fbpx
Lëvizja Vetëvendosje

Edhe tri dorëheqje nga Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ballafaqohet me krizën e brendshme politike. Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, nga postet e ndryshme në këtë subjekt politik janë tërhequr edhe tre persona.

Nga të gjitha postet drejtuese të Vetëvendosjes ka dhënë dorëheqje Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati . Këtij subjekti politik i parashtruan dorëheqjet edhe delegati i Këshillit të Përgjithshëm në Gjermani, Kujtim Robelli si dhe vëllau i Dardan Molliqajt, Vlorian Molliqaj.

Lidhur me këto dorëheqje, Kryesia e Vetëvendosjes pritet që të mërkurën të mbajë mbledhje të veçantë ku do të diskutohet për situatën aktuale në Vetëvendosje si dhe për dorëheqjet.

Siç është raportuar më heret, pardje nga pozitat drejtuese brenda VV-së ka dhënë edhe deputeti Faton Topalli, ndërkaq një gjë të tillë më heret e kishin bërë edhe i pari i Vetëvendosjes, Vizar Imeri dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

InfoGlobi ju sjell reagimet e tre të dorëhequrve:

Reagimi i Qendron Kastratit:

qendron kastrati
Qendron Kastrati, Kryetari i Komunës së Kamenicës

Të dashur qytetarë e aktivistë,

Lëvizja VETËVENDOSJE! po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Që këto probleme kanë ekzistuar e kam ditur edhe më herët, por duke pasur besim të plotë tek njerëzit në strukturat tona, kam pritur se ky problem do të tejkalohet. Për seriozitetin e kësaj krize jam bërë i vetëdijshëm sidomos muajin e fundit. Kam takuar shumë njerëz që me kontributet e tyre kanë vendosur gurë dhe e kanë bërë VETËVENDOSJE!-n siç është sot.

Atmosfera që mbizotëron midis nesh është e papranueshme sepse nuk i ngjan aspak ambientit të Lëvizjes që ne e njohim. Sharjet e fyerjet midis nesh nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit. Prandaj, ato duhet ndaluar sa më parë. Kush i gëzohet dorëheqjes se aktivistëve, nuk i kontribuon Lëvizjes dhe askujt brenda Lëvizjes, pavarësisht qëndrimeve që mund të kesh mbi arsyet e tyre. Së paku, ata po dorëhiqen dhe dorëheqja meriton respekt. Kontributin e tyre nuk mund ta marrë era nëse ke pasur mospajtime vitin e fundit.

E di që përgjatë kësaj kohe është përmendur vend e pa vend edhe emri im, se gjoja unë do të shkoj në PDK. Këtyre shpifjeve nuk ua kam kthyer me të njëjtën monedhë. Kam bindjen se në diskutimet midis nesh kemi nevojë urgjente për një standard sjelljeje e komunikimi. Standardet imponohen pikërisht sepse supozohen situatat e mosmarrëveshjes, dhe jo nga harmonia.

Në Lëvizje kam mësuar se çfarë na mban bashkë janë synimet për ndryshime të mëdha që i kemi për vendin. Kështu duhet të mendojmë edhe tash. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për hir të Lëvizjes, por për vendin. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për shkak të emrave të përveçëm, por për vendin.

Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar ashtu siç jeni edhe ju, dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga të gjitha Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Dua të theksoj se kam qenë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë ata që janë të interesuar ta tejkalojmë këtë situatë bashkarisht.

Sinqerisht,

Qëndron Kastrati

Reagimi i Kujtim Robellit

Të nderuar anëtarë të mbetur dhe eventualisht të rikthyer të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Hydajet Hyseni, Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Ismajl Kurteshi, Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

dhe mbi të gjitha e dashura Lëvizja VETËVENDOSJE!,

Thellë në zemër kam shpresuar, sidomos gjatë muajit të fundit, që konflikti brenda Lëvizjes do të zgjidhet. Edhe pse i vetëdijshëm që një zgjidhje eventuale e konfliktit nuk do t’i bënte të zhbëra sjelljet e të involvuarve në konflikt dhe pas “zgjidhjes” asgjë nuk do të bëhej siç ka qenë mëparë, prapë shpresoja. Shpresë gënjeshtare!

Kur i jam bashkuar Lëvizjes, ndër shumë arsye të tjera, përputhja e parimeve të mia me ato të Lëvizjes ka qenë kryesore në vendimmarrjen time.

Ende pa qenë në njohuri për konfliktin e brendshëm, isha i brengosur për kultin që po i krijohej Albin Kurtit, sepse ishte i papajtueshëm me parimet e Lëvizjes.

Në një bisedë me Albin Kurtin, e bëra një vlerësim subjektiv të idealizmit të tij të shprehur gjatë bisedës, kjo e fundit bashkë me arsye tjera tani po përdoret si justifikim për etiketime, shpifje dhe “përndjekje politike‘‘ ndaj meje. Përhapja e këtij vlerësimi, që i’a kam thënë vetë Albin Kurtit dhe tani po trajtohet si ,,ofendim‘‘ apo ,,blasfemi‘‘, është bë pikërisht nga vetë zotëri Kurti!

