Ballina / KOSOVA / Djali i Smajl Hajdarajt: Shkumbin Mehmeti të merret seriozisht
shpetim hajdaraj
Shpetim Hajdaraj, i biri i Smajl Hajdarajt, që u vra në rrethana enigmatike pas lufte në Kosovë.

Djali i Smajl Hajdarajt: Shkumbin Mehmeti të merret seriozisht

Shpëtim Hajdaraj, djali i të ndjerit Smajl Hajdaraj, që u vra pas luftës në Kosovë, beson se Shkumbin Mehmeti, që pretendon se e di kush ka kryer dhe kush ka urdhëruar disa vrasje të pasluftës, duhet të merret shumë seriozisht nga organet e drejtësisë.

Sipas Shpëtim Hajdarajt,  rrëfimi i Mehmetit përputhet me të vërtetën e rrethanave të kohës, prandaj ai “pohimet e tij duhet të merren seriozisht”.

InfoGlobi ju sjell të plotë reagimin e Hajdarajt:

Dëshmitari Sh.M. , po e rrëfen të vërtetën e tij , e që plotësisht përputhet me të vërtetën e rrethanave të kohës. Duhet të intervistohet me seriozitetin më të madh nga organet kompetente të drejtësisë!

Më kujtohet , në kohën kur ndodhnin këto vrasje politike , njëra nga ‘ankesat’ e organeve të ndjekjes ishte edhe mungesa e dëshmitarëve apo frika e tyre për të dëshmuar. Sot , apo që nga viti 2011 siç po deklaron ky dëshmitar , është i gatshëm të dëshmojë dhe atë nga “dora e parë” , apo si pjesë e vet grupit kriminal. Kush më mirë do të dëshmonte , se ai që ka biseduar e nejtë me vrasësit.

Sipas logjikës së shumicës së “ekspertëve të gjithanshëm” , “ideve dhe turli konspiracioneve ” se pas “këtij qëndron ai apo pas këtij procesi mshefet ky” , ne duhet të presim edhe nja 20 vite që të bindet edhe ndonjë tjetër nga grupi vrasës të rrëfehet. Kam frikë se edhe atëherë do dalin “ekspertat” dhe prap do e shpallin jo kredibil rrëfyesin. Me 17 janar 2018 bëhen 16 vite nga vrasja e Smajl Hajdarajt.

Pse ndodhë kjo në shoqërinë tonë?

Sepse askush në këtë vend si beson drejtësisë.

Drejtësi për Smajl Hajdarajn ,dhe për të gjitha viktimat nga dhuna politike!

LEXO EDHE:

Vrasjet e pasluftës: Ja çfarë thotë për to Shkumbin Mehmeti

Familjet e te vrarëve komentojnë deklaratat e Shkumbin Mehmetit

Deklaratat e Shkumbin Mehmetit, reagojnë Ibrahim e Qerim Kelmendi

Smajl Hajdaraj u vra me 17 Janar të vitit 2002. Reagimet për vrasjen e tij kanë të ashpra dhe premtuese se autorët e vrasjes do të zbardhen menjëherë. Mirëpo, ata nuk u zbuluan as sot e kësaj dite.

Nga viti 1998 e deri në vitin 2004, në rrethana të pandirçuara deri më sot, janë vrarë një numër i madh i bashkëpunëtorëve të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova si dhe pjesëtarë të FARK-ut, formacion ky ushtarak që ekzistoi paralelisht me formacionin ushtarak UÇK.

Ndaj vetë Ibrahim Rugovës ka pasur atentate të pasuksesshme, e tentim vrasje patën edhe bashkëpunëtorë të shumtë të tij.

Kush janë të vrarët për të cilët nuk dihen ende autorët:

Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Kolonel Ahmet Krasniqit, u vra më 21 shtator të vitit 1998.

Drejtori i Qendrës Informative të Kosovës Enver Maloku u vra më 11 janar 1999 në Kodër të Diellit në Prishtinë, pak metra para banesës së tij.  QIK  konsiderohej prej vitesh si agjenci e lajmeve e afërt me LDK-në. Madje me vite edhe zyrat i kishte në hapësira të njejta ku ishte edhe selia qendrore e LDK-së dhe ku kryente ceremonitë shtetërore prof.dr. Ibrahim Rugova.

Gazetari, publicisti dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Rugova, z. Xhemajl Mustafa u vra më 23 nëntor 2001, në hyrje të ndërtesës ku ndodhej banesa e tij, në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Klinës, aktivisti shumë vjeçar i LDK-së, Ismet Rraci u vra më 24 prill 2001. Rugova kishte deklaruar se vrasja e tij lidhej me fitoren bindëse të LDK-së në zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë.

Gazetari Bekim Kastrati u vra në tetor të vitit 2001 në Drenicë bashkë me truprojën e presidentit Rugova, Besim Dajaku. Me ta ndodhej edhe ish-deputeti Gani Geci, i cili i shpëtoi atentatit por mbeti i plagosur nga armë të zjarrit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Smajl Hajdaraj, u vra para shtëpisë së tij në Pejë më 17 janar 2002.

Kjo është letra e tij që e kishte botuar pak para vrasjes:

letra e smajl hajdarajt

Kryetari i Komunës së Suharekës, njëherë drejtues i LDK-së për këtë Komunë, Ukë Bytyçi u vra më 27 tetor 2002 në Leshan. Me të u vranë edhe Bafti e Bajram Bytyçi. Raportet e para theksonin se vrasjet kanë ndodhur për shkak se ata kremtonin fitoren e zgjedhjeve, por OSBE asokohe insistonte se zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me vrasjet.

Ish komandanti i Farkut për Dukagjin, kolonel Tahir Zemaj u vra më 4 janar 2003 rrugës për në Pejë. Tahir Zemaj u vra bashkë me të birin Enisin dhe kushëririn e tij Hasan Zemaj. Hasani ishte Aktivist i hershëm i Forumit Rinor të LDK-së.

Ekrem Rexha i njohur komandant Drini, u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren më 8 maj 2000. Në kohën e vrasjes ish Komandanti i UÇK-së, Ekrem Rrexha po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Ka edhe vrasje tjera të pandriçuara si vrasja e Haki Ymerit, ish – anëtar i degës së LDK-së në Skënderaj, e Shaban Manajt, anëtar i Kryesisë së KP të LDK-së në Istog, etj.

Dalja në media e Shkumbin Mehmetit, i cili po vuan dënimin me burg për vrasjen e dy policëve të UNMIKUT, dhe rrëfimi i tij për vrasjet në rrafshin e Dukagjinit e ka trazuar opinionin, i cili ende nuk i rikuperua nga shqetësimet e shkaktuara muajin e fundit me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale fati i së cilës nuk dihet ende. Ka zëra që dalja publike e tij është bërë qëllimisht për të diskredituar një strukturë të caktuar politike dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga zhvillimet përkitazi me Gjykatën Speciale, e cila ka vënë në pikëpyetje partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Personat e apostrofuar për vrasje e dhënie urdhërash për kryerjen e tyre, pra Ibrahim e Qerim Kelmendi kanë mohuar pretendimet e Mehmetit.

@InfoGlobi

@Fluidi

Provo po ashtu

familja gjilan

Familjes nga Gjilani i merren fëmijët

Familjes Korça nga Gjilani, ia janë marr tre fëmijë nga Qendra për Punë sociale e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.