Dita e dytë e votimit në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet dita e dytë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Sot janë duke votuar personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, të moshuarit që nuk mund të dalin në qendrat e votimit, si dhe të burgosurit.

Kjo kategori përfshin 8,855 persona në zona të ndryshme të këtij vendi.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se qytetarët nuk duhet të kenë frikë, pasi ekipe të specializuara mjekësh janë pranë votuesve, sikur që do të jenë edhe në ditën kryesore të votimit, të mërkurën.

Të hënën, në Maqedoninë e Veriut kanë votuar personat e sëmurë me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, si dhe ata që ndodhen në vetizolim dhe karantinë, për shkak të kontakteve që kanë pasur me të infektuar.

Nga 759 të paraqitur për të votuar, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 723 persona.

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, zgjedhjet të mërkurën do të zhvillohen në bazë të protokollove të veçanta, me mbajtjen e maskave dhe të distancës fizike, si dhe me dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave.

Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milion persona.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë, apo në total 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Për të siguruar ulëse në kuvend, në garë janë 15 parti politike dhe koalicione, me gjithsej 1,578 kandidatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!