Ballina / KOSOVA / Djemtë e vajzat me dy atdhe

Djemtë e vajzat me dy atdhe

Javën e kaluar u mbajt eksursioni përmbyllës për sivjet me nxënësit nga diaspora. Ishte ky vetëm njëri prej dhjetra ekskursioneve të organizuara rregullisht nga vitit 2012 e deri më tash. Sa ndikojnë ato, që fëmijët tanë në diasporë t’i ruajnë lidhjet me vendin e tyre amë?

Ata kanë dy atdhe. Njërin, në të cilin jetojnë e veprojnë e ku e projektojnë të ardhmen e tyre; tjetrin të etërve, gjyshërve e stërgjyshëve. Kjo do të duhej t’i bënte më të fortë e më të pasur shpirtërisht, por, përkundrazi, i bën më të dobët. Ndoshta pse njërën pjesë të identitetit të tyre shoqëror e kanë të mjegulluar, ata shpesh ndjehen “as atje as këtu”.

Xhevahire Gashi-Muslija, qëkur si trevjeçare e ka braktisur Kosovën për t’u vendosur në Këln të Gjermanisë, thuaja se është rritur me këtë ndjenjë, të përkatësisë së saj të paqartë, të ndarë në dysh mes Kosovës e Gjermanisë. Pasi që ajo ia kishte dalë që në veten e saj t’i integrojë këto dy përkatësi, ajo kishte vendosur që edhe fëmijët e saj të mos e përjetojnë të njëjtën ndjenjë pasigurie. Tre fëmijët e saj, vajzat 8 e 21 vjeç dhe djalin 22 vjeç, i ka edukuar në frymën se i përkasin edhe Gjermanisë edhe Kosovës dhe, me këtë të fundit, ajo i njofton dhe ua ruan me aq sa mundet lidhjet e afrinë.

Këtë e ka ndihmuar tash e sa vite në nivel institucional edhe Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, duke i ngritur në një nivel më ta lartë kulturor këto lidhje, se sa u ofrojnë atyre vizitat tek të afërmit dhe me shpresë se, në të ardhmen, ata fëmijë, meqë jetojnë në vende më të zhvilluara, do të mund të shërbejnë si ndërlidhës me atdheun e të parëve të tyre dhe ta ndihmojnë atë në forma të ndryshme.

“Krujë o qytet i bekuar…”: Vizitë në vendin e krenarisë kombëtare

Në eksursionin përmbyllës për këtë vit, javën e kaluar morën pjesë një grup prej 33 nxënësish, bashkatdhetarë nga diapora, nga dy shkollat nga qytetet Këln e Boholt të Gjermanisë. Ata shoqëroheshin nga mësueset Teuta Dervishi dhe Mimoza Leka, si dhe nga tre prindër shoqërues, Xhevahire Muslija, Arjeta Gashi dhe Shaniko Haxhiraj. Ekskursionin e filluan në Kosovë, duke vizituar Prekazin, Vushtrrinë e Prizrenin, pastaj vazhduan në Shqiperi, ku, pos Tiranës e Durrësit, vizituan edhe Shkodrën e Beratin, duke parë edhe kalatë e tyre, si dhe, sigurisht, Krujën legjendare.

Vizita tepër mbresëlënëse ata patën edhe në dy shkolla të bashkëmoshatarëve të tyre, “Lush Kola” në Barbullush të Vaut të Dejës dhe “Hamza Muça” në Shkallnur të Durrësit, ku u pritën tepër ngrohtësisht dhe zhvilluan edhe aktivitete të përbashkëta kulturore e sportive, ndërsa të gjithë e përshkruajnë si tepër emocionues qëndrimin në Institutin e nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, në Tiranë.

Ky është vetëm njëri prej dhjetra ekskursioneve të organizuara rregullisht nga vitit 2012 e deri më tash, në të cilët janë përfshirë nxënës e studentë, mësues e prindër nga Austria, Gjermania, Sllovenia, Suedia, Greqia, Turqia, Kroacia, Italia etj.

Pritje e ngrohtë e vëllazërore: Në shkollën “Hamza Muça” në Shkallnur

Organizimi i ekskursioneve mësimore-njohëse të nxënësve shqiptarë nga diaspora në atdhe është i rëndësishëm dhe ndikon drejtpërsëdrejti te nxënësit mërgimtarë, sepse u mundëson njohjen e atdheut, pastaj thellimin e njohurive për identitetin e tyre, kulturën, historinë e vendit të tyre dhe, para së gjithash, mësimin e gjuhës amtare në shkallë sa më të lartë, vlerësojnë në Ministrinë e Diasporës.

Gjatë qëndrimit në atdhe, nxënësit vizitojnë vende, qytete, shkolla dhe monumente të ndryshme kulturore dhe historike në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoni.

