fbpx
drejtesia , KGJK
KGJK

Drejtësia e Kosovës mund ta arrestojë Zharkun vetëm deri në maj 2018

Në muajin maj të vitit 2018, ish-kreut të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku i skadon afati i ekzekutimit të dënimit , kështu që ai do të mund të kthehet lirisht nga Suedia dhe askush nuk do ta ketë të drejtën që ta arrestojë.

Xhabir Zharku, është dënuar më 21 prill 2011 nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë e cila e kishte shpallur ate fajtor për kryerjen e veprave  penale të  detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës. Dënimi i shqiptuar atëbotë ishte tre vjet burgim dhe gjoba prej 1,500 euro.

Këtë dënim Gjykata Supreme e Kosovës e kishte vërtetuar më 8 maj 2012.

Përkundër dënimit, Xhabir Zharku, nuk ka kaluar asnjë ditë në burg.

Që nga momenti i shqiptimit të dënimit, atëherë i pari i Komunës së Kaçanikut Xhabir Zharku ka kërkuar shtyerjen e ekzekutimit dhe kur një gjë e tillë iu mundësua nga drejtësia e Kosovës, ai u arratis në Suedi.

Analistë të shumtë rastin e Zharkut e kanë cilësuar si “dështim të institucioneve të drejtësisë”, e disa të tjerë i kanë akuzuar institucionet vendore se e kanë “dështuar qëllimisht ekzekutimin e vendimit për dërgimin në burg të Zharkut”.

Sipas Kodit të Procedurës Penale në Kosovë për veprat penale si kjo e Zharkut “ekzekutimi i dënimit parashkruhet”, do të thotë vjetërsohet, pesë vjet nga koha kur personit i është lëshuar urdhërarresti i parë për vuajtjen e dënimit.

Në rastin e Zharkut, institucionet e drejtësisë në Kosovë, kanë afat deri në mesin e vitit 2018, për të ekzekutuar aktgjykimin e shpallur ndaj Zharkut dhe për ta dërguar të njëjtin në burg për të vuajtur dënimin. Pas kësaj ligjërisht, diçka e tillë nuk është e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.