Emri i Elizabetës vendoset në pllakën përkujtimore

Komuna e Mitrovicës ka vendosur emrin e vogëlushes së ndjerë Elizabeta Hasani në pllakën përkujtimore kushtuar masakrës së tregut, bën të ditur përmes një njoftimi në Facebook kjo komunë.

“Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, sot kanë bërë zbulimin e emrit të vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani nga komuniteti rom, emri i të cilës është vendosur në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së 13 marsit 1999 në tregun e Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Bahtiri tha se mos përfshirja e vogëlushes së ndjerë Elizabeta ka ndodh pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve.

Ndërkaq deputeti Albert Kinolli, tha se ndihet i kënaqur që kanë mbajtur premtimin e dhënë për vendosjen e emrit të Elizabeta Hasanit, duke falënderuar për kontributin dhe angazhimin të nga ana e drejtuesve të Komunës së Mitrovicës.

“Kjo gjë dëshmon që shoqëria kosovare është e hapur dhe demokratike, nuk bën dallime as në viktima, sepse viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për shkak se viktima nuk njeh racë, as ngjyrë, komunitet, e as parti politike. Dhe këtë sot e kemi dëshmuar së bashku me kryetarin Bahtiri, ku jam i lumtur që drejtësia ka ardhur në vendin e vet, shpresoj që edhe dorasit herë do kurdo të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ndër të tjerash deputeti Kinolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.