Ballina / KOSOVA / DW citon Thaçin: Nëse sivjet nuk ka marrëveshje, mund të ketë destabilizime
finalja thaci haziri etj

DW citon Thaçin: Nëse sivjet nuk ka marrëveshje, mund të ketë destabilizime

Në konferencën e organizuar në Prishtinë nga Instituti RIDEA u tha se 62 % e qytetarëve të Kosovës e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi. Por politikanët patën dallime në qëndrime lidhur me dialogun me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të mërkurën, se “mund të ketë destabilizim të rajonit, nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë”. Prandaj presidenti  tërhoqi  vërejtjen se këtë vit duhet të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, me garanci dhe zotimin e SHBA-së. Këtë deklaratë, presidenti e bëri gjatë një konference, “Zëri i Popullit rreth Finales së Madhe” që u organizua në Prishtinë nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit. Ky institut prezantoi edhe një sondazh që sipas organizatorëve “i jep përgjigje disa prej dilemave kryesore që po e karakterizojnë debatin rreth fazës finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” Ky Institut ka organizuar të mërkurën konferencën, “Zëri i Popullit rreth Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar kështu procesit të dialogut mes këtyre dy shteteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ka ardhur koha për ta lënë prapa armiqësinë që ka prodhuar tragjedi

“Mbi një shekull kemi pasur armiqësi në raportet Kosovë-Serbi. Por, tani edhe unë besoj fuqishëm në këtë qëndrim, se ka ardhur koha për ta lënë prapa armiqësinë që ka prodhuar tragjedi të njëpasnjëshme në Kosovë, dhe për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, tha presidenti Thaçi, duke e bazuar konkludimin e tij në disa  argumente.

Së pari, presidenti Thaçi tha se opsioni i ruajtjes së status quo-s në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është mbështetur dhe ende mbështetet nga disa, është treguar i gabuar dhe i paqëndrueshëm.

“Unë mendoj se status quo-ja nuk paraqet as vendnumërim, por është kthim prapa. Në dymbëdhjetë muajt e fundit ka përkeqësim dhe regres në raportet e Kosovës dhe Serbisë. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin. Pra, përvoja e vitit të fundit vetëm sa ka sforcuar bindjen time që ka ardhur koha për ta arritur këtë marrëveshjen historike në mes të dy shteteve”, tha presidenti Thaçi.

Kurti: Nuk duhet të ketë korrigjim kufiri

Qëndrimet e Presidentit Thaçi u kundërshtuan nga lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, i cili vazhdon të jetë i bindur që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ketë korigjim kufiri. Kurti thotë se, “askush nuk ka të drejtë të falë tokën e Kosovës”.”A e dini pse qytetarët nuk duan status-quo, sepse e kanë mendjen tek papunësia, varfëria. Brezi i sotëm është mjaft i pasigurt. Kundërshtimi i status-quos është me shumë kundërshtim socio-ekonomik. As dëshmorët nga varret nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më njerëzit e gjallë. Është keq që s’ka ndodh korrigjimi me Malin e Zi, por është mirë që s’ka ndodhë korrigjimi me Serbinë si kompromis i dhimbshëm. Por, mos të shtiremi se s’kemi marrëveshje me Serbinë. Plot 33 marrëveshje gjatë dialogut Kosovë-Serbi kanë ndodhur”, tha Albin Kurti. Sipas tij, kuvendi i Kosovës duhet t’i  trajtojë këto marrëveshje se sa janë përmbushur.

“Mos të harrojmë se 33 marrëveshje Kosovë-Serbi nuk ia kanë ndryshuar mendjen as një vendi të Evropës e as Kinës dhe Rusisë. Prandaj nuk është mirë që të magjepsemi për një marrëveshje të ardhshme.  Ne e dimë se çfarë do Serbia. Kufizim me shqiptarët, praktikisht përmes ndarjes”, deklaroi Albin Kurti.

Propozimi i Ivica Daçiq

Për ndarje, një kufi ndërmjet serbëve dhe Shqiptarëve në fillim të kësaj jave foli edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daciq. Mediet në Serbi citojnë Daçiqin të ketë thënë se “propozimi zyrtar i Serbisë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është ndarja e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve”. Sipas tij, “nëse kjo ide ndonjëherë do të jetë në tryezë të bisedimeve, atëherë të dyja palët do të deklarohen për të”.

Sidoqoftë, në konferencën e sotme në Prishtinë  “Zëri i Popullit rreth “Finales së Madhe”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku morën pjesë shumë figura të jetës politike dhe  publike e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), u prezantua edhe një /sondazh, ku u tha se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në formatin aktual. Labinot Graicevci, që prezantoi hulumtimin tha se “kanë testuar tre skenarë me qytetarë duke i pyetur ata rreth marrëveshjeve të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë .

“Skenari i parë ka të bëjë me status-quon. Vetëm 16 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin status-quon aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Skenari i dytë ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes defakto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar. Dhe skenari i tretë ka të bëjë me korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale dhe anëtarësimit në OKB. Ky skenar ka hasur në 30 për qind mbështetje nga qytetarët e Kosovës”, tha Labinot Greiçevci, duke prezantuar hulumtimin  e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Në debatin për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, ligjërisht të obligueshme janë përfshirë edhe vendet e QUINT-it. SHBA-ja mbajnë qëndrimin që do të pranojnë çdo marrëveshje, për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia. Mirëpo, në Bashkimin Evropian janë të ndarë rreth kësaj ideje, ku është Gjermania ajo që po e kundërshton ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

@Fluidi

Provo po ashtu

quint

QUINT-i kërkon forcimin e sistemit zgjedhor

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë përcjellë me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.