fbpx
Las vegas, sulmi

Detaje nga masakra në Las Vegas

Stephen Paddock, njeriu që vrau 58 vetë në Las Vegas e plagosi mbi 500 të tjerë, kishte vendosur kamera në dhomën e tij të hotelit dhe përreth saj.

Dy kamerat në korridor i lejonin atij të shikonte nëse po afrohej ndonjë roje sigurie apo polic. Të gjitha detajet që po dalin dalëngadalë në dritë mbi masakrën e së dielës flasin për një veprim të planifikuar mirë.

Disa ditë përpara sulmit, 64-vjeçari kishte përzgjedhur dhomën që shihte për nga sheshi i koncertit, kishte dërguar atje 23 armë e në shtëpi dhe makinë iu gjetën mijëra fishekë, plus një përbërës i përdorur për eksplozivët.

12 prej pushkëve iu kishte vendosur një pajisje të posaçme, që lejon goditjen pa pushim, ashtu siç ndodh me një armë automatike.

“Ky individ e kishte çdo gjë të paramenduar. Është e qartë që e kishte planifikuar sulmin me kujdes, e këtë e vërteton edhe lloji i armëve të përdorura, si dhe sasia e gjetur në dhomën e tij. Ai ka peshuar çdo veprim të tijin”, tha Joseph Lombardo, sherif i Las Vegasit.

E dashura e Paddock, Marilou Danley ka mbërritur sakaq në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të merret në pyetje nga autoritetet.

Danley, që ndodhej në Filipine, është shoqëruar nga agjentë federalë pasi preku tokën e Los Angelesit mbrëmjen e së martës.

Raportet në media tregojnë se 64-vjeçari i kishte dërguar asaj në Filipine 100 mijë dollarë, përpara se të trondiste Amerikën me vrasjet masive të përpara 3 ditëve.

Masakra më e madhe e këtij lloji në historinë moderne të Amerikës ka rikthyer debatin e armëve në Shtetet e Bashkuara, por presidenti Donald Trump deklaroi se diskutimet mbi atë që duhet bërë, nëse vërtet mund të bëhet ndonjë gjë, duhen lënë për më vonë.

Edhe pse lëshuan një thirrje për unitet pas episodit të përgjakshëm në Las Vegas, udhëheqësit republikanë në Kongres nuk ofruan ndonjë legjislacion të ri për të shtrënguar ligjet mbi armët e zjarrit, thjesht pohuan se projektligji për të zbutur rregulloret mbi blerjen e silenciatorëve do të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Studimet e FBI-së tregojnë se vrasjet masive janë trefishuar gjatë viteve të fundit. Në SHBA, armët e zjarrit janë më të preferuarat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.