Ballina / KRYESORE / Ekspertiza: Të hetohet rasti i vdekjes së Deharit
Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana të paqarta

Ekspertiza: Të hetohet rasti i vdekjes së Deharit

Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria konfirmon se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Me këtë konstatim, Prokuroria e kthen rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.

Prokuroria thotë se do t’i dëgjojë edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme “do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes”.

Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinonin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjën e plotë të këtij rasti.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, theksohet në konkluzionet e ekspertizës.

“Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vëjnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmbanë pak ose shumë pak ADN”, vijon komunikata.

Nga ajo çfarë u tha, “ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”, thekson Prokuroria.

Raporti i ekspertizës i është dorëzuar edhe familjes Dehari dhe avokatit, Tomë Gashi.

“Unë si prind tash pres nga organet e drejtësisë që të hapen hetimet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjitha ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e Astritit”, tha babai i Astriti, Avni Dehari.

“Ne e kemi ditur rastin që Astritin e kanë vrarë në burg, por juridikisht nuk ka qenë e mbyllur edhe pse janë lëvduar se brenda 15 ditëve do ta përmbyllin para tri vjetëve, por u bënë tre vjet e neve na kanë zier në kazan si familje”, tha nëna e Astritit, Xhemile Dehari.

Përmes një postimi në Facebook, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje duke bërë thirrje për hetim të menjëhershëm.

“Prokuroria e ka obligim ligjor dhe njerëzor që t’i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësit e këtij krimi monstruoz, që e privoi aktivistin 26 vjeçar Astrit Deharin nga jeta, të vihen të gjithë para drejtësisë. Drejtësia nuk duhet të ndalet para fajtorëve, sado lart që mund të ndodhen ata në hierarkinë e pushtetit. Po ashtu, duhen hetuar edhe ata që përkundër dhimbjes së familjes, shokëve dhe mbarë opinionit publik, u bënë mjet i dezinformimit menjëherë pas vrasjes së Astritit në burg. Cili ishte qëllimi i atyre që me çdo mjet, edhe duke gënjyer e duke i ndërruar fjalët, donin ta mbulonin krimin si vetëvrasje?”, thuhet në postim.

Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (v.j. disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).

Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës. Me 17 maj, 2017, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.