Deklaratë për projektin “Kthimi në normalitet”

Ambasada Britanike Prishtinë dhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara kanë lëshuar deklaratën e përbashkët për projektin “Kthimi në Normalitet” që peshon 2.5 milionë dollarë e që do të implementohet nga UNFPA, UNICEF, UN Women dhe WHO nga tani deri në Mars 2021.

Projekti synon normalizimin e gjendjes në fushat e shëndetësisë dhe arsimit, pas COVID-19 .

DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR SHTYP

Ambasada Britanike dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara mbështesin bashkarisht Kosovën në forcimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit pas COVID-19

Këtë të hënë, Ambasada Britanike në Prishtinë bashkoi forcat me Ekipin e Kombeve të Bashkuara për të filluar një projekt që synon një seri ndërhyrjesh të integruara dhe gjithëpërfshirëse në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, me qëllim që të ndihmojë rimëkëmbjen e Kosovës nga vala e parë e COVID-19 dhe të zvogëlojë cenueshmërinë ndaj valëve të ardhshme.

I hartuar në konsultim me homologët nga ministritë e shëndetësisë dhe asaj të arsimit, projekti prej 2.5 milion dollarësh me titull Kthimi në Normalitet (të ri) në Kosovë: Forcimi i qëndrueshmërisë përmes një kthimi të sigurt dhe gjithëpërfshirës të normalitetit në fushat e shëndetësisë dhe arsimit, pas COVID-19 do të zbatohet nga UNFPA, UNICEF, UN Women dhe WHO nga tani deri në Mars 2021.

Në fushën e shëndetësisë, projekti do të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve të zbulimit të COVID-19 përmes laboratorëve rajonalë në Gjilan dhe Prizren dhe aparateve mobile të rëntgenit (rrezeve X) në Graçanicë, si dhe promovimin e mesazheve të besueshme për COVID-19 dhe masave parandaluese. Shërbimet shëndetësore thelbësore që nuk lidhen me COVID do të mbështeten përmes shërbimeve e-shëndetësore të cilat do të kenë qasje përmes telefonit ose internetit dhe përmes programeve të fuqizuara të imunizimit për fëmijë dhe adoleshentë.

Në fushën e arsimit, projekti do të mbështesë sigurinë në shkolla, përmes sigurimit të zbatueshmërisë të rekomandimeve COVID në shkolla dhe duke siguruar mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta ose ata që rrezikojnë të braktisin shkollën. Një fokus i veçantë i projektit do të jetë tek gratë dhe vajzat e reja.

Për shkak të kufizimeve të vazhdueshme të COVID, projekti u lansua me anë të një ceremonie të ngushtë virtuale të nënshkrimit, me prezencë të Ambasadorit Britanik Nicholas Abbott dhe Koordinatores për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara Ulrika Richardson në Prishtinë dhe Përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm nga Fondi COVID-19 i besimit shumëpalësh për reagim dhe rimëkëmbje pranë Kombeve të Bashkuara, Jens Wandel, në Nju Jork. Krerët e agjencive të Kombeve të Bashkuara UNFPA, UNICEF, UN Women dhe WHO ishin gjithashtu të pranishëm.

“Në këto kohë sfiduese dhe të pa precedent, me kënaqësi ju njoftoj se Mbretëria e Bashkuar do të financojë një projekt ambicioz gjashtë-mujor për të mbështetur Kosovën në forcimin e qëndrueshmërisë në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit,” tha ambasadori Abbott. Ekipi i Kombeve të Bashkuara theksuan se angazhimi i tyre do të përqendrohet në punë të vazhdueshme për të siguruar që grupet tashmë të margjinalizuara para pandemisë, të mos lihen prapa (Leave no one behind!). “Ndërsa Kosova rihapet për bizneset, kthimi në normalitet duhet të jetë i sigurt dhe i drejtë,” theksoi Znj. Richardson.

Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm në Nju Jork i ngarkuar me administrimin e Fondit COVID-19 të besimit shumëpalësh për reagim dhe rimëkëmbje pranë Kombeve të Bashkuara iu bashkua virtualisht fjalëve të Ambasadorit Abbott dhe znj. Richardson, duke shtuar se “Bota përballet me një krizë njerëzore të pa precedan, dhe Kosova nuk bën përjashtim,” dhe “Unë jam i kënaqur që Kombet e Bashkuara, me mësime të nxjerra nga krizat e tjera globale, janë në gjendje të shfrytëzojnë përpjekjet globale për të ndaluar pandeminë COVID-19 dhe vuajtjet që ajo ka shkaktuar ” tha Jens Wandel.

Britania e Madhe u bashkohet dhjetëra donatorëve të tjerë që kanë mbështetur angazhimin global përmes fondit të besimit të OKB-së në të gjithë botën.

Ceremonia e lansimit u transmetua drejtpërdrejt në mediat sociale.

Fondi COVID-19 i besimit shumëpalësh për reagim dhe rimëkëmbje pranë Kombeve të Bashkuara (COVID-19 MPTF) është një mekanizëm financiar ndërmjet agjencive të KB i filluar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB për të mbështetur vendet në tejkalimin e krizës në sektorët e shëndetit dhe zhvillimit të shkaktuar nga pandemia. Fondi fokusohet në ata që janë më të rrezikuar nga vështirësitë ekonomike dhe çrregullimet sociale. Duke shfrytëzuar ekspertizën kritike dhe kapacitetet shpërndarëse të Agjencive të OKB-së, ndihmon vendet në mbylljen e boshllëqeve për planet e gatishmërisë dhe reagimit dhe siguron progresin për arritjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG). Është një mekanizëm transparent, i përgjegjshëm dhe me kosto efektive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.