Ballina / KRYESORE / Duke pritur policin, atë të vërtetin, i cili i kap hajnat

Duke pritur policin, atë të vërtetin, i cili i kap hajnat

Dush Gashi

Duhet të ketë qenë vjeshtë e vonë e 97-ës, apo e 98-ës. Vendosa të dilja me djalin e madh, atëherë 5-6 vjeç. Nuk kishte qenë mbrëmje e duhur për shëti, ishte bukur ftohtë, ndriçimi i rrugëve ishte i dobët, ajri i ndotur, kishte policë serbë kahmos dhe gjendja dukej më e acaruar, ndonëse për qetësi s’mund të flitet në atë kohë. Por, gjithmonë me brente ideja se fëmijët e mi kanë vetëm një fëmijëri dhe, me aq sa mundesha e dija, duhet të përpiqesha ta përjetojnë.

Kishte mbrëmje kur dilja me djalin edhe kur në rrugë dilnin pothuajse vetëm serbët. Nuk na shkruan në ballë se jemi shqiptarë, arsyetoja me veten. Njëherë e kam dërguar në një cirk rus, i cili i kishte ngritur tendat në oborrin e spitalit, të organizuar nga serbët e të cilin, sigurisht, e kanë vizituar fare pak shqiptarë. As sot e kësaj dite nuk jam penduar, sepse mbeti ajo shfaqja e parë dhe e fundit e cirkut me të. Herën tjetër kur kam shkuar në një cirk ka ndodhur disa vite pas lufte, tash italian, dhe këtë herë me djalin e vogël. Dhe, me sa mbaj mend, është cirku i vetëm i cili na ka vizituar gjithë këto vite të pasluftës, edhe një tregues ky se sa anash botës kemi mbetur.

Tash kam harruar kah kemi qenë e çfarë kemi bërë mbrëmjen për të cilën po flas, por e di se nuk qëndruam gjatë dhe në të kthyer morëm autobusin urban. Në autobus ndodhi diçka që bëri që atë mbrëmje të mos e harroj.

Në një stacion hyri një polic serb dhe, pa pyetur, pa thënë asnjë fjalë, mësyu drejt ulëseve ku ishim ne, thuase do ta zinte trupin e tij të bëshëm ajo gjysmë ulëseje që ishte e lirë në anën e djalit. E mora shpejt djalin në prehër, që të mos mbetet ngjitur me të. Polici e kishte tërë pajisjen luftarake me vete, helmetën, pushkën, të cilën e vuri mes këmbëve, dhe aparatin e radio-lidhjes të ndezur, më atë krrokamën e tij të njohur si të një shpese të shëmtuar. Pesha e djalit m’u shtua në bark. Ishte frikësuar.

Më erdhi një ide e marrë: t’i flas policit, në mënyrë që djali të ndjehet sikur është në një mjedis miqësor. E merrni me mend se, nga ana praktike, do të ishte tepër zor të bësh një bisedë me një polic serb në atë kohë, deri sa edhe pyetja më e rëndomtë, “a u lodhe sot”, pos që do të ishte poshtëruese, sepse fare lehtë ai mund të ishte “lodhur” duke e rrahur ndonjë shqiptar, në të njëjtën kohë mund të dukej edhe provokuese. Por, një fytyrëmushkë siç ishte, dhe dukej tërë mllef sikur ta kishte tërë botën kundër, e bënte të pakuptimtë mundësinë për t’i folur.
Fillova të flisja me djalin për gjëra të ndryshme, por për dreq as vetë nuk arrita të qetësoshesha, e lëre më ta qetësoja djalin.

Të nesërmen, pasdite, djali po më pyet:
– Babë, për çka janë policët?
E pata të qartë se ende nuk e kishte harruar mbrëmjen e kaluar.
– Për t’i zënë hajnat – i thashë.
Vetëm atëherë u qetësua.

