Ballina / KRYESORE / Deputetë të opozitës e një ministër përjashtohen nga Kuvendi
kuvendi shqiperi

Deputetë të opozitës e një ministër përjashtohen nga Kuvendi

Trazira e kaos në Kuvendin e Shqipërisë. Byroja e Kuvendit përjashtoi përkohësisht nga Kuvendi një ministër dhe deputetë opozitarë, pas akteve të palejueshme në seancën e djeshme plenare.

Gjashtë deputetë opozitarë të PD dhe deputeti socialist, ministri Ditmir Bushati, nuk do të marrin për dhjetë ditë në seancat dhe komisionet parlamentare. Byroja e Kuvendit vendosi mbrëmë (12.04.2018) perjashtimin e tyre për dhjetë ditë si pasojë e akteve të dhunës që shkaktuan në seancën e djeshme plenare.

Deputetët e përjashtuar të PD bllokuan dje foltoren e Parlamentit dhe që andej gjuajtën me vezë dhe miell kryeministrin Rama dhe ministrat e tij. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, tentoi ta godasë kryeministrin Rama me një televizor, që e shkuli nga vendi. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati hodhi ujë mbi deputetët opozitarë që bllokuan foltoren.

Situata e tensionuar u krijua nga mospranimi prej Byrosë së Kuvendit të kërkesës së opozitës për përjashtimin e kryeministrit Rama nga punimet e Parlamentit për një kohë të caktuar, për shkak të asaj që opozita e quan përdorim „të një fjalori fyes” ndaj saj.

Situatë e acaruar politike

Trazirat dhe kaosi në seancën e djeshme parlamentare janë në vijim të aksionit të opozitës për të kundërshtuar taksën e kalimit të automjeteve në „Rrugën e Kombit” që lidh Shqipërinë me Kosovën. Opozita doli në fillim të këtij muaji në krah të protestuesve nga Kukësi, në protestën kundër kësaj takse, e cila doli jashtë kontrollit.

14 policë u plagosën nga gurët që hodhën protestuesit mbi forcat e rendit, sportelet e ngritura për të marrë taksën para Tunelit të Kalimashit u dogjën dhe kompjuterat u thyen. 11 protestues u proceduan penalisht dhe Gjykata e Kukësit vendosi masën e arrestit me burgim për „sulm kundër forcave të rendit dhe shkatërrimin e pronës”.

Opozita kërkon lirimin e tyre dhe filloi aksionin për mosbindje civile me bllokimin për dy orë, të shtunën e kaluar, ( 07.04.2018) të katër rrugëve nacionale, ku dogji goma automjetesh.

„ Kërkojmë lirimin e 11 banorëve të Kukësit që po mbahen padrejtësisht në burg dhe heqjen e taksës së kalimit në „Rrugën e Kombit”. Ky është vetëm fillimi i protestës popullore kundër regjimit tuaj kriminal dhe privat” iu drejtua kryetari i PD, Lulzim Basha kryeministrit Rama .

Por kreu i qeverisë së Tiranës e vlerëson të domosdoshme pagesën e taksës për të mirëmbajtur dhe modernizuar rrugën, që ka kushtuar 1,2 miliardë euro dhe ku nevoijten edhe 300 milionë euro të tjera që të përfundojë, sipas parashikimeve të qeverisë vitin e ardhshëm.

Opozita ka paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar dhe të mosbindjes civile në ditët në vijim. 23 protestues në bllokimin e rrugëve nacionale janë arrestuar për ndeshje me policinë dhe do të dalin para gjykatës.

Konfliktualitet në vend të dialogut

Polarizimi politik aktual po pengon dialogun politik mes qeverisë dhe opozitës. Ecja drejt dialogut në vend të konfliktit është një nga sugjerimet e vazhdueshme të BE ndaj klasës politike të Shqipërisë. Dhuna dhe tensioni i mbrëmshëm në Parlament ndodh në prag të publikimit të Raport të Progresit 2017 për Shqipërinë nga Komisioni Europian.

Ai do të jetë baza e vlerësimit të zhvillimit demokratik të Shqipërisë dhe tregues i qartë nëse negociatat e anëtarësimit me BE do të hapen këtë verë. Komisioneri Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini, që do të vizitojnë Tiranën më 18 prill për të prezantuar Raportin do të gjejnë një situatë të tensionuar politike.Ulja e palëve në tryezën e bisedimeve dhe dialogu mes tyre, tani për tani, nuk duket e afërt.

@Fluidi

Provo po ashtu

Optimizmi për të ardhmen, më i lartë në vendet me më pak të ardhura

Optimizmi për të ardhmen, më i lartë në vendet me më pak të ardhura

Të rinjtë në Kinë, Indi, Nigeri, Kenia, Indonezi, Arabi Saudite dhe Meksikë, janë më optimistë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.