Ballina / KOSOVA / Dhuna e fshehur ndaj gazetarëve

Dhuna e fshehur ndaj gazetarëve

Kurdo që të ndodhin sulme ndaj gazetarëve nga jashtë, gjithmonë gjendet dikush i cili e ngre zërin për të padrejtat të cilat u bëhen. Por, më së paku vërehen, prandaj edhe reagohet më pak apo aspak ndaj presioneve që ushtrohen në mënyrë permanente ndaj tyre në redaksitë në të cilat punojnë

Dush Gashi

Kurdo që të ndodhin sulme ndaj gazetarëve nga jashtë – në rastet më të shpeshta nga individë me ndikim kur e hetojnë korrupsionin e nivelit të lartë dhe keqpërdorimet e pozitave të pushetit apo kriminalitetin e organizuar – gjithmonë gjendet dikush i cili e ngre zërin për të padrejtat që u bëhen, qoftë Asociacioni i gazetarëve të Kosovës (AGK), qoftë organizatat simotra ndërkombëtare. Por, më së paku vërehet, prandaj edhe reagohet më pak apo aspak ndaj presioneve të cilat ushtrohen në mënyrë permanente ndaj tyre në redaksitë në të cilat punojnë.

Dy janë format e presionit të cilat ushtrohen ndaj gazetarëve – dëbimi nga puna pa u respektuar procedurat e ckatuara sipas Ligjit të punës, me ç’rast vetëm ndonjë rast i rrallë merr jehonë dhe nxit reagimet e duhura, dhe presioni për të shkruar pa i respektuar rregullat e Kodit të etikës së gazetarëve.

“Pronarët, me themelimin apo blerjen e ndonjë mediumi, mendojnë se e kanë në dorë apo e kanë blerë edhe gazetarinë”, thotë një gazetar (emri i njohur për redaksinë), tash edhe i dëbuar nga puna. “Më ka ndodhur që pronari, sigurisht për interesa të tij në biznes, të më thotë ‘çepoja këtij’, edhe në rastet kur nuk kishte argumente të mjaftueshme për ‘t’i çepuar’ dikujt, apo ‘mos e nguc këtë’, edhe kur për këtë kishte arsye të mjaftueshme”, thotë ai.

Shkaqet për këtë, me gjasë duhet kërkuar edhe në vetë organizimin e Asociacionti të gazetarëve të Kosovës, i cili, sipas statutit të tij aktual, nuk është i strukturuar në njësi themelore nëpër redaksi të medieve. Në këtë statut, mungon fare kapitulli për organizimin e organizatës, ndërsa numërohen vetëm organet e saj – Kuvendi i anëtarëve, Bordi, kryetari dhe drejtori ekzekutiv i organizatës. Pra, nuk ekzistojnë njësitë themelore, apo aktivet e gazetarëve, siç quheshin më herët, e as ndonjë formë tjetër organizimi në degë, sipas parimit regjonal apo të llojeve dhe specifikave të ndryshme të mediave.

Të vetmuar e të frikësuar

Është ironi, prandaj, që për padrejtësitë ndaj ndonjë gazetari më parë të regojë kreu i Asociacionit, apo edhe organizatat ndërkombëtare se sa kolegët e tij të punës, me të cilët punojnë bashkë në një redaksi e të cilët e dinë më së miri se çka e si ka ndodhur. Nga përvoja personale e di se, në të vërtetë, ndodh e kundërta, e që është mjaft poshtëruese për gazetarët: në mungesë të një organizimi legal, ata nuk ndjehen si kolektivitet në vendin e tyre të punës, dhe secili e ka vetëm hallin e vet, ndërsa duhet të ulin kokën të turpëruar ngase nuk guxojnë të reagojnë kur i ndodh ndonjë padrejtësi kolegut apo mikut të tyre, duke u frikësuar për fatin e tyre personal. Po ashtu, ata nuk mund të reagojnë nëse në një redaksi vazhdimisht shkelen normat etike të gazetarisë.

Por, nuk është kjo e vetmja e metë e organizimit të Asociacionit të gazetarëve të Kosovës, për më tepër, mënyra e tillë e organizimit e bën organizatën jo mjaft funksionale dhe jo demokratike.

Në redaksinë e fundit, në të cilën kam punuar si punëtor i rregullt, kanë ditur të më thërrasin e të më thonë: “Eja sot në mbledhjen e Kuvendit të shoqatës së gazetarëve, që të jemi më shumë, të kalojnë kandidatët tanë, e pastaj marrim më shumë shpërblime”.

