Ballina / OP./INTERVISTA / Dhemshuri përzier me turp çdo Bajram

Dhemshuri përzier me turp çdo Bajram

Shkruan: Dush Gashi

Nuk është vetëm ndjenja e dhemshurisë ndaj deleve të pafajshme, të cilat i shohim në tregjet e improvizuara të bagëtisë në periferi të qyteteve dhe e dimë se dita e Bajramit të vogël do të jetë dita e fundit e jetës së tyre, ajo që na bën të ndjehemi pakëndshëm e edhe të shprehim indinjatën tonë. Therja masovike e kësaj feste fetare na bën të ndjehemi edhe të turpëruar, për shkak se na e zgjon ndërgjegjen e fjetur se ne ushqehemi me mish dhe se, sado që këtë nuk e kujtojmë pranë tavolinës së drekës, e dimë se kafshët theren.

Edhe po të duam, pak njerëz mund të jenë vegjetarianë a veganë ndër ne. Për ironi, ndonëse mishi është ushqim i shtrenjtë, megjithatë për ta zëvendësuar atë kërkohet një kulturë më e sofistikuar e ushqimit, e përcjellë po ashtu nga një tregti e sofistikuar. Meqë këto nuk i kemi, mishi edhe më tej do të jetë pjesa kryesore e drekave e darkave tona.

Ndoshta njëra ndër shpikjet më të mrekullueshme të kohëve të fundit është ajo e mënyrës së shumëzimit të qelizave të kafshëve në kushte laboratorike. Kjo premton se në të ardhmen do të mund t’i duam pa hipokrizi qengjat e bardhë të hareshëm, apo ta respektojmë me sinqeritet një dem krenar, sepse do të mjaftojë t’ua marrim pa dhembje vetëm nga disa qeliza, të cilat pastaj do t’i shumojmë në epruveta në copa mishi të shijshëm. Por, që kjo shpikje të përhapet dhe të bëhet e ekonomikisht e arsyeshme, do të duhet ende kohë. Me një fjalë, do të duhet edhe më tej të jetojmë me me ndjenjen e ndrydhur se kafshët i therim.

Sigurisht, edhe pa ne, në botën siç e njohim, qoftë e krijuar nga Zoti apo sipas teorisë së Big Bang-ut, dhe jeta në të po ashtu sipas vullnetit të të gjithfuqishmit apo sipas teorisë së Darwinit, kafshët e shqyejnë njëra tjetrën.

Megjithatë, mund të bëhet diçka, në mënyrë që qytetarët të mos ndjehen se dikush po ua fyen inteligjencën vit për vit.

Ajo që mund të bëhet, e që duhet të bëhet, është që kafshët, qoftë edhe kur rriten në ferma vetëm për therje, të mos mbahen të mbyllura tërë kohën. Në videot të cilat i publikojnë shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, shihet se si e shijojnë lirinë kafshët e liruara, të cilat shumicën e jetës së tyre e kanë kaluar të mbyllura. Janë aq frymëzuese, edhe për homo sapiensët, sepse, ndonëse të padukshëm, edhe ne i kemi kafazët tanë të robërisë.

Therja e tyre, po ashtu, pa e shtuar shumë çmimin e blerjes, mund dhe duhet të bëhet ashtu si ka urdhëruar AVUK-u – në thertore të licencuara. Me këtë edhe mbetjet e tyre, të cilat shpesh i hasim buzë shtigjeve malore në periferi, duke kundërmuar tmerrësisht gjatë një vere të tërë, apo t’i ndotim me to lumejtë edhe ashtu të ndotur, të menaxhohen si duhet.

Dhe, sidomos, mënyra e therjes të bëhet sipas teknikave të Evropës, me sa më pak apo edhe fare pa vuajtje. Nëse, megjithatë, besimtarët kembëngulin se gjithçka duhet bërë sipas dogmave të vjetra, atëherë le t’i hedhin edhe telefonat mobilë dhe kompjuterët, të cilët i përdorin me bollëk, ndërsa nuk për ta nuk shkruan gjë në librat e fesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.