Atë ditë më erdhi një ide, të cilën nuk e harrova asnjëherë dhe nuk e kam harruar, siç po e shihni, as sot e kësaj dite: kur të çlirohemi e ta bëjmë policinë tonë, do ta marr djalin, ta çoj para një polici dhe t’i them ja, ky është ai polici i vërtetë, i cili i zë hajnat!

Por, nuk qe e thënë që përfundimi i luftës sonë të jetë aq romantik, siç kemi parë në filma të shumtë, kur një qytet i tërë vallëzojnë e përqafohen në rrugë, ndërsa nga ndërtesat hidhen letra dekoruese, të cilat pluskojnë në ajër. I kam nxjerrë fëmijët, tash edhe dy të tjerët më të vegjël, në shumë manifestime të pasluftës, në mënyrë që të krijojnë ndjenjë për historinë dhe ta ndjejnë prekjen e saj. Por, përçarjet tona gjithçkasë i jepni shije të pakëndshme.

Filluan edhe përçarjet rreth policisë. Hashim Thaçi dhe komandantët e tij donin të kishin një polici të tyren. Por, për këtë kishte dhe dilnin edhe pretendentë të tjerë. Për atë policin e mirë, i cili vetëm i zë hajnat, do të duhej kohë.

Siç ma përkujtoi këto ditë një mik, amerikani Steve Bennett, drejtor i atëhershëm i shkollës së policisë, ishte i përkushtuar për krijimin e një policie vërtet profesioniste dhe, me gjasë, gjenerata e parë e policëve edhe ka dalë e pandikuar politikisht. Por, as preokupimet rreth jetesës nuk ishin të lehta, ndaj mund ta kem harruar për pak kohë këtë ide, ndonëse jo edhe përgjithmonë. Mirëpo, vitet kalonin dhe djali rritej, deri sa prezantimi i një polici e humbi kuptimin. Dëshira, nga ato dëshirat e vogla, po që jetës i japin sharm të veçantë, mbeti e parealizuar.

Të vetmit njerëz me uniforma, të dashur për fëmijët, besoj t’u kenë mbetur në kujtesë gurkat anglezë, ata djem të mirë e të urtë, të pavërejtshëm, po shumë efikasë në aksione. Me ka ndodhur të kaloj përmes tyre nëpër shkallët e hyrjes së banesës, deri sa ata i mbanin pushkët e ngrehura në rastet kur kishin njoftime për ndonjë serb të armatosur, por fëmijët kurrë nuk janë frikësuar prej tyre. Edhe policët amerikanë, të cilët rregullisht u buzëqeshnin dhe i përshëndesnin me “hi”.

Komandantët tanë preferonin më shumë xhipat me xhama të errësuar.

Tash jam disi larg takimeve me policë, pos që e shoh ndonjë duke ecur rrugës, duke shkuar apo duke u kthyer nga puna. Sigurisht, e di se ndër ta ka shumë të tillë, të cilët e duan këtë vend dhe e dinë se patriotizmi më i madh është ta zbatojnë ligjin. Por, jam i sigurt se edhe janë shumë të frustruar. Sepse, ndoshta më së pari do të dëshironin ta arrestonin shefin e tyre, pastaj edhe drejtorin e policisë, ministrat e kryeministrin, apo edhe shefin e shtetit.

Ky i fundit, i cili ia ka dalë bukur mirë ta krijojë shtetin e tij privat, edhe ma kujtoi këtë tregim. Në të policët duhet të jenë shumë të zemëruar. Njëherë u jep detyra të padenja, si për arrestimin e paligjshëm të gylenistëve turq, pastaj i nxjerrin në gjyq. Diçka që policët e mirë i shndërron në zbatues mekanikë të urdhrave, duke ua humbur tërësisht pusullën sa të mos dinë më çka është e drejtë e çka e padrejtë, e mirë a e keqe. Duke ua zbehur me këtë edhe motivin për punë e për jetë.

Provo po ashtu

Kosnett i shoqëruar nga bashkëshortja viziton Zubin Potokun

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Philip Kosnett, së bashku me bashkëshorten …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.