Ballina / OP./INTERVISTA / Disa pyetje për puçin në Turqi dhe, pse Rama është bërë konja e Erdoganit
David Phillips

Disa pyetje për puçin në Turqi dhe, pse Rama është bërë konja e Erdoganit

Analisti amerikan David Phillips thotë se memoriali për viktimat e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, nuk kishte vend në Tiranë dhe se autoritetet duhet të sqarojnë rrethanat e ngritjes së tij.

Profesori i Kolumbias i tha Zërit të Amerikës se e sheh ngritjen e memorialit në vazhdën e afërsisë së kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me Profesorin Phillips:

David L. Phillips/ shkruar për Politiko.al

Shqiptarët kanë nevojë për transparencë në lidhje me vendimin për vendosjen e një memoriali në qendër të Tiranës për viktimat e “grushtit” të shtetit në Turqi. Kush e autorizoi përmendoren? Kush pagoi për të? Cili ishte roli i Ambasadës turke? Ekziston edhe një pyetje më e gjerë në lidhje me vetë puçin. A ishte grushti i shtetit një përpjekje e vërtetë për të rrëzuar qeverinë turke apo Erdogani i menaxhoi skenat e ngjarjeve për të justifikuar një goditje të kundërshtarëve politikë? Puçi u ekzekutua aq keq, sa disa e quajnë një “grusht shteti fals”.

Duke studiuar përpjekjet e mëparshme për rrëzimin e një qeverie civile, ne kemi identifikuar “praktikat më të mira” kur kryhet një grusht shteti.

Prioriteti i parë është kapja ose vrasja e kreut të qeverisë. Njësitë besnike ushtarake dhe të sigurisë demobilizohen njëkohësisht.

Komplotistët marrin kontrollin e mediave konvencionale, televizionit dhe radios, si dhe mediave sociale si Twitter, Facebook dhe YouTube.

Një drejtues i grushtit të shtetit paraqitet para publikut në mënyrë që njerëzit të mund t’i ‘ngjisin’ një fytyrë ngjarjeve dhe në këtë mënyrë të sigurohen.

Ngjarjet në Turqi nuk e ndoqën këtë skenar.

Erdogan po pushonte në Marmaris më 15 korrik. Kur ushtarë rebelë arritën në hotelin e tij për ta arrestuar, ai e kishte lënë hotelin dhe ishte duke shkuar për në aeroportin Dalaman.

Si është e mundur që komplotistët të mos kenë qenë në dijeni të planeve të udhëtimit të Erdoganit? Pse nuk u arrestua Erdogani para se të nisej aeroplani i tij presidencial? Pse nuk përdorën komplotistët avionët luftarakë F-16 për të interceptuar dhe rrëzuar aeroplanin?

Vetëm TRT dhe CNN Turk u hoqën nga transmetimi. Komplotistët nuk pezulluan mediat sociale. Eshtë ironike që Erdogan iu drejtua kombit duke përdorur FaceTime, të cilin ai u zotua ta zhdukte pasi shkatërroi demonstratat pro-demokracisë.

Pse komplotisët dështuan të marrin kontrollin e rrjeteve kryesore private të cilat shikohen nga shumica e turqve? Pse lejuan që mediat sociale të funksionojnë të pandërprera?

Erdogan u zhduk gjatë grushtit të shtetit. Kur u shfaq në mëngjes herët, ai u bëri thirrje ndjekësve të dilnin në rrugë për të mbrojtur demokracinë e Turqisë. Imamët i bënë jehonë apelit të Erdoganit. Thirrja “Allahu akbar” – Zoti është i madh – jehoi nga muezinët e xhamive. Mijëra mbështetës shkuan në Aeroportin Ataturk dhe Sheshin Taksim në Stamboll. Ata gjithashtu u mblodhën jashtë pallatit presidencial në Ankara.

Pse forcat tokësore dhe xhandarmëria nuk i bllokuan rrugët kryesore? Ata ndaluan vetëm trafikun në një drejtim nga ana aziatike në anën europiane të Stambollit përtej Urës së Bosforit dhe Urës Fatih Sulltan Mehmet.

Ndërsa imamët thirrën mbështetësit e Erdoganit në rrugë, komplotistët lëshuan udhëzime që njerëzit të qëndronin brenda, gjë që u lejonte mbështetësve të Erdoganit liri veprimi.

