fbpx
ELTON SKENDAJ, INTERVISTE,

Defektet dhe arritjet e shtetndërtimit

Kandidati për doktoraturë në universitetin e Cornell-it në SHBA, Elton Skendaj,në një intervistë për Info Globin shpalosi vlerësimet e tij për procesin e shtetndërtimit në Kosovë.

Intervistoi: Evliana BERANI

Skendaj,që  mbrojti tezën në Cornell mbi shtet-ndërtimin dhe demokratizimin në Kosovë , nuk pajtohet me konstatimin e shpeshtë nga   ndërkombëtarët se Kosova  është shtet I dobët. Sipas tij, në vendin tonë ka edhe institucione qëndrore të cilat janë kompetente në punën që bëjnë.Në këtë kontekst, ai përmend doganat dhe policinë. Por, Skendaj është shumë kritik ndaj ndikimit të politikës në administratën qendrore. Njohësi I mirë i proceseve të shtetëndërtimit  të Kosovës të cilat I ka prezentuar në konferenca akademike, universitete, si dhe në Departamentin e Shtetit të SHBA,shpreh shqetësimin edhe për mungesën e shtetit ligjor.

infoGlobi:Çfarë mund të na thoni për gjetjet e hulumtimit tuaj shkencor ndërlidhje me shtetndërtimin e Kosovës?

Skendaj:  Kur flasin për shtetin,njerëzit  përqëndrohen thjeshtë te një ide abstrakte dhe shpesh herë shikojnë vetëm kryeministrin dhe qeverinë.

Organizatat ndërkombëtare dhe studiuesit e konsiderojnë shtetin e Kosovës të dobët, për arsye të ndryshme: problemet e krijimit të politikave, zbatimi I tyre, ose kontrolli i territorit. Këto janë vetëm disa elemente përmes të cilave ata vijnë tek një përfundim se shteti i Kosovës është i dobët.

Unë nuk pajtohem me këtë konstatim. Në fakt, në Kosovë ekzistojnë  disa institucione qëndrore të cilat janë kompetente në punën që bëjnë. Doganat e Kosovës arrijnë të sigurojnë 70 për qind të buxhetit kosovar.Me fjalë tjera, është një institucion që ia delë të mbajë shtetin me të hyra. Doganat kanë arritur që brenda dhjetë vitesh të jenë po aqë të mirë sa edhe doganat e tjera në rajon, në mos edhe më të mira. Në krahasim me doganat e tjera në botë, Doganat e Kosovës nuk kanë  shkallë të lartë të korrupcionit, kurse zyrtarët e korruptuar dënohen. Ato janë gjithashtu institutcionet më transparente me publikun, dhe e respektojnë të drejtën për informacion të qytetarëve.

Si institucion tjetër qëndror efektiv do të veçoja Policinë e Kosovës, e cila gëzon besimin e qytetarëve dhe megjithë problemet në menaxhment  ofron siguri në Kosovë.  Edhe Policia e Kosovës dënon korrupsionin në radhët e saj dhe ka shkallë të ulët të tij. Fakti që doganat dhe policia janë nga institucionet me korrupsion të ulët është për t’u admiruar, sepse këto janë shpesh institucionet më të korruptuara në vende të tjera në zhvillim.

Ndërkohë, administrata qëndrore dhe gjykatat në Kosovë janë institucione disfunksionale. Ato kanë probleme me hartimin dhe zbatimin e ligjeve.

Korrupsioni, edhe pse përflitet shumë në media, nuk dënohet. Organizmat ndërkombëtarë po ashtu e vlerësojnë administratën qëndrore si problematike. Sa I përketë gjykatave, ato  kanë numër të madhë të rasteve dhe të lëndeve që zvarriten nga viti në vit dhe që mbesin pa u zgjidhur. Qytetarët dhe bizneset nuk kanë akses të mjaftueshëm në gjykata. Korrupsioni në këto institucione është i shtrirë dhe nuk dënohet.
Pse disa burokraci funksionojnë më mirë sesa të tjerat në shtetin e Kosovës, kur dihet se të gjitha kanë marrë asistencë të madhe ndërkombëtare dhe të gjitha u krijuan pas përfundimit të luftës? Shumica e studiuesve mendojnë që shteti ndërtohet kur ka pronësi vendore të proceseve të shtet-ndërtimit.

Thënë ndryshe, kur populli dhe udhëheqësit e tij marrin përsipër ndërtimin e shtetit, atëherë do të krijohen institucionet më efektive që do t’iu përshtateshin kulturës vendore. Kur erdha në Kosovë për të kryer hulumtime në 2008-2009, edhe unë mendoja që mungesa e pronësisë vendore në Kosovë kontribuonte në krijimin e një shteti jofunksional. Gjatë hulumtimit kuptova që hipoteza e pronësisë vendore ishte e gabuar. Në administratën shtetërore të Kosovës, UNMIK-u transferoi kompetencat ndaj vendorëve në vitin 2002. Në gjykata, komisionet vendore kishin përgjegjësinë që të rekrutonin dhe ngrinin në pozitë juristët vendorë.

Kur pronësia vendore ishte më e madhe, si në administratë qëndrore dhe gjykata, institucionet e krijuara nuk e përmbushnin misionin e tyre, nuk e ndërshkonin korrupsionin, dhe nuk ishin transparente ndaj publikut.

Punësimi në institucionet që morën përsipër udhëheqësit politikë vendorë që në 2002 u krye në bazë të patronazhit politikdhe lidhjeve personale. Meqënëse zyrtarët merreshin në punë për shkak të kontakteve me politikanë e shefa dhe jo në bazë të meritës, ata nuk kishin nevojë të rrisnin profesionalizmin në punë për t’u ngritur në detyrë. Nëse ministri ose partia në pushtet ndërrohej, atëherë edhe zyrtarët në administratë publike shpeshherë ndërroheshin. Kjo rrit pasigurinë në punë dhe ul rendimentin e punës.