Po pritni pak, së pari kjo është ftesë për të marrë pjesë një do zgjedhje jodemokratike; e dyta, dhënia e shpërblimeve do të duhej të jetë ndoshta çështja e fundit me të cilën preokupohet një shoqatë e gazetarëve.

Por, një edhe kjo qasje i tillë, për fat të keq ka mbështetje në Statutin e AGK-së, sipas të cilit Kuvendin e organizatës e përbëjnë të gjithë anëtarët e saj, ndërsa që Kuvendi të ketë kompetenca për të vendosur, është e domosdoshme që në mbledhje të marrin pjesë së paku gjysma e anëtarëve të tij!

Nuk ka nevojë për ndonjë analizë më të thellë për t’i vërejtur të metat e mëdha të kësaj zgjidhjeje. Një Kuvend i tillë në këtë kohë, kur numri i gazetarëve është i madh, do të thotë një tubim – pa hiperbolë – në një sallë sportesh të mbushur bukur mirë dhe me atmosferë po ashtu bukur sportive, pastaj përfaqësim jo proporcional të mediave të mëdha e të vogla dhe, në aspektin territorial – të kryeqendrës me periferinë. Me një fjalë, një Kuvend të tillë mund ta dominojnë mediat më të mëdha, sidomos ato, të cilat në momentin vendimtar do të kenë ndonjë motiv të veçantë për të thirrur më zëshëm “vraponi o burra”. Se me çfarë serioziteti mund të debatohet për raportet e punës, dokumentet e për kandidatët në një atmosferë të tillë tifozërie mund të merret me mend. Hiq dështimin e shpeshtë për t’u tubuar në numër të mjaftueshëm, ndoshta aspekti më bizar është se ky mund të jetë Kuvendi i vetëm, pjesëmarrësit e të cilit mund të dihen vetëm pasi të kenë hyrë në sallë!

Më shumë formë, se përmbajtje

Në vend të këtij organizimi ad hoc dhe të demokracisë së drejtpërdrejtë, sigurisht se më efikas do të ishte organizimi nga baza, përkatësisht të degëve të shoqatës nëpër redaksi të mediave, të cilat pastaj, në bazë të numrit të gazetarëve në to, do të zgjidhnin edhe përfaqësuesit e tyre për Kuvendin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Përndryshe, me formën ekzistuese, Asociacioni ka më shumë formë se përmbajtje – struktura drejtuese mbesin të shkëputura nga baza, ndërsa zëri i gazetarëve në mbrojtje të prestigjit dhe dinjitetit të profesionit dhe të pozitës së tyre materiale dëgjohet më së paku atje ku më së shumti ka nevojë – në mjediset e tyre të punës së përditshme dhe në mbrojtje nga arbitrariteti i botuesve dhe i pronarëve të mediave. Madje, ndoshta pos RTK-së, nëpër mediat tona fare nuk ka organizim sindikal, ndërsa është pakuptueshme që shoqata të mos ketë edhe një fond për ndihmë sociale e materiale, për t’i mbrojtur sado pak kolegët e tyre, të cilët ndodh që padrejtësisht ta humbasin punën.

Deri sa në shtetin e kapur të Kosovës, më sistemin jo efikas të drejtësisë, gazetarët, pos ndonjë reagimi “të ashpër” të asociacionit vendës apo organizatave të ndryshme ndërkombëtare, nuk mund të presin ndonjë mbrojtje më të madhe, me organizimin e tyre nëpër redaksi ata së paku do të mund të siguronin njëfarë rezistence ndaj pronarëve të tyre, të cilët ua nxijnë jetën përditë. Sipas rregullit, në mediat tona private ndasia është me vijë të prerë – në njërën anë janë kryeredaktorët e redaktorët, të cilët pak a shumë mbrojnë qëndrimet e pronarëve, ndërsa në anën tjetër gazetarët e pa organizuar, të cilët më shumë ndjehen si argatë, se sa si punëtorë të përgjegjshëm publikë e me integritet profesional.

Provo po ashtu

Mediat serbe pretendojnë se e kanë zbuluar planin amerikan e gjerman për ta fituar njohjen për Kosovën

Donald Trump pretendohet se i ka ofruar miliarda dollarë, aeroplan luftarak e garanci për anëtarësim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.