ldk

Ende asgjë zyrtare nga LDK për Mustafën, Haziri thotë do të ketë garë

Lajmi se Isa Mustafa është kandidati konsensual i Kryesisë së LDK-së përo pozitën e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ëtë konfirmuar zyrtarisht ende. E nuk dihet a do ta pranojë Mustafa këte sfidë 4 vjeçare të radhës.

Sado që në opinion është krijuar perceptimi se të shtunë në kuvendin zgjedhor të partisë më të madhe opozitare do të ketë vetëm një kandidat e, ai besohet se do të jetë lideri aktual i LDK-së, në media po shpërfaqen edhe qëndrime tjera të anëtarëve tjerë të këtij subjekti politik.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në Kuvendin Zgjedhor të së shtunës do të ketë edhe kundërkandidatë.

Ndërkaq ish presidenti i Kosovës nga radhët e LDK-së, Fatmir Sejdiu thotë se ai vetë nuk është pjesë e diskutimeve pë kandidatin konsensual.

“Qëndrimet e mia lidhur me kandidaturën time i kam shprehur edhe publikisht dhe për këtë e kam njoftuar edhe kryetarin aktual të LDK-së z.Mustafa në takimin e djeshëm dhe kryesinë qendrore nëpërmes tij. Është e ditur që delegatët e Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së, duhet të zgjedhin kryetarin e LDK-së, në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe këtij organi nuk do të duhej t’i servohet e as imponohet asnjë kandidaturë”.

Sejdiu nuk ka përjashtuar mundësinë se ai vetë do të kandidojë, e këte deri tash, të paktën publikisht nuk e kanë bërë as Lutfi Haziri, Agim Veliu e Vjosa Osmani tre kandidatë tjerë për nominimin eventual të të cilëve u diskutua dje në LDK, transmeton infoGlobi.

Në ndërkohë spekulimet po shtohen se kush do ta drejtojë gjatë 4 vjetëve të ardhshëm Lidhjen Demokratike të Kosovës. Analistë e diplomatë po i përcjellin nga afër zhvillimet e brendshme të këtij subjekti politik, i cili si raportohet do të jetë përcaktuesi i asaj se si do të duket nesër qeveria e re dhe kush do ta drejtojë dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Si kanë reaguar diplomatët ndërkombëtarë

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt (AAK) nga posti i kryeministrit të Kosovës, në prononcimet e tyre për media ose atyre përmes rrjeteve shoqërore, analistë e diplomatë ndërkombëtarë kanë qenë të kujdesshëm në mesazhet.

Zëvendës Ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë Mathew Palmer tha se sfida e tanishme e Kosovës është krijimi i një qeverie, e cila do ta kthente vendin në dialogun me Serbinë dhe do të pezullonte tarifën ndaj mallrave serbe.

Palmer theksoi se përcaktimi i parametrave të negociatave është përgjegjësi e palëve dhe se përqëndrimi vetëm te hartat dhe territoret zhvendos vëmendjen nga rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje gjithpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Vetëm një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, i cili la postin për të dytën herë për shkak të Gjyqit të Hagës, aAmbasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përmes Twitter, ka theksuar se është koha që Kosova dhe Serbia t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

“Eksplorimi i hapësirës është një arritje e madhe dhe e papërfunduar. Njëjtë është edhe me krijimin e një të ardhmeje paqësore në Tokë. Është koha që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen tryezës së bisedimeve”, ka shkruar Kosnett në twitter.

Nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi e, sidomos nga shtetet mike të Kosovës si ShBA mesazhi është i qartë. Ata presin konsolidimin e institucioneve, me ose pa zgjedhje, por me kusht që këto institucione të përvjelin mëngët dhe të përmbyllin procesin 20 vjeçar të dialogimit mes Kosovës e Serbisë.

Për diçka të tillë, partneriteti qeveritar i radhës duhet të ketë brenda tij përfaqësues të partive të gatshme për të vazhduar ate që është nisur vite më parë dhe personalitete të dëshmuara se po shkojnë drejt rrugës së pajtimit mes Kosovës e Serbisë. / infoglobi/e

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.