Kush e di se për çfarë arsye e bëri këtë apo çfarë fshihet pas kësaj?

Përshtypja që më është krijuar nga ky veprim është, me dashje apo pa, nxitja!

Që nga ai moment kur filluan insinuatat ndaj meje kuptova që brenda Lëvizjes po zihej diçka. Nga ai moment fillova të kuptoja që shpifjet që i dëgjoja ndaj ca aktivistëve ishin rezultat i përçarjeve. Për hirë të së vërtetës më duhet të theksoj që asnjë fjalë degraduese të drejtuar ndaj Albin Kurtit nuk më ka rastisur të dëgjoj. Gjithë etiketimet dhe
shpifjet ishin të drejtuara ndaj Dardan Molliqajt, Frashër Krasniqit, Teutë Rrustës, Nol Nushit e disa të tjerëve.

Është i çuditshëm morali i dyfishtë në Lëvizje që po praktikohet qe disa muaj!

Kur grupit parlamentar iu publikua biseda në Viber filloi linçimi ndaj Aida Dërgutit, dhe jo kërkimi i spiunit që e publikoi atë. Pjesëmarrja e Elvis Hoxhës në një mbledhje të Kryesisë së Qendrës në të cilën më ofendoi, justifikohej pikërisht nga ata persona që e miratonin linçimin e Aidës për “blasfeminë” e shprehur nga ajo, duke thënë se
ofendimi ndaj një aktivisti ,,të thjeshtë‘‘ është legjitim, kurse ai ndaj “babës” dhe njëkohësisht “liderit” jo.

Një Lëvizje që e ka një nga parimet kryesore barazinë, duhet t‘i trajtoj si devijime justifikimet e tilla dhe ngritjen e një personi mbi tjetrin.

Kur një anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! kërkon nga të gjithë të bëhen bashkë me të ,,ushtarë të Albinit‘‘ dhe nuk i tërhiqet së paku vërejtja nga vetë Albin Kurti, në emrin e të cilit po bëhen këto thirrje, e tregon në heshtje miratimin e tij ndaj këtyre veprimeve dhe rrjedhimisht devijimin total nga Lëvizja progresive dhe parimore.

Kur kërkohet pozicionim pas Albin Kurtit, përndryshe, siç na lënë të kuptojmë ca kërkesa, do të kategorizoheshim si armiq dhe kjo e implikon përndjekjen dhe rrjedhimisht është kërcënim!

Kjo logjikë fashiste që e bën ndarjen në miq dhe armiq është tejet e rrezikshme dhe e ka katapultuar nga njëri çast tek tjetri në stalinizëm Lëvizjen, ngaqë ka persona të caktuar që janë bërë rob të kësaj logjike!

Kur unë kategorizohem si armik veç shkaku i miqësisë me Frashër Krasniqin, Dardan Molliqajn dhe Aida Dërgutin, gjë për të cilen ka dëshmi në formë te procesverbaleve atëherë nuk më ka mbetur vend në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sepse nuk e kam ndërmend t’i tradhëtoj bindjet e mia, t‘i nënshtrohem një strukture organizative
diktatoriale sado që na qenka e mirë ajo. Nuk e kam ndërmend të distancohem nga Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, apo çdokush që pafajësisht konsiderohet si armik, për ti shërbyer personave të caktuar për interesa personale. Nuk e kam ndërmend të jem pjesë e një strukture e cila fsheh “eleminimet politike‘‘ prapa logjikës së numrave, e cila në fshehtësi vepron kundër aktivistëve të saj dhe i linçon ata në publik.

Prandaj, shumë i zhgënjyer për rrugën në të cilën ca persona e kanë futur Lëvizjen, jap dorëheqje nga pozita e delegatit të Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nga çdo pozitë e imja në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani, si Koordinator i pikave, anëtar i komisioneve dhe sekretariateve.

Në fund më duhet t‘i përmendi edhe katër aktivistët që sherri i këtij konfikti të njëanshëm nuk po përmenden aq sa duhet dhe angazhimi për lirimin e tyre dita ditës është në zhdukje, nga personat që po kërkojnë armiq dhe po e okupojnë lëvizjen VETËVENDOSJE! për interesat e tyre, duke mos i lënë kohë fare për t’i mbrojtur aktivistët e saj Adean, Atdheun, Egzonin dhe Frashërin.

Është hipokrizi dhe e papërgjegjshme që në të njejtën kohë të jesh në dijeni të së vërtetës dhe të qëndrosh në këto struktura që po e shkatërrojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Reagimi i Vlorian Molliqajt

 Vlorian Molliqaj

Shumë të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi,

Asnjëherë nuk kam menduar që do të vijë ky moment që t’iu drejtohem me këtë letër, prandaj edhe e kam shumë të vështirë t’i gjejë fjalët për ta përshkruar këtë gjendje.