Nga ana tjetër, burokracitë vendore efektive u ndërtuan kur organizatat ndërkombëtare i izoluan zyrtarët vendorë nga ndikimi politik. Dy institucionet profesionale, policia dhe doganat, ishin nën drejtimin ndërkombëtar deri në vitin 2008. Rekrutimi bëhej me konkurs, punonjësit vijuan  kurse profesionale në akademi policore apo qendër trainimi për doganat. Ngritja në detyrë u krye në bazë të njohurive dhe punës, dhe zyrtarë vendorë teknokratikë morën përsipër drejtimin e institucioneve kur ndërkombëtarët transferuan kompetencat në 2008

infoGlobi: A jeni duke thënë se po të ishin ndërtuar institucionet nga vendorët ekskluzivisht, performanca e tyre do të ishte edhe më e dobët se që është tani?

Skendaj: Po, nëse do t’i kishin ngritur dhe policinë dhe doganat ashtu si ndërtuan administratën qendrore ne bazë te patronazhit politik. Kuptohet, nëse vendorët do të përdornin konkursin real për rekrutimin e punonjësve si edhe  ngritjen e tyre në pozitë në bazë te meritës, ata do t’i krijonin institucione më efektive. Por, dyshoj që rekrutimi dhe promovimi i zyrtarëvë do të bëhej në bazë të meritës në Kosovë, sepse mungon shteti ligjor, dhe udhëheqësit e punë-kërkuesit kanë motivim strategjik për patronazh politik. Psh, udhëheqësit e përdorin punësimit në administratë për të shpërblyer përkrahësit e tyre dhe kontaktet e tyre. Në shoqëri ku papunësia është e lartë, punë-kërkuesit gjithashtu përdorin kontaktet e tyre politike apo familjare për të siguruar punësimin.y problem nuk haset vetëm ne Kosovë, po edhe në vende të tjera të Ballkanit, Azisë, Amerikës Latine dhe Afrikës. Edhe shtetet në Europën Perëndimore dhe SHBA në fillim e krijuan administratën në bazën e patronazhit politik dhe pas shumë dekadave krijuan burokraci efektive në bazë të meritës. Fakti që Kosova i krijoi dy institucione burokratike profesionale është në fakt një arritje e madhe që duhet njohur më tepër.

Pervec punës serioze të punonjësve vendore, organizatat ndërkombëtare si OSBE, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara kanë merita në krijimin e këtyre institucioneve sepse garantuan procese të rekrutimit dhe ngritjes në detyrë në bazë te meritës. Por, këto institucione nuk patën sukses në mbështetjen e administratës qëndrore dhe gjykatave, sepse keto burokraci nuk u ngritën mbi profesionalizëm, po mbi patronazh. Si pasojë, një pjesë e mirë e projekteve dhe donacioneve ndërkombëtare kanë shkuar dëm.

infoGlobi: A e konsideroni të përfunduar procesin e shtetndërtimit në Kosovë, kur dihet se institucionet e Kosovës ende nuk kanë qenë në gjendje të shtrijnë autoritetin e tyre edhe në veri?

Skendaj: Jo, nuk është proces i përfunduar, jo vetëm në shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e Kosovës, por më shumë në ndërtimin e burokracive funksionale. Fatkeqësisht, unë nuk po shoh ndryshime pozitive në administratë qëndrore, ku patronazhi politik është theksuar edhe më tepër në qeverinë e re që fryn ministritë për të shpërblyer aleatët.

Njëkohësisht, shqetësohem sepse ekzekutivi po përpiqet të ndryshojë proceset teknokratike në policinë e Kosovës dhe doganat, për të vendosur zytarë të lartë të këtyre institucioneve që të jenë të varur plotësisht nga udhëheqësit politikë. Nëse policia nuk zbaton ligjin me korrektesë, po bëhet armë e verbër e një grupimi politik, atëherë shteti bëhet arbitrar dhe shoqëria kosovare do të vuaj pasoja të rënda si në Rusi, Kaukaz, Azi, e Lindje të Mesme.

Kosova do bëjë mirë të mos ndjeki shembullin e Shqipërisë për doganat, ku ndërrohen gati të gjithë punonjësit e doganave kur krijohet një koalicion i ri qeveritar dhe u jepen punë si doganierë simpatizantëve të partive. Po të ndodhi kjo, të hyrat nga doganat do bienë ndërsa korrupsioni do rritet vazhimisht. Më pak të hyra nënkupton më pak fonde publike për arsim, shëndetësi, siguri, e rrugë. Rritja e korrupsionit në doganë do të favorizonte tregtarët e lidhur më pushtetarët, dhe monopolet importuese do të rrisnin edhe me tepër cmimet e produkteve në Kosovë.

Thënë ndryshe, nëse zhbëhen arritjet e doganave dhe policisë në Kosovë, shoqëria kosovare humbet shumë dhe një pakicë e shoqërisë e lidhur me politikanë të caktuar fiton shumë.

infoGlobi: Cilat janë sfidat që ky process të rrumbullakësohet përfundimisht?

Skendaj: Sfida është që qeveritarët të mos vazhdojnë të përdorin patronazhin për të mbushur burokracitë me njerëz besnikë, pavarësisht nga arritjet e tyre profesionale. Mediat, shoqëria civile dhe votuesit duhet të shikojnë me kujdes procesin e rekrutimit dhe promovimit të zyrtarëve në shtetin e Kosovës. Ligji për shërbimit civil që ështe miratuar në vitin e fundit, duhet zbatuar me kujdes./infoGlobi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.