Der Standard: Grenell do me çdo kusht ta rrëzojë Qeverinë Kurti

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është duke e shfrytëzuar krizën rreth koronavirusit për ta shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje, shkruan në analizën e publikuar të premten nga gazeta austriake, “Der Standard”.

“Javën e kaluar, Grenell u takua në SHBA me ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, i LDK-së. Prej aty, gjërat shkuan shumë shpejtë. E qartë është se Grenelli do me çdo kusht ta rrëzojë Qeverinë Kurti, në mënyrë që të mund ta zbatojë me shpejtësi marrëveshjen e negociuar në prapaskenë midis presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçit”, shkruan në këtë analizë gazetarja Adelheid Woelfl.

Në analizë po ashtu shkruan se gjatë dy viteve të kaluara, “lobistë të shumtë – përfshirë prej Austrisë – kanë marrë pjesë në shtyrjen e këtij plani jotransparent dhe famkeq. Grenellit i bën përshtypje vetëm presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili dëshiron me çdo kusht ta arrijë një sukses në politikën e jashtme amerikane, para zgjedhjeve të vjeshtës”.

Rrjedhimisht, sipas gazetës, Grenelli supozohet që të arrijë një marrëveshje “historike” midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, shkruan “Der Standard”, një gjë e tillë nuk është e mundur me kryeministrin aktual, Albin Kurtin.

“Po ashtu, në aspekt të përmbajtjes, Kurti nuk do ta lejonte kurrë – si duan lobistët rreth Trumpit – një shkëmbim territoresh mbi baza etnike si pjesë të marrëveshjes”, shkruan gazeta./kohaditore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.