fbpx

Deklarimi i pasurisë: Sa peshojnë liderët kosovarë?

Liderët e partive kanë deklaruar pasuritë e tyre dhe ja sa peshojnë ata në bazë të deklaratave që kanë dorëzuar në Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupcionit vjet në qershor.

Padyshim pa pasuri e vetëm me pagë e honorare është lideri i VV-së Albin Kurti, kurse me pasuri kryesisht të patundshme janë tre liderët e tjerë. Vërehet se pasuria e Isa Mustafës është kryesisht nga trashëgimia e viteve 1956 kurse e Haradinajt daton kryesisht nga periudha e pasluftës. Patundshmëritë e Thaçit nuk janë gjithaq të qarta sepse kanë të bëjnë me shtëpinë e shitur në Arbëri, origjina e së cilës nuk shpjegohet në deklaratë, dhe e tokës bujqësore e cila besohet se daton prej para luftës sepse figuron si pronë e përbashkët e fituar nga trashëgimia. Krasniqi ndërkaq ka tokë në pronë të përbashkët të trashëguar nga më heret dhe shtëpinë e ndërtuar më 2008.

Ja çka dhe si deklaruan ata:

Kryeministri i Kosovës në largim Hashim Thaçi ka deklaruar pasurinë e tij, e cila peshon 400 euro më pak se gjatë deklarimit të vjetëm.

Toka prej 15.75 ari e blerë nga paratë e shtëpisë së shitur në Arbëri (260 mijë euro) sipas deklarimit peshon 157 mijë euro, kurse shtëpia në ndërtim në sipërfaqe prej 700 metrash katrorë e cila po ndërtohet nga kredia e 100 mijë eurove peshon 220 mijë euro.

Kryeministri ka deklaruar edhe 7 hektarë tokë bujqësore dhe shtëpinë prej 250 metrash katrorë , për të cilat thuhet se janë trashëgimi familjare dhe pronë e përbashkët. Toka vlerësohet 180 mijë euro e shtëpia 80 mijë.

Nga pasuria e paluajtshme Thaçi ka deklaruar veturën familjare VW Passat të blerë nga kursimet në vitin 2011 e që vlerësohet 13 mijë euro.

Kryeministri nuk ka letra me vlerë e as aksione në shoqëritë aksionare, kurse para të gatshme bashkë me bashkvshorten ka 8 mijë e 835 euro.

Thaçi ende se ka paguar kredinë prej 100 mijë eurosh, kurse nga të hyrat ka deklaruar pagq vjertore të Kryeministrit në vlerë 17 mijë e 318 euro. Bashkvshortja e tij vazhdon të ketë pagën më të madhe se Kryeministri. Paga e saj vjetore kap shumën 18 mijë euro.

I pari i LDK-së, njëherësh pretend pë Kryetar të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar shtëpinë e tij prej 180 metrash katror, që daton nga viti 1956 dhe që peshon 138 mijë euro. Sipas deklarimit ai poashtu ka dy parcela të trashëguara toke që poashtu datojnë nga viti 1956 e që vlerësohen 365 mijë euro. Fëmijët e Mustafës sipas deklarimeve nuk kanë kurrëfarë patundshmërishë.

Mustafa ka 6 për qind të aksioneve në Riinvest dhe ate në vlerë prej 20 mijë eurosh, por nuk ka kurrëfarë letrash me vlerë.

Nga paratë e gatshme të mbajtura në institucione financiare Mustafa ka deklaruar 55 mijë e 609 euro.

Të hyrat vjetore të Mustafës janë 12.679 euro nga paga në Komunë dhe 7.337 euro honorate. Pretendenti për Kryetar të Kuvendit ka deklaruar edhe 12 mijë euro shpërblim nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Ramush Haradinaj, pretendenti për kryeministër të Kosovës ka deklaruar shtëpinë e banimit prej 950 metrash katrorë që sipas deklaratës “është ndërtuar me mjete vetanake të trashëguara dhe me ndihmë nga bashkëluftarët” gjatë vitit 2001 e 2002. Shtëpia vlerësohet 300 mijë euro. I pari i AAK-së poashtu ka deklaruar 2  shtëpi familare-kulla në sipërfaqe prej 800 metrash katrorë e të ndërtuara nga mjetet e përfituara nga prona e mëparshme e shitur gjatë viteve 2005 -2007. Kjo pronë e përbashkët sipas deklaratës peshon 270 mijë euro.

Nga patundshmëritë Haradinaj ka deklaruar 200 hektarë tokë kondrinore të blerë nga privatizimi në vitin 2009 e që peshon 75 mijë euro, si dhe tokën truall prej 21.50 ari, e blerë më 2005 e që peshon 27 mijë e 300 euro.

Janë katër pasuri të luajtshme të deklaruara nga Haradinaj, që të katërtat vetura, dy nga të cilat të blinduara:
1 Veturë e Blinduar SUBURBAN, dhënë në shfrytëzim nga aktivistët e diasporës së SHBA-ve më 2008, që ka vlerë  30 mijë euro e që është pronë e deklaruesit
2 Veturë e Blinduar AUDI e blerë më  2013  që peshon 9 mijë euro , pronë e R. Haradinajt
3 Motocikletë e blerë më  2013,  9 mijë euro poashtu e pretendentit për Kryeministër të vendit, si dhe
4 Vetura BMW e blerë poashtu vjet që është e bashkëshortes dhe që peshon 20 mijë euro.

Haradinaj ka deklaruar 13 mijë euro para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare.

Haradinaj ka deklaruar pagë mujore në vend të asaj vjetore që kërkohet në formularë dhe ate : nga AAK-ja 1 mijë e 700 euro, pensionin invalidor nga MPMS 225.00 euro, pastaj pagën e bashkëshortes 660 euro si dhe pensionin e prindërve, ate të pleqërisë nga MPMS Kosovë 140 euro dhe pensionin për dëshmorin 448 euro.

Ish Kryeparlamentari i Kosovës, nga NISMA, Jakup Krasniqi ka deklaruar 4 ari oborr e shtëpi 500 metrash katrorë të ndërtuar më 2008 e që peshon 300 mijë euro dhe 20 hektarë tokë të trashëguar e që është në pronë familjare. Toka si thuhet në deklaratë peshon 75 euro, që shihet se është një gabim, mbase teknik!

Nga paluejtshmëritë Krasniqi ka deklaruar veturën Cheverlet, që sipas tij është dhuratë nga vëllau. Ai deklaroi para të gatshme 18 mijë e 024 euro të tijat dhe 5 mijë të bashkvshortes.

Lartësia e të hyrave vjetore të Krasniqit është deklaruar në shumën 32 mijë e 400 euro, kurse e bashkëshortes (notere) së tij 19 mijë e 420 euro.

Albin Kurti , lideri i Vetëvendosjes nuk ka deklaruar pasuri të patundshme e as të luajtshme. Nga deklarimet del se ai nuk ka as aksione, as kursime e as letra me vlerë. E gjithë pasuria e deklaruar Kurtit janë paga e tij vjetore nga Kuvendi në vlerë 17 mijë e 856 euro si dhe honorat nga kolumnat që i boton në Zeri në lartësinë prej 1 mijë e 384 euro në vit. /infoglobi/e.b.