Meqenëse në Lëvizje jam angazhuar qysh në vitin e parë të themelimit të saj, në kohën kur isha rreth 16 vjecar, mund të them që në Lëvizje jam rritur. Zyret e Lëvizjes për mua kanë qenë shtëpia ime e dytë. Shokët e shoqet në Lëvizje për mua kanë qenë të afërt po aq sa edhe familjarët, e besa shpeshherë edhe më të afërt. Bashkë i kemi ndarë gëzimet dhe mërzinë. Beteja jonë nuk ka qenë e lehtë, por puna jonë e përbashkët gjithmonë ka dhënë rezultate. Jo rastësisht, arritëm që Lëvizjen ta bëjmë subjektin më të madh në Kosovë dhe qytetarëve t’ua kthejmë shpresën.

Lëvizja për mua ka qenë edhe shkollë. Aty mësova se cka është sakrifica, vetmohimi, solidariteti, socialdemokracia, e drejta për vetëvendosje, etj. Në Lëvizje mësova se si është organizata e mirëfilltë politike. Mësova se pavarësisht hierarkisë, në fund të gjithë jemi të barabartë sepse para së gjithash jemi aktivistë.

Pra, mësova pikërisht të kundërtën e asaj se çfarë po ndodhë sot. Asnjëherë nuk mësuam për eleminime politike ndaj njëri tjetrit apo për luftë bërrylash për pushtet. Sepse nuk mësuam ta shohim pushtetin si previlegj por si përgjegjësi. Nuk mësuam që ta ofendojmë e fyejmë njëri tjetrin edhe kur ka mendime ndryshe, qoftë edhe të gabuara. Madje, nuk mësuam t’i ofendojmë as kundërshtarët politikë. Sepse, arma jonë më e fortë gjithmonë ishte argumenti. Për mua vazhdon të jetë edhe sot.

Por çfarë shoh sot?! Sot shoh bashkëaktivistë që në mënyrat më të ulëta shpifin, fyejnë e kërcënojnë të gjithë ata që nuk pajtohen bllanko me këtë apo atë aktivistë. Poqëse guxon të mos pajtohesh me Albin Kurtin, menjëherë shpallesh agjent i shërbimeve sekrete, i shitur apo tradhtarë. Viktimë e këtyre sulmeve jam edhe unë, që nga momenti kur shpreha mendimin tim lidhur me problemin e brendshëm të Lëvizjes.

Përderisa për 12 vite me radhë unë isha bashkëaktivist, sot papritmas unë u shndërrova në vëlla të një aktivisti. Nëse dikush nga këta bashkëaktivist mendonte se dy vëllezër nuk bënë të angazhohen në të njëjtë organizatë politike, atëherë pse nuk ma thonin këtë qysh në fillim?! Pse nuk më treguan që mua më shohin si vëlla të dikujt kur angazhohesha ditë e natë, kur merrja pjesë në aksione, protesta e demonstrata?! Apo kur arrestohesha?! Unë nuk e di përgjigjen, shpresoj t’ua japin ata.

Më vjen keq që shumë prej juve bashkëaktivistëve në Suedi sot ndiheni të zhgënjyer me situatën e krijuar. Përvoja ime me shumë prej juve, ku me shumë punë e vullnet, arritëm ta themelojmë Qendrën tonë në Suedi dhe falë punës e njëzetëfishuam numrin e anëtarëve këtu dhe e dhjetëfishuam numrin e votuesve me postë është e paharrueshme për mua.

Fatkeqësisht, problemin e brendshëm dikush e ka sjellur edhe në Qendrën tonë në Suedi. Javë më parë, nga grupe joformale brenda Lëvizjes, na erdhën letra të shkruara se si ne duhet të reagojmë lidhur me këtë problem. Paramendojeni, nga grupe joformale u tentua që të detyrohet Kryesia e Qendrës sonë t’i dënoj organet formale të Lëvizjes, pra Kryesinë Qendrore në Kosovë e cila udhëhiqej nga ish kryetari Visar Ymeri. Normalisht kjo nuk u arrit pasi shumica e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër këtij mentaliteti detyrues dhe e kthyen mbrapsht atë letër.

Diktatet që po tentohet të instalohen në Lëvizje dhe në Qendrën tonë në Suedi, linçimet ndaj shumë personaliteteve të Lëvizjes vetëm e vetëm pse kanë mendime ndryshe, si dhe tendenca për ndërtimin e kultit të një individi për mua janë të papranueshme. Janë diçka që as e kam menduar që do të ndodhin ndonjëherë në shtëpinë tonë të madhe, pra në Lëvizje.

Prandaj, përmes kësaj letre, unë dua t’ju njoftoj që nga sot jap dorëheqjen time nga Kryesia e Qendrës në Suedi si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ju jam shumë falënderues secilit prej juve për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, pavarësisht se mund të kemi mospajtime në lidhje me problemin e brendshëm.

Uroj që Lëvizja t’i zgjidhë sa më parë problemet e saja të brendshme dhe ta vazhdojmë rrugën së bashku.

Gjithë të mirat,

Vlorian Molliqaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.