Pse puçistët nuk dolën para publikut, duke shpjeguar ngjarjet dhe duke ofruar siguri? F-16 dyshohet se bombarduan selinë e ushtrisë dhe Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke (TGNA). Sidoqoftë, dëmet strukturore ishin minimale.

Pse analiza e kraterit sugjeron që janë përdorur eksplozivët nga brenda ndërtesës dhe jo të hedhur nga avionët luftarakë me impakt të lartë?

Në fjalën e tij të parë publike herët në mëngjes më 16 korrik, Erdogan lëshoi një kërcënim drithërues: “Ky veprim i fundit është një akt tradhtie. Kjo përpjekje, ky veprim, është një dhuratë e shkëlqyer nga Zoti për ne. Pse? Sepse do të na lejojë të spastrojmë forcat e armatosura, të cilat duhet të pastrohen plotësisht”. Ai u zotua të pastrojë të gjitha institucionet shtetërore nga “virusi” i përhapur nga përkrahësit e Fethullah Gulen.

Nuk ka gjasa që grushti i shtetit u ndërmor nga qeveria kundër vetes. Me shumë gjasa, grushti i shtetit u infiltrua nga Agjensia Kombëtare e Inteligjencës e Turqisë ose shërbimet ruse. Erdogan lejoi që grushti i shtetit të përparonte aq sa duhej, në mënyrë që të ishte i besueshëm dhe ai të mund të justifikonte goditjet në vijim.

Qeveria turke kishte përgatitur listat e opozitarëve dhe filloi menjëherë arrestimin e tyre. Rreth 50,000 anëtarë të shërbimeve të sigurisë dhe shërbyes civilë u arrestuan dhe 100,000 të tjerë u pushuan nga puna. Anëtarët e parlamentit, gjyqtarët dhe arsimtarët gjithashtu u pushuan nga puna ose u arrestuan. Turqia ka burgosur më shumë gazetarë se çdo vend tjetër. A e meritojnë edhe viktimat e gulagut të Erdoganit një memorial ose një proces për tregimin e së vërtetës?

Një hetim i pavarur, i drejtuar nga shqiptarët, duhet të bëhet për ndikimin e Turqisë në Shqipëri. Përtej vendimmarrjes për krijimin e memorialit, hetimi duhet të konsiderojë korrupsionin e mundshëm që lidhet me aeroportin e Vlorës dhe krijimin e linjave ajrore shqiptare, të cilat u financuan nga turqit. Parlamenti normalisht do të shërbente si organ hetimor. Sidoqoftë, partia e Ramës kontrollon parlamentin, duke e bërë atë një hetues të paaftë dhe të pjesshëm. Kërkohet një mekanizëm tjetër.

Për më tepër, një hetim ndërkombëtar do të konsideronte nëse grushti i shtetit ishte i besueshëm. Ky hetim mund të zhvillohej nga Parlamenti Europian. Rrethanat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në perspektivat e Turqisë në BE.

Kandidatura e Shqipërisë për anëtarësim në BE do të rishikohet në tetor. Pse Rama është aq shumë i lidhur me Turqinë, kërkesa e së cilës për anëtarësim në BE është pezulluar mbi Turqinë pas rekordeve drakoniane të të drejtave të njeriut të Ankarasë? Çfarë kërkon Shqipëria, integrim më të madh euro-atlantik apo lidhje me Turqinë? Dy opsionet janë reciprokisht ekskluzive.

Rama vepron si qenushi i Erdoganit. Dorëzimi i tij para Erdoganit është një siklet për kombin shqiptar. Shqiptarët janë një popull krenar që i rezistuan okupimit osman. Sot, sovraniteti dhe nderi i vendit duhet të mbrohen nga ndikimi tinëzar i Turqisë.

*David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Columbia University. Ai ka shërbyer si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit të ShBA nën Presidentët Klinton, Bush dhe Obama. Ai është autori i ‘Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and U.S. Intervention (The Kennedy School- Harvard University). **Shkrimi i është dërguar ekskluzivisht Politiko.al. Titulli është i redaksisë. Në origjinal: Pyetje rreth grushtit të shtetit në Turqi

Provo po ashtu

OBSH: Astma e fëmijërisë është sëmundja kronike serioze

Astma e fëmijërisë është sëmundja kronike më serioze mes fëmijëve sipas Organizatës Botërore të Shëndetit. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.