Ballina / Kulturë / Dy tregime, nga ato që të vjen turp t’i tregosh

Dy tregime, nga ato që të vjen turp t’i tregosh

Nepotizmi e klientelizmi shtrihen edhe atje ku e pret më së paku – në fushë të letërësisë e të botimeve, prandaj kemi autoritete të rrejshme letrare

Shkruan: Dush Gashi

Mediat tona, të shumëta në numër po të tkurrura për nga numri i gazetarëve dhe fushat të cilat i mbulojnë, kanë lënë thuaja se krejtësisht mënjanë veprimtari të tëra të jetës shoqërore dhe janë fokusuar vetëm në ngjarjet e personalitetet e politikës. Edhe të metat shoqërore, si nepotizmi e klientelizmi, prandaj, i shohim vetëm ndër politikanët. Në disa veprimtari, si në atë letrare e botuese, madje as që janë trajtuar ndonjëherë. Prandaj na ndodhë të kemi poetë e shkrimtarë, madje emra bukur të shquar, si në dy tregimet në vazhdim, e të cilët, siç do të shihni, vështirë se do të mund t’i mbijetonin fare konkurrencës së denjë në një mjedis të mirëfilltë shoqëror e letrar.

Rasti i parë

Një shkrimtari tonë, bukur në moshë, para do kohe, në një nga ato mahitë gjysma e të cilave është e vërtetë, i pata thënë:

– Ti më shumë libra ke shkruar, se sa ke lexuar.

Sinqerisht, pata frikë se do të fyhej dhe s’do të më fliste më. Por, ndodhi diçka që s’do të mund ta imagjinoja kurrë dhe s’besoj se do të mund ta imagjinonte kush në botë. Pas do kohe, rastësisht shoh se ky shkrimtari po fliste në televizion. Kisha qëlluar mu në çastin e duhur. Thoshte:

– Merreni me mend, ndër ne ka shkrimtarë, të cilët më shumë kanë shkruar e botuar libra, se sa kanë lexuar!

Se si i punonte mendja, deri sa këtë kritikë, drejtuar më parë atij, tash ai po ua drejtonte shkrimtarëve tjerë të papërcaktuar, një zot e di.

Rasti i dytë

Pranë një tavoline në kafene, një poet i yni, po ashtu në moshë, rastësisht e përmendi një novelë të Stefan Zweigut. Nuk e kam librin afër, ia kam harruar edhe titullin, por përmbajtjen e novelës e di mirë dhe fabulën e saj mund ta tregoj me pak fjalë.

Një burrë, në një hotel sheh një grua, me një djalë. I pëlqen shumë ajo grua dhe për të gjetur mënyrë për t’iu afruar, miqësohet së pari me djalin e saj. Djali, një nga ata fëmijët e tërhequr, gëzohet pa masë që paprimtas kishte bërë një shok dhe atë një të rritur. Memzi i pret takimet me te dhe nuk i ndahet. Por, më vonë, pasi që ky burri, ashtu siç edhe e kishte menduar, nëpërmjet djalit arrin të afrohet me të ëmën e tij, tash djali bëhet pengesë. Fillon ta injorojë, e kur janë bashkë me të ëmën e tij, i japin detyra të shpikura vetëm sa për ta larguar. Fillojnë të takohen fshehtas tij. Djali e vëren injorimin, të cilit nuk ia di shkakun, ndërsa për takimet e tyre të fshehta imagjinata e tij krijon ide të frikshme. Vuajtjet e tij janë të mëdha. Deri sa një natë merr guximin të ikën me trenin e fundit për në qytetin e tij.

Tema e novelës, pra, është djali, krajatat e tij ndaj trajtimit mizor që ia bëjnë miku dhe nëna e tij. Tregimet dhe novelat e Zweigut janë psikologjike dhe, në këtë novelë, flerti është vetëm ngjarja e dorës së dytë, për të krijuar situatën për t’i trajtuar përjetimet shpirtërore të fëmijës.

Por, ky poeti ynë e tregonte si të ishte një tregim fund e krye për një flert! Djalin, si personazh, e lëre më si personazh kryesor, dhe temën e novelës e kishte huqur krejtësisht! U habita, vërtet! Po të ishte fjala për një adoleshent edhe do të mund të kuptohej, po në këtë moshë?! Ia thashë troç, se e ka lexuar krejtësisht gabimisht novelën. Por, mori një nga ato pozicionet mbrojtëse, në të cilat më as një plus një nuk bëjnë dy dhe vazhdimi i bisedës shndërrohet në torturë.

Çmimet e nderet

Këto janë nga ato tregimet të cilat edhe të vjen turp t’i tregosh, të bëjnë të ndjehesh si ai nxënësi i cili e spiunon shokun te mësuesja. Por, nga ana tjetër, këta dy burra të letrave, janë nga ata që marrin çmime e ndere në nivel vendi, madje edhe në atë gjithëkombëtar!

Shkrimtarët të rangut të tillë, jo vetëm të kohës sonë, janë njerëz shumë të ditur. Ndonëse gjithmonë ka pasur dhe ka edhe të tillë që, falë talentit dhe karakterit të tyre janë bërë të suksesshëm edhe pa pasur ndonjë arsimim zyrtar kushedi se çfare, megjithatë shkrimtar pa lexuar bukur shumë libra nuk mund të bëhet kush. Aq më pak dikush që kurrë nuk e ka arritur zotësinë që ta lexojë si duhet një roman të mirë, madje as edhe një novelë të vetme!

Ndoshta edhe do të mund të heshtej para rasteve të tilla. Por, si të heshtësh kur e mendon se prapa tyre qëndrojnë një armatë e tërë recenzentësh, redaktorësh, botuesish, kritikësh, anëtarë jurish e gazetarë – tërë këta të paditur, konformistë apo edhe të korruptuar në ndonjë formë!

Dikush ndoshta edhe mund të thotë se niveli ynë arrin deri në këtë shkallë, nuk kemi shkrimtarë e poetë më të mirë. E vërteta është se, duke krijuar autoritete të rrejshme letrare, gjithmonë sillemi në rrethin vicioz, nuk i lëmë të rriten të rinjtë, ndërsa lexuesit i mbajmë rob të vlerave kurrëfare, apo provinciale.

Provo po ashtu

Bazilika e Stambollit, një prej vendeve historike me shumë vizitorë

Është një nga vendet historike në Stamboll që mirëpresin numrin më të madh të vizitorëve …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.