mjaft të shqetësuar për njerëzit që kanë braktisur vendet e ndryshme që të luftojnë në anën e Shtetit Islamik. Tash, pasi që Shteti Islamik është mundur, mjaft njerëz po kthehen. Fatkeqësisht, një numër i të rinjve nga Kosova ka shkuar atje. Mendoj se ky ka qenë gabim dhe shpresoj që këta që po kthehen kanë mësuar nga gabimet e veta. Por, kjo më nuk është problem, sepse Shteti Islamik është mundur për shumë arsye praktike.

Është shumë me rëndësi që të rinjtë këtu ta ndjejnë përparimin në Kosovë. Të rinjtë po luftojnë për një vend pune, sepse papunësia është shumë e madhe. Nuk dëshirojmë që ta kemi atë që ne e quajmë “rrjedhje e trurit”, gjegjësisht që më të mirët dhe më të mençurit të shkojnë në Gjermani ose Shtete të Bashkuara, sepse nuk mund të gjejnë punë këtu. Ka mjaft gjëra që nevojiten të bëhen këtu. Jam i bindur se kjo është e mundur dhe se kjo do të ndodhë. Ne do të ndihmojmë ashtu si të mundemi, sepse qëllimi është që të mbahen të rinjtë që janë të mençur dhe të cilët kanë potencial që të ndihmojnë në ndërtimin e këtij shteti. Nuk dëshirojmë që ata të shkojnë për shkak se mendojnë se mundësitë janë më të mira diku tjetër ose edhe më keq, të shkojnë sepse mendojnë se është atraktive që t’i bashkohen Shtetit Islamik, kur e dimë që ajo nuk është asgjë tjetër përveç se një grup terrorist që dëshiron të vrasë njerëz. Kështu që, mendoj që kjo nuk është e mirë për askënd.

Radio Evropa e Lirë: Kosova pritet të ballafaqohet me sfidën më të madhe, Gjykatën Speciale për krime lufte. Si e shikoni ju këtë Gjykatë. A është ajo detyrim? A është ky një institucion një-etnik, siç po e quajnë individët?

Eliot Engel: Nuk është e përkryer, por mendoj që është e domosdoshme. Kur kjo çështje ka dalë në pah, nuk mendoj që do të ishte mirë për Kosovën që të mos pajtohet me të ose të duket sikur po fsheh diçka. Unë gjithmonë angazhohem për të vërtetën. Në qoftë se kanë ndodhur gjëra të këqija, atëherë duhet t’i dimë ato në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen.

Ajo që duhet të bëjmë në këtë rajon është që të kaluarën ta lëmë pas vetes dhe të nisemi kah e ardhmja. Për këtë e dua kaq shumë këtë vend, sepse kjo është pikërisht ajo që njerëzit duan këtu. Ata dëshirojnë shtet shumetnikë dhe ta ndërpresin luftën, e cila ka me shekuj ka zgjatur në Ballkan. Kjo është destruktive për të gjithë ne. Kështu që, veprimi i Qeverisë për krijimin e Gjykatës, ka qenë veprim i drejtë dhe mendoj që nuk ka pasur zgjedhje tjetër. Ta bëjmë këtë dhe të nisemi përpara drejt të ardhmes.

Check Also

Skenderaj

Skënderaj, një femër në krye të Asamblesë Komunale

Asambleja Komunale në Skënderaj ka zgjedhur një femër në krye të saj. Bëhet fjalë për …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *