Dita e dytë e intervistimit të Thaçit në Hagë

Rreth 6 orë ka zgjatur intervistimi i presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Intervistimi për të dytën ditë me radhë ka përfunduar rreth orës 19:00, ndërsa presidenti ka dalë nga objekti i Gjykatës Speciale dhe nuk është prononcuar për media.

Ende nuk dihet nëse intervisitimi i tij do të vazhdojë edhe nesër.

Në Hagë për të dytën ditë me radhë, u intervistua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Para se të hynte në objektin e Prokurorisë Speciale, Thaçi sot nuk u prononcua për media.

Të hënën, intervistimi i tij zgjati për më shumë se gjashtë orë.

Pas kësaj, Thaçi deklaroi se është biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe se ka pasur interesim të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkaq dje, para se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë së Specializuar për intervistim, Thaçi deklaroi për mediat se beson që nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm.

“Sot jam këtu për të respektuar për atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim”, tha Thaçi.

LINKU – Deklarata e ditës së parë të Thaçit në speciale

Sipas Thaçit, askush nuk mund ta rishkruajë historinë, duke shtuar se ky është “çmimi për lirinë”.

“Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është storie suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi është ftuar në këtë intervistë.

Avokati mbrojtës i presidentit Thaçi është avokati amerikan Pierre-Richard Prosper.

Prosper ka qenë prokuror në Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së për krime në Ruandë. Ai po ashtu për një kohë të gjatë ka shërbyer si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në pozita të ndryshme, si Këshilltar special dhe këshilltar politik për çështje të krimeve të luftës.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!