Ballina / KOSOVA / Dema: Fituesi i tenderit gjysmëmilionësh u vendos në restorant
In Fabric
Marjan-Dema

Dema: Fituesi i tenderit gjysmëmilionësh u vendos në restorant

Rektori i Universitetit publik të Prishtinës (UP), Marian Dema, ka dëshmuar në Gjyq të enjten për tenderin gjysmëmilionësh të përkthimit të librave, për të cilin po gjykohen për korrupsion Enver Hasani, në cilësinë e ish-rektorit të UP-së, Hakif Veliu, ish-shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN)

Në dëshminë e tij rektori Dema deklaroi se në Restorantin “Te Pishat” u vendos që tenderi për përkthimin t’i jepej Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN).

“Është shpallë tenderi por dy herë ka dështuar, siç më kujtohet herën e tretë me këmbënguljen e Enver Hasanit është mbajtur dhe ne jemi takuar me agjencinë për prokurim në restorant ‘Pishat’, e pas kësaj ky organ ka bërë revokimin e një neni që t’i jepet tenderi operatorit në fjalë”, tha Dema.

Dema tha tutje se “me dhjetëra herë Enver Hasani më ka pyetur se çka po ndodh me tenderin e përkthimeve, afërsia e tij me këtë institut (fituesin e tenderit- OJQ-në e Rakipit nga Shqipëria) është e mjaftueshme që dëshmon atë që thashë”.

Rektori në dëshminë e tij në gjyq tha se në takimin në restorant morën pjesë Enver Hasani, Hakif Veliu dhe personat që merren me prokurim në Universitetin e Prishtinës.

Dema tha se në takim është diskutuar që të shkohet me tender një burimor, pra vetëm me një operator ekonomik për përkthim librash, ndërsa deklaroi më tutje se atëherë ka menduar që është me të vërtetë prioritet përkthimi i librave.

Rektori aktual i UP-së, Marian Dema, duke provuar të shfajësojë veten, tregoi cila ishte detyra e tij dhe e komisionit për organizim të punëve.

“Detyrë imja ka qenë vetëm të caktoj komisionin për organizim të punëve, ndërsa detyrë e komisionit ka qenë që të kontrollojë shërbimin për të cilin është bërë pagesa. Nuk ka qenë detyrë e tyre që të merren me çmimet e shërbimeve”, tha rektori Dema.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani, Alber Trakimi e Hakif Veliu si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro, dhe ata e bënë që pagesa të bëhej me kontratën e falsifikuar duke llogarit me të njëjtin çmim jo tashmë çdo fjalë, por çdo karakter.

Krejt historia nisi në korrikun e viti 2008, kur UP-ja shpalli tenderin “Përkthimi i Librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe”, me të cilin u shpërblye afro katër muaj më vonë, në muajin nëntor u shpërblye kompania “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare” me qendër në Tiranë.

Njoftimin për dhënie të kontratës në fjalë, në emër të UP-së, e nënshkroi Hakif Veliu, shef i Prokurimit në UP, i cili po si shef prokurimi do ta ndiqte Enver Hasanin edhe kur ky u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese, kurse nga ana e kompanisë nga Tirana, këtë dokument e nënshkroi vetë Albert Rakipi.

Për çudi, kontrata nuk pati një vlerë fikse dhe kjo kontratë u lidh me çmim për njësi, apo thënë ndryshe, sipas kontratës UP-ja do t’i detyrohej kompanisë ku për një kohë u angazhua Enver Hasani, nga 12.65 euro për çdo 1 mijë fjalë të përkthyera.

Para gjyqit të enjten Marian Dema, dëshmitar, tregoi se vetëm në vjeshtën e vitit 2009 kishte mësuar se ishte bërë ndryshimi i kontratës kur me ftesën e Enver Hasanit ishin takuar së bashku me Hakif Veliun në një restorant në Gërmi.

Po ashtu, ai deklaroi se këtë kontratë për herë të parë e ka parë vetëm para dy ditëve kur mori dosjen për të ardhur në gjykim dhe tregoi edhe për një takim tash në një restorant të Tiranës ku bëri të ditur se e kishte marrë vesh që tash dy të akuzuarit Enver Hasani e Albert Rakipi njiheshin mirë.

“Në atë ndejë e kanë revokuar të kaluarën e tyre ngase unë nuk kam marrë pjesë se nuk njihesha me ta.

Ka qenë darkë, kanë biseduar ndërmjet vete, nuk është biseduar për kontratën”, tha Dema.

Në dhjetor të vitit 2015, Enver Hasani, Albert Rakipi e Hakif Veliu u deklaruan të pafajshëm.

 

Check Also

lumir abdixhiku, LDK

LDK kundër rishikimit buxhetor

Lumir Abdixhiku i LDK’së, i cili edhe e udhëheq Komisionin për Buxhet dhe Financa, tregoi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *