fbpx

Demonstruesit futen në Kongresin amerikan. Aktivizohet Garda Kombëtare

Mbështetësit e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, hynë të mërkurën në ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfrimuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Senati shkoi në pauzë, ndërsa disa anëtarë të Kongresit u evakuuan në zyrat e tyre.

Një grua raportohet se është qëlluar. CNN, duke cituar dy burime, tha se gruaja u qëllua në gjoks dhe se po trajtohet brenda ndërtesës së Kongresit.

Transmetuesi publik PBS gjithashtu raportoi për të shtëna me armë, ndërsa Washington Post citoi dy burime të kenë thënë se dikush është qëlluar.

Nënpresidenti Mike Pence, i cili po mbikëqyrte sesionin e përbashkët të Kongresit, u pa duke u larguar nga sigurimi.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se është mobilizuar Garda Kombëtare për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.

Presidenti i zgjedhur, Biden, u bëri thirrje turmave që të tërhiqen, ndërsa protestat i cilësoi si “moment i errët” për demokracinë amerikane.

Ai po ashtu i bëri thirrje presidentit Trump që të paraqitet në televizionin kombëtar dhe të kërkojë që t’i jepet fund “rrethimit” të Kongresit.

“Bota po na sheh”, tha Biden duke folur nga shteti i tij Dellauer.

“President Trump, vepro”, tha ai.

Trump, në një mesazh televiziv drejtuar mbështetësve, tha se “është koha për të shkuar në shtëpi”.

Më herët, përmes një postimi në Twitter, ai bëri thirrje për qetësi.

“Kërkoj nga të gjithë në (ndërtesën e) Kapitolit të SHBA-së, të qëndrojnë të qetë. Jo dhunë! Mos harroni, ne jemi Parti e Ligjit dhe Rendit – respektoni Ligjin dhe burrat dhe gratë tona të shkëlqyera në blu. Faleminderit!”, shkroi Trump në Twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.