Po ashtu, vlerësohet se ndimimi i këtyre ekskursioneve shihet në nxitjen e pjesëmarrjes në mësimin plotësues të numrit sa më të madh të fëmijëve në vende të ndryshme ku jeton mërgata jonë, sepse në mësimin plotësues në gjuhën shqipe marrin pjesë më pak se 5 për qind e fëmijëve të moshës shkollore që jetojnë në diasporë dhe praktika ka treguar se këto ekskursione kanë ndikuar që numri i nxënësve në mësimin plotësues të rritet.

Këmbim përvojash, lidhje miqësishë: Në shkollë e Shkallnurit

Për mësuesen Teuta Dervishi, vizita vendeve historike të Kosovës e të Shqipërisë ka ndikim të madh në edukimin e fëmijëve, sepse është konkretizim i asaj që ajo ua mëson fëmijëve teorikisht, thellim i njohurive dhe vënie e themeleve për njohuri të mëtejme dhe lehtësim për mësimet e ardhme.

Ata, sipas saj, interesimin e tyre e kanë shfaqur me pyetjet të cilave ua kanë drejtuar ciceronëve në vendet historike. Edhe ajo vë në dukje se është me rëndësi që këta fëmijë t’u flasin edhe fëmijëve të tjerë për përvojat e tyre, në mënyrë që edhe tek ata të zgjojnë interesimin për vizita të tilla. Ajo i është mirënjohëse Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës, e cila thotë se po bën shumë me organizimin e seminareve për arsimtarët dhe ekskursionet.

Mirëseardhje e ngrohtë: Në shkollën “Lush Kola” në Barbullush

Xhevahire Gashi-Muslija e shoqëronte vajzën e saj të vogël, Melinën.

“Ekskursioni ka pasë ndikim dhe do të ketë ndikim në të ardhmen. Tash ata nuk kanë mundur t’i përvetësojnë të gjitha njohuritë për vendet e shumëta që i kanë parë, por në të ardhmen do t’u kujtohen sa herë të dëgjojnë lajme të ndryshme nga Shqipëria, reklama turistike a çfarëdo informacionesh tjera. Këto do t’ua përkujtojnë vendet të cilat i kanë parë dhe do t’i shtyjnë për njohuri të reja rreth tyre”, thotë ajo.

Vlonjatja Shaniko Haxhiraj, e cila tash e pesë vite jeton në Këln, kishte ardhur me vajzën e saj 14-vjeçare Elisën. Shaniko thotë se mba lidhje me vendlindjen, vajza e saj po ashtu ka interesim dhe aktiviteti si ky me eksurksionin, sigurisht se ndikon në ruajtjen dhe forcimin e këtyre lidhjeve.

Begati historie e kulture: Në shtëpinë muze të atdhetarit e poetit Ndre Mjeda

Adrian Gashi, fëmijë i gjeneratës së dytë të prindërve mërgimtarë, me prejardhje nga ana e Pejës, thotë se nuk kushte pritur që në Shqipëri të ketë kaq shumë vende të njohura historike.

Ardit Haxhiaj, nga ana e Istogut, po ashtu i lindun në Gjermani, shprehet i emocionuar për vizitën dhe se do të dëshironte t’i vizitojë prapë këto vende.

Ymeri Avdiu, udhëheqës i Divizionit për arsim plotësues në diasporë, të cilit gjatë gjithë këtyre viteve i ka rënë barra kryesore e organizimit dhe e udhëheqjes së këtyre ekskursioneve, është i bindur se ato e arrijnë qëllimin e tyre.
“Kam vërejtur se, deri sa ditën e parë fëmijët flasin gjuhët e vendeve prej nga vijnë, ditën tjetër të gjithë e kthejnë në shqip”, thotë ai.

“Nuk do të harrohemi…”: Nxënës vendës e të diasporës

Një tregues tjetër, sipas Avdiut, është edhe fakti se nxënësit, të cilit kanë marrë pjesë në këto ekskursione, kërkojnë të vijnë prapë, sepse u kanë pëlqyer dhe kanë krijuar lidhje me fëmijë shqiptarë.

Po ashtu, ata u flasin fëmijëve të tjerë shqiptarë në vendet prej nga vijnë për përvojat e tyre, duke ndikuar kështu që edhe ata të shfaqin interesim për të ndjekur mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe, eventualisht, edhe për të marrë pjesë në ekskursione të tilla.

Ymer Avdiu nuk ka dyshim se këto aktivitete duhet vazhduar, në mënyrë që fëmijët mërgimtarë të brezit të dytë e të tretë dhe të brezave që vijnë, të mos e harrojnë gjuhën dhe vendin e të parëve./D. Gashi

B

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.