Ballina / KRYESORE / Dy sisteme, një botë
JOSCHKA FISCHER

Dy sisteme, një botë

Ashtu si Lufta e Ftohtë e shekullit të XX midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, rivaliteti i ri midis Kinës dhe Perëndimit është një garë midis sistemesh politike tërësisht të papërputhshme. Dhe ideja që liria dhe demokracia do të mbizotërojnë s’mund të merret më si e mirëqenë.

Autor: Joschka Fischer

Me afrimin e 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, çështja e lirisë është rikthyer në krye të axhendës në Moskë dhe Hong Kong, megjithëse në rrethana shumë të ndryshme historike dhe politike. Kujtojmë që epoka moderne u ndërtua mbi lirinë dhe njohjen se të gjithë njerëzit lindin të barabartë. Kjo ide radikale e Iluminizmit përbënte një shkëputje nga e gjithë historia e mëparshme. Por kohët kanë ndryshuar. Në shekullin e XXI, ne përballemi me një pyetje shumë të rëndësishme: A mundet një formë e modernizuar autoritarizmi të përfaqësojë një alternativë të demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit?

Në vitin 1989, përgjigjja e qartë e kësaj pyetje do të kishte qenë “jo”, jo vetëm në Perëndim, por në mbarë botën. Që nga ajo kohë, megjithatë, ne kemi qenë dëshmitarë të ringjalljes së nacionalizmit në Europë, dështimit të Pranverës Arabe, zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump, rikthimit të Rusisë në revanshizëm dhe shfaqjes së një Kine globale. Tani është e pamundur të parashikohet një demokraci liberale.

Shfaqja e Kinës si një superfuqi e dytë ushtarake, ekonomike dhe teknologjike sugjeron se tani ekziston një model alternativ zhvillimi. Në Kinën moderne, sundimi i ligjit dhe demokracia vlerësohen si një kërcënim për sundimin e një partie të vetme. Prandaj, protestat e vazhdueshme për liri dhe përgjegjësi demokratike në Hong Kong nxjerrin në pah një ndarje jo vetëm midis dy kuadrove normative, por midis dy sistemeve të pushtetit politik.

Për një periudhë kohe, Kina dukej se kishte gjetur një formulë për ta kapërcyer këtë ndarje. Parimi i “një vend, dy sisteme” duhej të lejonte riintegrimin e Hong Kongut dhe të Tajvanit. Nëse kjo formulë dështon tani në Hong Kong, do të ketë një përshkallëzim të menjëhershëm të tensioneve ushtarake përgjatë Ngushticës së Tajvanit, sepse qeveria kineze do ta ketë të pamundur të pranojë apo shpërfillë statusin special të vazhdueshëm të ishullit.

Megjithatë, formula deri më tani ka funksionuar. Hong Kongu është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë kineze, sepse ai siguron qasje në tregjet globale të kapitalit dhe shërben si një portë financiare për investime të huaja direkte të brendshme. Dhe marrëdhënia me Tajvanin, për pjesën më të madhe të kohës, ka mbetur relativisht e qetë.

Marrëveshja me Hong Kongun funksionoi sepse qeveria në Pekin tregoi konsideratë të madhe për statusin gjysmë autonom të qytetit. Por ndërsa Kina është bërë më e fortë, perceptimi i saj për veten si një superfuqi e re globale ka sjellë ndryshim në sjellje. Autoritetet kineze po ushtrojnë gjithnjë e më shumë ndikim në Hong Kong, duke sugjeruar që ata duan të lëvizin në drejtimin e “një vend, një sistem”.

Ligji i propozuar (që atëherë i pezulluar) për të mundësuar ekstradimin e njerëzve të arrestuar në Hong Kong në territorin e Kinës, u pa gjerësisht si një kërcënim për demokracinë dhe sundimin e ligjit në ish-koloninë Britanike. Autoritetet në Pekin e dinë shumë mirë se kjo përpjekje për të dobësuar autonominë e Hong Kongut – jo operacione të fshehta nga shërbimet e huaja të inteligjencës – është arsyeja pse miliona njerëz kanë dalë të protestojnë në rrugë.

Duke pasur parasysh strukturat aktuale të pushtetit në Kinë (dhe Rusi), protestat masive këtë verë në Hong Kong (dhe Moskë) kanë pak deri në aspak shanse për sukses në planin afatshkurtër. Megjithatë, ato janë domethënëse, sepse ato ofrojnë një lloj kontrasti për të gjithë gjendjen e sëmurë demokratike që është përhapur në të gjithë Perëndimin.

Më gjerësisht, ndarja e botës në dy sisteme sjell në menjëherë në mendje kujtime të Luftës së Ftohtë. Por në atë konflikt, çështja kryesore ishte forca ushtarake – pra, qendra e garës për armët bërthamore. Kur ishte fjala për standardet e jetesës, Blloku Sovjetik nuk pati kurrë asnjë shans (siç ishte e qartë në të ashtuquajturin Debati i Kuzhinës midis zv/presidentit amerikan Richard Nixon dhe liderit sovjetik, Nikita Hrushov, në vitin 1959).

Megjithatë, konkurrenca me Kinën do të jetë pikërisht për çështjen se cili sistem ofron më shumë përsa i përket progresit teknologjik dhe material. Ngjitja e Kinës nga një vend i varfër në një central ekonomik është një nga arritjet më të mëdha të epokës moderne. Miliona njerëz kanë kaluar nga varfëria në një klasë të mesme në rritje të orientuar nga konsumi dhe miliona të tjerë mund t’i ndjekin së shpejti ata.

Në të njëjtën kohë, edhe pse Kina po ndërton ushtrinë e saj, ajo nuk ka ushtruar forcë përtej fqinjëve të saj të afërt, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik. Kur Kina ndjek interesat e saj strategjike në Afrikë dhe në Europën Lindore, ajo e bën këtë përmes mjeteve ekonomike dhe financiare. Ajo ia detyron ndikimin e saj global në rritje jo ushtrisë së saj, por ekonomisë dhe kapacitetit të saj në rritje për një inovacion të shpejtë teknologjik. Për Perëndimin, “Sfida Kineze”, pra, do të tregojë se modeli i saj i demokracisë është akoma më i përshtatshëm sesa autoritarizmi i stilit Lindor për shumicën e njerëzimit.

Në këtë konkurs më të madh, presidenti amerikan Donald Trump është një lloj Kali Troje Kinez. Edhe pse ai po zhvillon një luftë agresive tregtare dhe teknologjie kundër Kinës, ai po bën gjithashtu gjithçka që mundet për të dëmtuar besueshmërinë e modelit perëndimor. Në terma historikë, sulmet e tij ndaj demokracisë do të kenë më shumë pasoja sesa tarifat e tij. Duke i përkeqësuar më shumë gjërat, Europa me dobësitë e saj të dukshme ekonomike dhe naivitetin gjeopolitik, gjithashtu nuk po arrin të marshojë një mbrojtje të modelit perëndimor.

Në këtë fazë, rritja e pushtetit të Kinës nuk mund të parandalohet. Vendi është thjesht shumë i madh dhe shumë i fortë për t’u bojkotuar apo përmbajtur. Megjithatë, dëshira e popullit kinez për të marrë pjesë në prosperitetin global është plotësisht e ligjshme. Perëndimit nuk i mbetet veçse të ruajë marrëdhënie të mira me superfuqinë e re, duke mbrojtur njëkohësisht vlerat e tij. Rritja e pushtetit të Kinës – dhe e sistemit kinez – do të krijojë në mënyrë të pashmangshme më shumë konkurrencë dhe këto rivalitete të reja duhet të trajtohen në mënyrë paqësore me çdo kusht. Një botë me tetë miliardë njerëz nuk mund të përballojë një konflikt global.

Nëse modeli i modernizimit autoritar i Kinës mund të rezultojë i suksesshëm në një afat të gjatë, kjo është një pyetje për brezat e ardhshëm të kinezëve. Ata që nuk i njohin tmerret e kaluara, siç është Revolucioni Kulturor, thjesht mund ta konsiderojnë modelin kinez si një gjë të natyrshme. Por epoka moderne u ndërtua mbi lirinë. Siç kemi parë në këtë verë në Hong Kong dhe Moskë, ky mësim s’do të harrohet kurrsesi shpejt.

/Project Syndicate

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.